“Në Durrës erdha për trofe”, Asion Daja: Më bindi presidenti, Teuta shkon larg

Oct 17, 2020 | 22:16
SHPËRNDAJE

Asion Daja është një nga 10 prurjet e Teutës në merkaton që zyrtarisht u mbyll më 2 tetor. Trajneri Edi Martini e ka mirëpritur mesfushorin, me besimin se ai do forcojë akoma më shumë ekipin. Daja vjen pas aventurës te Skënderbeu dhe pavarësisht se i doli emri në disa skuadra, në fund zgjodhi të vazhdonte karrierën te “djemtë e detit”. Afrimi i shtatshkurtrit pritet të plotësojë disi boshllëkun e krijuar pas largimit të Sherif Kallakut. Eksperienca e tij në kampionatin shqiptar është e madhe, pasi ka provuar të luajë për Tiranën, Partizanin, Kastriotin, Dinamon dhe Shkumbinin. Teuta synon majën e futbollit shqiptar dhe merkatoja e bërë e vërteton më së miri këtë gjë. Vetë Daja në një intervistë për “Panorma Sport”, tregon arsyet pse vendosi të veshë fanellën blu dhe çfarë pret nga kjo aventurë.

bregu daja krasniqi
Asion, çfarë ju bindi të bëheshit pjesë e Teutës?
Më bindi presidenti Edmond Hasanbelliu dhe projekti i klubit të Teutës për këtë sezon. Natyrisht, paraqitja e ekipit në kampionatin që lamë pas ka qenë e suksesshme, por personalisht më ka tërhequr edhe mënyra e lojës së Teutës. Mendoj se ka treguar një ekip me personalitet, ku ka pasur brenda agresivitetin dhe një grup lojtarësh plot harmoni.

Në aspektin personal çfarë pret të arrish si pjesë e durrsakëve?
Objektivi im është i lidhur me klubin. Do mundohem të kontribuoj sa më shumë për ekipin, për t’i realizuar këto objektiva madhorë.

Si është situata në skuadër në një kohë që nuk dihet ende se kur nis kampionati?
Situata në këto ditë bojkoti është pak e çuditshme, pasi s’ka ndodhur më parë kështu. Kemi disa javë që jemi gati dhe po presim me padurim fillimin e kampionatit. Skuadra është pothuajse e plotë dhe po punohet me përkushtim çdo ditë.
teuta partizaniTë enjten luajtët ndaj Partizanit, por humbët…?
Ndeshja me Partizanin ishte miqësore, por pavarësisht humbjes, unë mendoj se ekipi luajti mirë. Në të tilla ndeshje rezultati del në plan të dytë. Ishte thjesht një test përpara fillimit të kampionatit për të parë formën e secilit prej nesh, kaq mund te them.

Gara pritet të nisë javën e ardhshme, mendoni se Teuta do të jetë në formën maksimale që në start?
Shpresojmë që të nisim javën tjetër dhe të ketë një kompromis mes ligës dhe qeverisë në të mire të sportit. E thashë edhe më lart që ekipi ynë është gati dhe presim me padurim fillimin e kampionatit për të treguar forcën tonë reale.

Duke parë edhe rivalët, mendoni se i ka mundësitë Teuta të luftojë për titull?
Teuta i ka pasur gjithmonë mundësitë dhe ka qenë në pjesën e ekipeve pretendente, por është herët për të folur për këtë pjesë tani, në një kohë që kampionati ende s’ka nisur. Koha do ta tregoj, por pritshmëritë janë të mëdha për këtë vit. Shpresojmë të realizojmë këtë synim madhor të gjithë së bashku.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura