“Në Eurosong i druhemi Suedisë dhe Gjeorgjisë, por Elhaida do fitojë”

May 20, 2015 | 13:38
SHPËRNDAJE

Flet njëri nga kompozitorët e këngës “I’m alive”, Arbër Elshani

Nuk rezultoi në nivelin e duhur në interpretimin e provës së parë të këngës “I’m alive”, që Elhaida Dani bëri të martën në skenën e Festivalit Europian që organizohet në Vjenë. Në një intervistë për wiwibloggs, këngëtarja shpjegoi se nuk ishte në formën që priste: “Kam tre muaj që punoj për këtë këngë dhe për asnjë çast nuk kam pushuar. Vjen një moment që lodhesh, zëri u lodh. Ndodh”, sqaroi Elhaida, një ditë pasi faqja zyrtare e “Eurosong”-ut shkroi se këngëtarja shqiptare nuk ishte në nivelin e duhur në performancën e saj të parë. Por pavarësisht asaj që ndodhi, Elhaida shpjegoi se tani ndihet e sigurt që gjithçka do të shkojë mirë, pasi zëri i është rikthyer, kështu që ajo do të ofrojë një performancë të shkëlqyer. Eurovizion do të mbahet më datë 23 maj në Vjenë dhe po aq të emocionuar sa Elhaida janë kompozitorët e këngës “I’m alive”. Njëri prej tyre, Arbër Elshani, i pyetur nga gazeta “Panorama” për pritshmëritë e kësaj gare, shprehet: “Do e djegim fare, pra besojmë në fitore!” Për sa i përket konkurrencës në “Eurosong”, në raport me pjesëmarrësit e tjerë, ai shprehet: “Konkurrencë për momentin nuk ndiej, por ka këngë që më pëlqejnë dhe ato janë përfaqësuesja e Gjeorgjisë, Nina Sublatti me ‘Warrior’ dhe Måns Zelmerlöë nga Suedia, i cili konkurron në Eurosong me këngën e tij me titull ‘Heroes’”, përfundon Elshani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura