Në Elbasan 11% rritje të dhunës në familje, 45 raste në muaj

Dec 19, 2016 | 11:49
SHPËRNDAJE

Dhuna në familje vijon të shkaktojë viktima në shoqërinë shqiptare, ndërsa gjatë muajve janarshtator 2016 janë evidentuar dhe trajtuar 3195 raste të saj. Gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2015 janë evidentuar 2869 raste të dhunës në familje. Në krahasim me një vit më parë, në 2016 kemi një rritje me 11% të rasteve të ushtrimit të kësaj dhune në familjet shqiptare. Janë 1683 raste që janë trajtuar me kërkesëpadi “Për lëshimin e Urdhrit të Mbrojtjes” për dhunë në familje, ndërsa gjatë nëntëmujorit të vitit të shkuar janë trajtuar 1603 kërkesëpadi.

Soela Kurti
Soela Kurti, juriste e “Forumi i Gruas” në Elbasan

Agjencia e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri (Programi Një OKB) me mbështetjen financiare të qeverisë së Suedisë dhe në partneritet me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (MMSR), përmes UNDP, UN Women, UNFPA, IOM, UNICEF, po zbatojnë Programin e Përbashkët për Barazinë Gjinore dhe kundër Dhunës me Bazë Gjinore dhe Dhunës në Familje. ELBASAN Forumi i Gruas Elbasan (FGE) është një organizate jofitimprurëse, që operon në qarkun e Elbasanit prej 20 vitesh po ofron konkretisht tre shërbime: Qendrën e Këshillimit që ofron këshillim psiko-social për viktimat e dhunës në familje, Studion Avokatore që ofron këshillim ligjor dhe përfaqësim/mbrojtje në gjykatë dhe Qendrën e Kujdesit Ditor (shelter emergjence), ku viktimat mund të qëndrojnë deri në 48 orë, deri sa marrin ‘Urdhrin e Mbrojtjes’ ose ‘Urdhrin e Menjëhershëm të Mbrojtjes’.

Pranë kësaj qendre është ngritur dhe një strehëz emergjence, në të cilën strehohen gratë bashkë me fëmijët që denoncojnë dhunën nga bashkëshortët, por dhe fëmijët për 48 orë deri në daljen e ‘Urdhrit të Mbrojtjes’. Por ajo që është shqetësuese është numri i madh i denoncimeve pranë kësaj qendre. Vetëm në tre muajt e fundit raportohen 3-5 raste në ditë, ose rreth 45 raste në muaj. PNUD e ka mbështetur financiarisht Forumin e Gruas Elbasan që nga shtatori i vitit 2015, me qëllim parësor të reduktojnë dhunën në familje në Elbasan.

“Në qarkun e Elbasanit gjatë këtyre muajve janë dhënë 105 urdhra mbrojtjeje. Jo gjithmonë është e lehtë që të arrish të marrësh një urdhër të menjëhershëm mbrojtje apo urdhër mbrojtjeje. Sidomos kur janë gjykatës meshkuj është shumë më e vështirë. Normalisht që gratë e dhunuara duhet të kenë prova të dhunës që është ushtruar ndaj tyre. Ndërsa për dhunën psikologjike, gjykatësit në shumicën e rasteve nuk e marrin parasysh, sepse nuk mund të faktohet”, sqaron avokatja e Forumit, Soela Kurti.

POGRADEC Në tri vitet e fundit me mbështetjen e UNDP me fonde të qeverisë suedeze, shoqata “Unë Gruaja” ka zbatuar projektin “Burra dhe Gra – Barrierë e Përbashkët kundër Dhunës ndaj Grave”, 3 nëntor 2014 – 10 mars 2015, si dhe është në vitin e dytë të zbatimit të projektit: “Burra dhe djem – Të ndryshojmë sjelljen, të ndryshojmë shoqërinë”, 5 shtator 2015 – 31 mars 2017. Pavarë- sisht fushatave dhe aktiviteteve sensibilizuese të luftimit të dhunës në familje, sërish Pogradeci ka nevojë për funksionimin e qendrave dhe strehëzave për gratë e dhunuara, si ato të emergjencës, ashtu dhe strehë- za më afatgjata.

Nga ana tjetër, përfaqësuese të shoqatës “Unë Gruaja” thonë se Policia dhe mjekët duhet të jenë më bashkëpunues për të denoncuar rastet dhe për të zbatuar urdhrat e mbrojtjes. Vetë mjekët në Pogradec pranojnë se ka raste kur gratë vijnë të dhunuara në spital, por edhe pse me shenja të dukshme të dhunimit të tyre në trup, ato nuk pranojnë të bashkëpunojnë me mjekët dhe policinë për të denoncuar burrat.

Sotiraq Filo: Kemi ulje të dhunës në familje

Rastet e dhunës në familje janë hasur shpesh edhe në Korçë, ndonëse me tendencë rënie nga viti në vit. Ndryshe nga shumë qytete të tjera, Bashkia Korçë ka ngritur grupin multidisiplinor kundër dhunës në familje, i cili funksionon më së miri dhe adreson çdo rast të konstatuar.

Kreu i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo
Kreu i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo

Çdo vit rinënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit ndërinstitucional për të luftuar këtë fenomen, me pjesëmarrjen e një sërë institucionesh si Policia, Prokuroria, Drejtoria Arsimore, Zyra e Punësimit, Shërbimi Social Shtetëror, Drejtoria e Shëndetit Publik etj. Kreu i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, lidhur me këtë fenomen u shpreh se rastet e dhunës në familje fatmirësisht janë ulur në këtë zonë dhe nëse në vitin 2015 u raportuan 137 raste, në vitin 2016 janë konstatuar 89 raste. Në Korçë ekziston problem i strehëzave për gratë e dhunuara, por bashkia ka marrë një ambient për ndërtimin e një strehëze të tillë.

Sipas tij, punësimi, strehimi, niveli arsimor, janë shkaqet dhe burimi i dhunës në familje. Kryesisht familjet e kthyera nga emigracioni janë më shumë të ekspozuara ndaj dhunës në familje, kjo edhe si pasojë e papunësisë dhe vështirësisë së integrimit të tyre pas kthimit. Ndaj, edhe ne po punojmë për ta ndryshuar situatën”. “Në Korçë do të ngrihet një fabrikë e prodhimit të pajisjeve të makinave të markave më të njohura në botë, e cila do të gjenerojë mbi 1 mijë vende pune.

Po ashtu, turizmi është në rritje në Korçë dhe të gjitha këto përkthehen në më shumë ekonomi dhe më shumë mirëqenie për qytetarët”, tha kryebashkiaku Filo, ndërsa shtoi se në Korçë po ndërtohet edhe një bllok pallatesh që do të ofrojë mundësinë e strehimit për 75 familje.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura