Ne, diplomatët që riatdhesuam eshtrat e Pashko Vasës

Dec 23, 2011 | 11:19
SHPËRNDAJE

PASHKO VASA ne kohen kur ishte guvernator i pergjithshem i libanit

Flet Dalan Buxheli, ish-ambasador në Egjipt.

“Nga Bejruti në Shkodër, për të zbatuar detyrën e Enverit”

Rikthimi i eshtrave të Pashko Vasës ka qenë një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit 1978. Së paku, për aq sa përmban kronika e kohës. Megjithatë, jehona e ceremonisë në Shkodër nuk mundi të ngjitej në shkëlqimin e pritshëm, pasi përkujtimi me bujë i 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, pikërisht në atë hark kohor, eklipsoi në një masë të konsiderueshme efektet e ndodhisë së rrallë. Më shumë se kaq, vrulli festiv i atyre ditëve anashkaloi si pa u ndier vetë historinë e rilindësit të shquar, që për 86 vite pushonte në dhe të huaj, larg tokës së të parëve që e deshi si rrallëkush. Të vetmit që flisnin ato çaste për të, ishin diplomatët që kishin mundësuar rikthimin e eshtrave të Pashko Vasës, pas një odiseje të gjatë kërkimesh, negociatash e përpjekjesh. Njëri ndër ta, Dalan Buxheli, ish-ambasador në Egjipt, kujton se misioni i atij viti të largët ishte iniciuar drejtpërdrejt nga Enver Hoxha. “Unë kam qenë zyrtari i parë shqiptar, shprehet ai, që kam trokitur te autoritet e Bejrutit për të transferuar eshtrat e Pashko Vasës, por jam kundërshtar prerë prej tyre”. Sipas Buxhelit, pengesa kryesore lidhej me faktin që vendvarrimi i Vasës ishte vakëf dhe ritet fetare, rregullat e kultit e ndalonin kategorikisht rihapjen e varrit. Gjithsesi, shton ish-diplomati, pas shumë negociatash dhe falë ndihmës së çmuar të komunitetit të shqiptarëve të Bejrutit, ia dolëm mbarë…
Zoti Dalan! Gjatë kohës kur ishit ambasador i vendit tonë në Liban, keni kryesuar grupin e punës që është marrë me kthimin e eshtrave të Pashko Vasës nga Bejruti në Shqipëri. Çfarë kujtoni nga ajo periudhë?
Asokohe kam qenë pjesë e misionit diplomatik të Shqipërisë në Egjipt, që mbulonte njëherazi Libanin, Arabinë Saudite, Algjerinë dhe një pjesë të vendeve të Afrikës. Operacioni për kthimin e eshtrave të Pashko Vasës, në të cilin bëja pjesë edhe unë, iu besua një grupi diplomatësh shqiptarë, që operonin në atë zonë të kontinentit të largët në pranverën e vitit 1978. Me sa më kujtohet për finalizimin e tij, kontribuuan shumë nga miqtë e Shqipërisë dhe emigrantët shqiptarë që jetonin në Bejrut…
Cilat ishin autoritetet zyrtare që u besuan operacionin për kthimin e eshtrave të Pashko Vasës nga Bejruti?

Dalan Buxheli

Zyrtarisht detyrat i merrnim nga Ministria e Punëve të Jashtme, por për raste të tilla operonim me Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë, i cili orientonte për misione jo të mirëfillta diplomatike, siç ishte rasti i kthimit të eshtrave të Pashko Vasës në atdhe. Atëherë flitej se këtë detyrë e kishte iniciuar drejtpërdrejt Enver Hoxha e kjo parakuptonte angazhim e seriozitet maksimal…
Pra, ishte një detyrë e caktuar nga Enveri…
Me sa më kujtohet, kthimi i eshtrave të Pashko Vasës ishte pjesë e programit festiv me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Për Enver Hoxhën dhe lidershipin e Tiranës, riatdhesimi i njërit prej korifenjve të Rilindjes Kombëtare, ishte një akt jo vetëm simbolik, por edhe mjaft domethënës. Të bindur e të qartë për rëndësinë e misionit, ne diplomatët e ngarkuar me këtë detyrë bëmë ç’ishte e mundur për ta përmbushur në kohë. Dhe në fakt, ia dolëm mbarë…
A patët vështirësi për identifikimin e vendvarrimit të Pashko Vasës?
Kjo çështje ishte e zgjidhur, së paku për ne diplomatët që shërbenim në atë zonë. Madje shumë syresh kishim qenë disa herë te vendvarrimi i Pashko Vasës, në varrezat osmane Hazmieh të Bejrutit. Vasa pushonte në një varr të përbashkët me të shoqen, Katerina Khanum. Vendvarrimi i tyre në krye të varrezave dallohej që nga larg. Vendësit kishin ngritur mbi të një ndërtesë karakteristike dhe në çdo kohë çonin aty lule dhe qiri. Nderimet për Pashko Vasën prej tyre kishte të bënte me kontributet e tij për mëvetësinë dhe prosperitetin e Libanit…
Çfarë keni parasysh kur veçoni kontributet e Pashko Vasës për prosperitetin e Libanit?
Pashko Vasa, ky lider i Rilindjes Kombëtare shqiptare, ka qenë një nga autoritetet e larta të Libanit. Aty ka fituar titullin e valiut qysh në rininë e tij, ndërkohë që në vitin 1883 është bërë guvernator i Përgjithshëm i Libanit, post ky i besuar nga një traktat ndërkombëtar, të cilin e mbajti deri në çastet e fundit të jetës. Në enciklopedinë libaneze njihet si figurë me kontribute të jashtëzakonshme për kohën. Në Bejrut, në pjesën perëndimore të tij, ishte ngritur përmendorja e Pashko Vasës me madhësi sa ajo e Enverit në Tiranë. Pikërisht këto ishin arsyet që vendvarrimi i tij në Bejrut ishte lehtësisht i dallueshëm…
Atëherë, cilat ishin pengesat që vonuan rikthimin e eshtrave të Vasës në Shqipëri?
E vërteta është se nga shteti shqiptar deri në vitin 1978 nuk ishte bërë asnjë përpjekje për riatdhesimin e eshtrave të tij, edhe pse artikulohej me të madh roli i Vasos si pjesë e Rilindjes Kombëtare. Për herë të parë shteti shqiptar u interesua në pranverën e vitit 1978. Unë kam qenë zyrtari i parë shqiptar që kam trokitur te institucionet libaneze. Të them të drejtën, reagimet e para më bënë pesimist. Autoritet e Bejrutit në asnjë rrethanë nuk pranonin të na jepnin lejen e zhvarrimit. Krahas të tjerave, fakti që vendvarrimi i Vasos ishte vakëf, ishte pengesa kryesore. Sipas rregullave vendëse, një sipërmarrje e tillë ishte e pamundur. Na u desh disa kohë të negociojmë derisa morëm miratimin e tyre.
Çfarë kujtoni nga momentet e negocimit me autoritetet e Bejrutit?
Kur dështova disa herë me radhë në negociatat me zyrtarët vendës, vendosa t’i kërkoj ndihmë një mikut tim, gazetar i njohur jo vetëm në Liban, por edhe në Perëndim. Ai m’u përgjigj menjëherë dhe shfrytëzoi të gjitha njohjet për t’i hapur rrugë “operacionit shqiptar”, siç cilësohej atëherë nga vendësit sipërmarrja për kthimin e eshtrave të ish-guvernatorit të Libanit në Shqipëri. Shkurt do të thosha se pa këtë ndërhyrje nuk mund ta përmbushnim detyrën, së paku në atë kohë. Pra, 100-vjetori i Lidhjes së Prizrenit do të festohej pa praninë e Pashko Vasës…
Kush ishte ky gazetari që kapërceu “postbllokun” e autoriteteve libaneze?
Ai ishte një mik i sinqertë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, që e ndoqi operacionin për rikthimin e eshtrave të Pashko Vasës nga momenti i parë e deri te ceremonia e varrimit në Shkodër.
E quanin Melhem Mobaraku. Me të isha miqësuar që në ditët e para të shërbimit në Kajro. Më herët më kishin folur për të disa nga kolegët e mi, që njiheshin prej kohësh. Një afeksion i hershëm për Shqipërinë ishte bërë shkak i lidhjeve të tij me mjaft shqiptarë, sidomos diplomatë që kishin shërbyer në atë zonë. Disa herë kisha vizituar shtëpinë e tij në Bejrut, ku kishte një bibliotekë të veçantë me 20 mijë libra shqip. E njihte mirë historinë e vendit tonë dhe interesohej vazhdimisht mbi të rejat nga Tirana. Mobarak me ndërhyrjen time vizitoi disa herë Shqipërinë dhe botoi një sërë shkrimesh lidhur me realitetin shqiptar.
Pra, me ndërhyrjen e tij morët lejen për transferimin e eshtrave të Pashko Vasës…
Jo vetëm kaq, por Mobarak nuk u shkëput për asnjë çast nga grupi ynë, që merrej me këtë detyrë. Madje, ai u bë organizatori i ceremonisë së zhvilluar në Bejrut me rastin e riatdhesimit të eshtrave të Pashko Vasës. Pasionant e dashamirës si ai, Mobarak mbeti deri në fund protagonisti kryesor i misionit tonë. Ruaj kujtimet më të mira nga ditët e bashkëpunimit me të, pavarësisht se diçka më vonë miqësia jonë mori të krisur…
Çfarë mbani mënd nga ceremonia e organizuar në Bejrut me rastin e transferimit të eshtrave të Pashko Vasës?
Pas momentit të identifikimit dhe nxjerrjes së eshtrave të familjes së Pashko Vasës nga varreza e Bejrutit, ceremonia e organizuar me rastin e transferimit të tyre në Shqipëri, ishte  ngjarja më mbresëlënëse e atyre ditëve. Aktiviteti filloi mëngjesin e 31 maj 1978. Eshtrat e Pashko Vasës dhe të familiarëve të tij, u vendosën në një podium të lartë, në krahët e të cilit bënin roje nderi ushtarët e gardës libaneze. Kishin ardhur me këtë rast një numër i madh qytetarësh dhe autoritetesh vendëse. Folën aty njerëz të ndryshëm. Fjalën kryesore e mbajti kreu i Komunitetit shqiptar në Bejrut, një emigrant i hershëm nga Gjirokastra me profesionin e bankierit, i cili i njihte zhvillimet në Shqipëri deri para luftës. Foli përfaqësuesi i qeverisë libaneze. Përshëndeti ambasadori i Turqisë në Bejrut. Në vazhdim e morën fjalën familjarët e Vasës dhe diplomatët tanë të rajonit. Tubimi vazhdoi kështu rreth dy orë. Pastaj morëm rrugën për në Shqipëri me avionin e linjës. Pashko Vasa rikthehej në vendlindje në Shkodër pas 68 vitesh.
Sa kushtoi transferimi i eshtrave të Pashko Vasës nga Bejruti në Shkodër?
Këtu, besoj, nuk e keni fjalën vetëm për shpenzimet e udhëtimit nga Bejruti në Shqipëri, por për krejt operacionin. Të them të vërtetën koston konkrete nuk e mbaj mend, por më kujtohet se pjesa më e madhe e shpenzimeve u përballua nga miqtë tanë në Bejrut, sidomos nga komuniteti i shqiptarëve që jetonin aty.

Varri pa kryq
Vaso Pasha më në fund erdhi të pushojë në tokën e vet, shkruan në ditarin e tij Melhem Mobarak, gazetari libanez që ka ndjekur nga afër transferimin e eshtrave të rilindësit shqiptar nga Bejruti në Shkodër. Fati qenka vërtet tekanjoz, shton ai. “Vaso Pashës që pati deklaruar se “feja e shqiptarit është shqiptaria”, nuk besoj t’i kishte shkuar ndër mend se ky slogan do të aplikohej te eshtrat e tij, pasi të merreshin nga një varrezë fetare për t’u varrosur në Shkodër te një varr pa kryq.”

“Tentoi të futej te vila e Enverit, përfundoi në pranga”

“Adhuruesin e Pashko Vasës nga Bejruti e arrestuan në Tiranë”
“Në vitet 80, Melhem Mobarakun, gazetarin libanez që mundësoi riatdhesimin e eshtrave të Pashko Vasës, e prangosën në Tiranë, madje brenda Bllokut, fare pranë vilës së Enverit”. Incidenti i panjohur, i rrëfyer për herë të parë nga Dalan Buxheli, ish- diplomati shqiptar në Egjipt, është vetëm një pjesë e kujtimeve nga miqësia e tij me adhuruesin e Pashko Vasës nga Bejruti. Po kush ishte Mobarak, çfarë e shtynte për të eksploruar Shqipërinë, cilat ishin mbresat e tij nga vizitat në vendin tonë. Ja ç’tregon Buxheli për të…
Rrefimi
Mehem Mobaraku ishte djali i vetëm i dy diplomatëve libanezë nga Bejruti. Pas diplomimit në gazetari, ishte bërë i njohur jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij. La vendlindjen në pikun e luftës midis kristianëve dhe myslimanëve, dhe u vendos në Montreal, Kanada, ku jeton aktualisht. Jam njohur me të që ditët e para të shërbimit në Egjipt. Më herët kisha mësuar se ishte dashamirës i vendit tonë dhe kishte respekt të veçantë për të. Fakti që dinte shqip, e kishte ndihmuar të zgjeronte rrethin e të njohurve nga Shqipëria. Me mjaft syresh kishte kontakte të shpeshta. Ishte i sjellshëm dhe dashamirës në komunikim. Në Bejrut kishte organizuar një komunitet të zgjeruar me emigrantë shqiptarë. Me shoqatat e tyre herë pas here zhvillonte veprimtari për promovimin e traditave të popullit tonë. Kishte një bibliotekë fantastike me libra në shqip. Në takimin e parë më shprehu dëshirën për të vizituar Tiranën. Aty për aty nuk i premtova, por i shpreha gatishmërinë se do ta ndihmoja. Pas  procedurave për të tilla çështje dhe miratimit të lejes nga autoritetet, e njoftova për të marrë vizën. U gëzua jashtë mase dhe me falënderoi sikur t’i kisha bërë diçka të jashtëzakonshme. Diku aty nga fundi i viteve ’60, Mobarak udhëtoi drejt Tiranës. Mora vesh se ishte interesuar të vizitonte vendlindjen e Pashko Vasës, madje ishte ngjitur deri në Kelmend. Kur u kthye, shkroi në shtypin vendës për mbresat nga Shqipëria. Ishte koha kur ato i ndiqnim me vëmendje, ca më tepër ne diplomatët që garantonim vizitat e tyre. Në përgjithësi, përshtypjet e tij ishin dashamirëse, me përjashtim të rasteve kur fliste për kultet fetare. Kjo madje ishte pjesa më kritike e shkrimeve të tij. Në një prej tyre, duke sjellë mbresat nga Veriu i Shqipërisë, shprehej: “Në vendin e shqiponjave, Zoti nuk ekziston më. Në Bogë dhe në Theth vetëm dhitë gërziten akoma rreth kishave të vogla gërmadha, të rrethuara nga gardhe e varreza të braktisura, me kryqe të thyer rrëzuar përtokë”. Asokohe, diçka e tillë tingëllonte jo mirë për regjimin. Në takimin që patëm pas kësaj, u mundova ta qortoj me takt, por ishte absolutisht e kotë t’i ndërroja mëndje. Për Mobarak, ateizmi shqiptar ishte diçka absurde dhe, si i tillë, ishte i pakonceptueshëm. Sidoqoftë, ai vizitoi edhe dy herë të tjera vendin tonë dhe eksploroi më tej në hapësirat shqiptare. Bëri të tjera shkrime, duke u përpjekur të shmangë disi temën e besimit fetar, por përsëri vëzhgimet e tij stononin jo pak me shijet e Tiranës zyrtare. Në pasazhet që sillte nga qytetet tona, krahas të tjerave, pikturonte kuaj e kafshë të ndryshme që lëviznin në bulevardet e tyre(!) Të tillë madje, shkruante se shëtisin në mes të ditës në bulevardin “Stalin” në qendër të metropolit. Ishte ky momenti që i dha krisjen e parë miqësisë tonë. Pavarësisht kësaj, Mobarak nuk hezitonte të më telefononte e të më kërkonte për kafe. Madje, në një nga takimet e fundit, më shtroi një kërkesë delikate. Në vizitën e radhës që do bënte në Shqipëri, synonte të takohej me Enver Hoxhën. I thashë që kur të mbërrinte në Tiranë, të kontaktonte me autoritetet dhe atyre t’u kërkonte lejen për t’u takuar me Enverin. E dija që ishte shumë e vështirë, por nuk mund t’ia shprehja, prandaj u mjaftova me shpjegimin e procedurës. Aty për aty nuk i erdhi mirë dhe, si ndenji disa çaste, u largua qejfmbetur. Gjithsesi, kur erdhi në Tiranë, bëri kërkesë zyrtare, por nuk ia miratuan. Me sa duket, dikush shprehu dyshime për të si gazetar i vënë nga qarqe antishqiptare dhe nuk e lejuan të kontaktonte me Enverin. I mërzitur nga përgjigjja e autoriteteve, Mobarak provoi të futej fshehtas në Bllok, por aventura rezultoi e pasuksesshme. Madje, kjo përpjekje e marrë i kushtoi shtrenjtë. I prangosur fare pranë vilës së Enverit, përfundoi në birucat e policisë dhe aty iu nënshtrua për ditë me radhë pyetjeve pa fund, për të cilat thoshte se kishin qenë brutale dhe të pakuptimta. Këtu në një farë mënyre morën fund edhe marrëdhëniet e mia me të. Nuk e di si rrodhi më tej jeta e tij, por mora vesh se në fillimin e viteve 90 ai u duk sërish në Tiranë. Më thanë se kishte shkuar në Shkodër e kishte vizituar vendvarrimin e Pashko Vasës…

Mobaraku zbuloi varrin e motrës së Ali Pashës në Libohovë

Bejruti, streha e miqësisë së Pashko Vasës me Ismail Qemalin
Ka qenë një kohë kur në Bejrut Pashko Vasa e Ismail Qemali mbanin ndezur zjarrin e dashurisë për Shqipërinë. Përtej këtij fakti, hulumtimet e gazetarit Melhem Mobarak hedhin dritë edhe në disa  aspekte të panjohura të veprimtarisë së tyre në Liban. “Ata, shkruan Mobarak, u njohën në vitin 1879, kur punonin në administratën e vilajetit të Edirnes dhe mbetën miq të përjetshëm”. Këto lidhje, shton ai, u bënë më të afërta në vitin 1883, kur Ismail Qemali u zgjodh vali i Bejrutit dhe Pashko Vasa guvernator I Përgjithshëm i Libanit. Dy zyrtarët nga Shqipëria, vëren gazetari nga Bejruti, duke përfituar nga ofiqet e larta në administratën vendëse, ndikuan energjikisht për kompaktësimin e komunitetit shqiptar në këtë vend të largët. Pikërisht për këtë arsye, periudha kur Pashko Vasa dhe Ismail Qemali shërbenin në Bejrut, ka qenë më e arta për emigracionin shqiptar në Liban. Në të tjera hulumtime, gazetari libanez, adhurues i Shqipërisë, ka ndriçuar një sërë veçorish të figurave historike me argumente e dëshmi autentike. Me emrin e Mobarakut është i lidhur zbulimi i varrit të Shanishasë, motrës së Ali Pashë Tepelenës në Libohovë, falë vullnetit të tij në përkthimin e epitafit nga arabishtja e vjetër. Shqiptarët që kanë pasur rastin ta takojnë e të njihen sadopak me veprën e tij, veçojnë studimet për Skënderbeun, Muhamet Aliun, Faik Konicën, Ahmet Zogun etj.

AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura