“Në demaskimin para popullit në fshatin Tale, kundër meje foli…”/ Dëshmia e ish-deputetit për gjyqin publik

Oct 20, 2020 | 15:09
SHPËRNDAJE

Publikohet historia e panjohur të Esat Myftarit me origjinë nga Peja, i cili që në bankat e shkollës së mesme kur ishte anëtar i një grupi djemsh të rinj që kundërshtonin politikën e Beogradit zyrtar ndaj politikës diskriminuese që ushtrohej ndaj popullsisë shqiptare që jetonte në trojet e veta, filloi punë si gazetar te “Rilindja” e Prishtinës nga ku u propozua për korrespodent i Agjensisë TANJUG, por e refuzoi atë dhe në vitin 1963 u detyrua të arratisej dhe të vinte në Shqipëri, me synimin për të kërkuar ndihmë dhe përkrahje nga shteti amë, për organizatën klandestine të “Djemve të Pejës”.

.Peripecitë e shumta në shtetin amë dhe ndjekjet e vazhdueshme të Sigurimit të Shtetit që gjatë kohës së studimeve në Tiranë dhe periudhës kur shërbente si arsmitar në qytezën e Shëngjinit e fshatrat e Bregut të Matës, ku dhe u arrestua në vitin 1975, pasi kishte kërkuar zyrtarisht riatdhesimin në vëndlindjen e tij Kosovë, duke e dënuar me dhjetë vite burg me akuzën për “agjitacion e propagandë”, të cilat i vuajti në kampin e Spaçit. E gjithë historia e dhimbëshme e gazetarit, publicistit, studjuesit, përkthyesit, deputetit dhe diplomatit, Esat Myftari, është e përshkruar me një mjeshtëri nga ana letrare në librin e tij, “Vdekja jote, jeta ime” një roman autobiografik që sapo ka dalë nga shtypi nga Shtëpia Botuese “Lena Graphic Desing” e Prishtinës, dhe me lejen e autorit, do publikohet pjesë pjesë nga Memorie.al

esati

Historia e panjohur e gazetarit, publicistit e shkrimtarit Esat Myftari

Esat Myftari  lindi më 16 qershor të vitit 1940, në qytetin Pejës në Kosovë, prej nga është dhe origjina e hershme e familjes së tij. Mësimet e para të shkollës fillore, 7-vjeçaren dhe gjimnazin, i kreu në vendlindjen e tij, duke i përfunduar ato në vitin 1959. Po në vitin 1959, Esati, djaloshi i ri, 19 vjeçar, filloi studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit. I dashuruar pas historisë dhe letërsisë, fillon të shkruaj që në moshë të re kur ishte në bankat e shkollës 7-vjeçare dhe në periudhën e fakultetit, bëhet anëtar i Klubit Letrar “Përpjekja” me seli në Qytetin e Studentit të “Beogradit të Ri”, ku afirmohet shpejt dhe here mbas here, shkruan poezi e vështërime kritike letrare, por për shkak të përmbajtjes së tyre, nuk i dërgon për botim.

Në vitin 1961, mbasi kaloi me sukses konkursin përkatës, Esati filloi punë si gazetar në të përditshmen e krahinës së Kosovës, “Rilindja”, ku caktohet të mbulonte kronikën e qytetit të Prishtinës dhe Sindikatat e Kosovës. Po atë vit, i ofrohet një bursë kualifikimi, pranë Agjencisë Jugosllave “TANJUG”, me perspektivën për t’u bërë korrespondent jashtë Jugosllavisë së asaj kohe. Por gëzimi i tij për atë bursë kualifikimi që ishte destinuar për ta dërguar atë në botën e jashtëme, u shua shpejt, pasi specializimi që i ofrohej kishte si kusht antarësimin e tij në Lidhjen Komuniste të Serbisë, gjë të cilën Esati 20 vjeçar, e refuzoi në mënyrë kategorike.

Ndërkohë në vitin 1963, merr pjesë në një grup djemsh të rinj që nuk pajtoheshin dhe ishin kundër politikës që ndiqte Beogradi zyrtar ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe kudo ku ata ndodheshin në trojet e tyre nën Jugosllavi, dhe në emër të “Grupit klandestin të Pejës”, si përfaqësues i tyre, kalon kufirin ilegalisht dhe vjen në Shqipëri. Qëllimi Esatit si përfaqësues i “Grupit ilegal të djemve të Pejës”, ishte për të vendosur kontakte me shtetin shqiptar dhe për të kërkuar mbështetje e ndihma të ndryshme, për mirëfunksionimin e atij grupi djemsh të rinj, që synonte t’i bënte rezistencë politikës diskriminuese të Beogradit zyrtar ndaj popullsisë shqiptare në Jugosllavi.

Në vitin 1974, një pjesë e anëtarëve të këtij grupi arrestohen nga autoritetet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendëshme jugosllave, duke u akuzuar si pjesmarrës në manifestimet e vitit 1964, kohë kur u shpalosën flamujt kombëtar shqiptar nëpër qytetet kryesore të Kosovës dhe kur u ndërmorrën masa të rrepta policore e gjyqësore ndaj tyre. Motoja kryesore e kësaj lëvizjeje masive që ishte dhe e para e këtij lloji në Kosovën e mbasluftës, ishte bashkimi i trojeve shqiptare me shtetin e tyne “amë”, Shqipërinë.

Ndërkohë Esati që ndodhej në Shqipëri, ashtu si edhe disa nga bashkëatdhetarët e tij emigrantë kosovarë në Shqipëri, fitoi një të drejtë studimi dhe në vitin 1965, fillon studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, në degën “Bio-Kimi”. Mbas vitit të tretë të studimeve, i zhgënjyer nga politika zyrtare e regjimit komunist të Enver Hoxhës si dhe trajtimin që u bëhej emigrantëve kosovarë në Shqipëri, të cilët me ardhjen e tyre në në atdhëun amë, dukej se “nga shiu kishin rëndë në breshër”, i ndërpret studimet dhe kërkon riatdhesimin!

Natyrisht kjo gjë nuk i’u aprovua nga Tirana zyrtare dhe në vitin 1969, Esati fillon punën si arsimtar në shkollën 8-vjeçare të qytezës së Shëngjinit, në rrethin e Lezhës, ku punon deri në vitin 1974, nga ku e transferojnë në fshatin Tale të Bregut të Matës, ku ai gjithashtu punoi me përkushtim. Ashtu si gjatë gjithë periudhës që ishte me punë dhe banim në rrethin e Lezhës, Esati survejohej rregullisht me të gjitha mënyrat nga organet e Sigurimit të Shtetit, edhe në atë shkollë ku thuhej se atë e kishin dërguar me qëllim, pasi i frikësoheshin një arratisje të mundëshme të tij për në Jugosllavi nga Shëngjini, ai arrestohet dhe dënohet me 10 vite heqje lirije, i akuzuar për “agjitacion e propagandë ndaj pushtetit popullor”!

Pasi kryen dënimin e plotë duke vuajtur atë në kampin e Spaçit etj., (duke mos përfituar asnjë ditë ulje dënimi), Esati lirohet prej burgut politik në vitin 1985 e kthehet në rrethin e Lezhës ku kishte punuar dhe jetuar para dënimit dhe në vitin 1986, fillon punë si punëtor në Fabrikën e Letrës në Lezhë. Po atë vit krijon familje dhe më pas i lindin dy djemtë.

Në vitin 1990, në fillimet e pluralizmit, Esati merr pjesë aktive në lëvizjet popullore për përmbysjen e diktaturës komuniste në Shqipëri dhe që me krijimin e degës së Partisë Demokratike për rrethin e Lezhës, në fillimin e vitit 1991, për të kaluarën e tij dhe kontributin e madh në fillimin e atyre protestave popullore, ai zgjidhet sekretar i asaj dege.

Po kështu si rezultat i atij kontributi, në zgjedhjet e para pluraliste të 22 marsit të vitit 1991, Esati zgjidhet deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin Popullor, duke përfaqësuar aty zgjedhësit e Bregut të Matës, ku kishte punuar si arsimtar deri ditën e arrestimit në vitin 1975.

Një vit më vonë, në vjeshtën e 1992-it, emërohet në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Diasporës, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë që kryesohej prej ministrit, Alfred Serreqi. Në atë detyrë, Esati punoi me përkushtim deri në vitin 2000, kur u emërua në funksionin e diplomatit pranë Ambasadës Shqiptare në Riad, ku ai qëndroi deri sa doli në pension.

Që nga ajo periudhë kohe, Esati i kushtohet pasionit të tij, shkrimeve, studimeve dhe përkthimeve dhe që nga viti 2011, ai fillon të botojë disa libra, të cilët janë mirpritur nga kritika dhe lexuesit, edhe për shkak të tematikës së tyre, si dhe variantit të gegërishtes që ai ka shkruar ato, gjë e cila ndeshet shumë rrallë në botimet shqiptare, të shtetit amë!

Libri i parë i botuar nga Esat Myftari është “Emrush Myftari”(monografi), dhe pasi tij vijnë: “Kosova dhe Enver Hoxha” (studim), “Profili politik i Esat Mekulit” (monografi), si dhe “Vdekja jote, jeta ime”, i cili është një roman autobiografik, ku ai ka përshkruar me një mjeshtëri dhe në mënyrë kronologjike pjesën më të madhe të jetës së tij, që nga familja dhe jeta në Kosovë si gjimnazist, arratisja në Shqipëri, peripecitë e shumta nga survejimet e përndjekja e Sigurimit të Shtetit, arrestimi, hetuesia, gjyqi dhe dërgimi në burgun e Spaçit.

Të gjitha ngjarjet dhe çdo gjë që përshkruhen në librin “Vdekja jote, jeta ime”, janë reale dhe personazhet aty paraqiten me emra dhe mbiemrat e tyre konkretë, ndërsa vetëm ata persona që ndikuan për keq në jetën e tij, (kryesisht, ata të organeve të Ministrisë së Punëve të Brendëshme të asaj kohe, si punëtorë operativë, hetues, policë, titullarë të Ministrisë së Punëve të Brendëshme e të Degës së Punëve të Brendëshme të Tropojës, Lezhës, dëshmitarët në gjyqin e tij, etj.), autori u ka ndryshuar vetëm emrat, duke i dhënë ata me mbiemrat e tyre të vërtetë.

                                                  Vijon nga numri i kaluar

       Pjesë nga libri “Vdekja jote, jeta ime”, i autorit, Esat Myftari

Sallën me ulse të ngushta e të vjetra, që rrënkonin në çdo prekje të tyne, e gjeti mbushë me kooperativistë e arsimtarë që do t’i jepnin përmbajtje kësaj shfaqjeje. Me atë shikimin e shpejt e të papërqëndruem – në mendjen e tij këta duhej të ishin turma e yshtun – ai dalloi vetëm dy-tre ftyra të njohuna kolegësh me të cilët pothuej çdo ditë kishte luejtë ping-pong në aneksin e shkollës. Të tjerët i kishte mbulue cerga e hutimit e tymnaja e të panjohunës.

Ridvani u lëshue qëllimisht me tanë peshën e vet mbi ulsen. Deshi t’u jepte me kuptue të tjerëve se kishte ardhë me vullnet të gjallë dhe se ajo që pasqyronte ftyra e tij e tretun dhe e verdhë ishte vetëm nji gjendje e përkohshme e mashtruese.

Në tavolinën përballë qenë ulë të dy hetuesit dhe kryetari i koperativës, ish nxanësi i tij i “shkollës së natës”, të cilët do të drejtonin këtë proces me emën të çuditshëm, për mos me thanë ilegjitim, sepse kjo fjalë prej kohësh kishte humbë në këtë vend çdo kuptim. Thuhej se hetuesitë popullore baheshin në dy raste: kur mungonin provat e mjaftueshme për gjyqin e rregulltë, ose kur i pandehuni në saje të thashethemeve a fantazive, kishte fitue në prestigj dhe sillej aty për ta profanue me vogëlima shembujsh të pavlerë.

Fjala e hetuesit: E sollëm këtu ish arsimtarin e kolegun tuej, emigrantin jugosllav, Ridvan Myftarin, për veprimtarinë e tij armiqësore…!

Drejtimin e mori kryehetuesi që tha:

– E sollëm këtu ish arsimtarin e kolegun tuej, emigrantin jugosllav, Ridvan Myftarin, për veprimtarinë e tij armiqësore e të pabesë, në dëm të Partisë e vendit tonë. Prandaj, ju ftojmë të na tregoni me siqeritet e me fakte gjithçka që dini për pikëpamjet dhe veprimet e tija të kundraligjshme.

Fjala e tij qe jo vetëm e shkurtë, por edhe pa ndonji nerv. Kaq shpesh e kishte përdorë këtë stampë gjatë jetës së tij profesionale, sa edhe atij me gjasë po i shkaktonte pothuejse neveri. Por të tjerët që po i dëgjonin këto shprehje kaq të rëndomta – në kundërshtim të plotë me çfarë kishte perhap operativi i zonën nëpër njerëz – po hutoheshin e zhgënjeheshin.

Ngurimi i të pranishëmve zgjati ma shumë se sa pritej, megjithëse dëshmitë ishin të parapërgatituna e dëshmitarëve nuk u kishte mbetë tjetër veçse me hy në rol.

– Hë, pra…, u tha kryehetuesi, – thoni çfarë keni për të thënë.

– Atëherë, unë po e thyej akullin!

Ridvani e kuptoi se mbrapa krahëve të tij e kishte marrë fjalën mësuesja Drane.

– Unë e njoh mirë Ridvanin, nisi ajo, sepse kemi punue bashkë në Shëngjin. Ai gjithmonë ka qenë ambicioz, donte me çdo kusht me fitue në ping-pong; me qëllim goditjet i kishte të shkurta e të plogta, për ta bezdis e lodhë kundërshtarin; madje u ba kampion shkolle me hile të këtilla; edhe në shah, po kështu, e donte fitorën me ngulm, vetëm në futboll ishte pak ma ndryshe, siç thuhej prej të gjithëve! Kam edhe diçka tjetër, që për mue ka domethanje të madhe: si spjegohet që deri në prillin e vitit ‘70 ai vishte pantallona doku në të grisun e kur ulej dimnit në dhomën e arsimtarëve i mbulonte gjujtë me cepat e pardesysë që të mos dukeshin pejzit. Por, kur i erdh e ama për vizitë, ai na u kthye në Shengjin i veshun kreko, me kostum të qepun në “Beko” të Beogradit, me jo ma pak se 16 këmisha që filloi t’i shpërndante si dhurata ndër shokë. A nuk ishte kjo nji propagandë e hapun figurative, për të tregue humnerën që ndan Jugosllavinë nga Shqipëria?

Kryehetuesi, i cili e njihte fare mirë rastin e nanës së Ridvanit – ndër materialet e ardhuna prej Qendrës në Tiranë ishte edhe raportimi i informatorës së shtrueme në dhomën e saj për këtë qëllim – e priti turrivar arsyetimin e saj dhe bani vërejtjet e paprituna për të pranishmit: shoqja Drane, nëna doemos që do ta gëzonte të birin me diçka dhe e dyta, kush nuk e dëshiron fitorën në lojë, ajo prandaj luhet me frymë gare. Ke gjë tjetër për të shtuar?

– Ah, po – vazhdoi ajo – gadi harrova. Nji natë po ndigjoja nji monolog të gjallë në dhomën përbri times dhe thashë të shikoja se kush kishte ardhë, mëqe dera e tij shpesh hapej e mbyllej natën, nuk e di prej kujt. Dola dhe vuna vesh. Ai vazhdonte me folë me copa, por po kapja vetëm zanin e tij. U bana tejmase kureshtare. Mendova: kush do të jetë personi që nuk po pranonte t’i përgjighej? Trokita në derë dhe, kur u hap ajo, pashë vetëm nji mace shtri mbi krevatin e tij që sodiste si idiote rreth e qark. T’ju thomë të drejtën më erdh keq për të e, për ta mbulue emocionin tim, i kërkova kot një libër. Ai e gjeti në bibliotekën e tij dhe, kur ma zgjati, më tha me një nënqeshje ironike: Besoj se do ta shfletosh.

– A janë të vërteta këto i pandehur? – pyeti kryehetuesi në fund.

Ridvani u mendue nji grimë herë, iu kujtue se ajo ishte rritë majë nji shkambi me pamje nga deti dhe se rastësisht kishte gjetë strehë në nji shkollë të mesme të dorës së dytë, ku kishte përvetësue nja pesë-gjashtë rregulla të nji gjuhe tashma disfunksionale për vendin. Kaq ishte fondi i saj që e kishte rrasë me zor në thesin e vet të ngushtë, por që eprorët e saj e kishin quejt të mjaftueshëm për ta caktue edukatore e mësimdhanëse në këtë fshat të largët e të mënjanuem.

– Lëshoje teposhtë! – tha Ridvani dhe se përse qeshi me za të mbytun: në të vërtetë pati nji keqardhje të thellë për ata fëmijë të mrekullueshëm e të squet që orën e saj të rusishtës e kthenin në palestër lojnash dhe që do të dëshironin ta kishin ma shpesh në javë se sa atë mësuesin e matematikës që rropatej me ta me nji zell të pashpërblyem.

Kryehetuesi mezi po e mbante vetën, sepse e kuptoi se nuk duhej ta kishte zgjedhë nji dështmitare si ajo.

– Mirë Drane, mirë, faleminderit! – i tha dhe, për t’ia mbyll përfundimisht gojën, pyeti me ngut: Kush tjetër e do fjalën? Po, shoku drejtor!

Drejtor Zefi: Ridvani vinte në tabelën e nderit nxënës nga familja kulake…!

Zani i drejtor Zefit, nji bas i pa-ambelcuem me asnji hollim emocioni e gati i harruem, i erdh në vesh buçitës e çpues njiherit, ndoshta pse ndodhej shumë afër, nji rresht mbrapa tij.

– Në kandin e kuq të klasës ku ishte kujdestar arsimtar Ridvani, foli ai, kishte vu fotografi nxanësish nga familje të prekuna kulakësh. Ata nxanës vërtetë ishin të dalluem në mësime e sjellje, por ai e dinte se nuk lejohej të reklamoheshin. Fundja, ata do të mbaronin nji tetëvjeçare dhe do të përfundonin koperativistë. Pra, kujt i shërbente kjo që bante ai? Sigurisht, për të treguar se sistemi jonë i mbytë që në vezë talentet, se këtu përdhunohet edhe vetë natyra?! Prandaj qeshë zemruar me të dhe na u deshë të ndërhynim sepse ai refuzoi t’i hiqte ato fotografi me dorën e tij. Madje më ofendoi kur tha se “unë nuk ndërhyj në fatin e këtyne engjejve të pafajshëm, qofsh ti që i mëkon qysh tash me këto lloj komplekse”. Jo unë, ia ktheva, por Partia na mëson të jemi konsekuentë e vigjilentë! Vetëm kur ia kujtova partinë ky e mbylli gojën se kush e di ç’farë bollash të tjera do të nxirrte prej gojës së tij.

– E vërtetë, i pandehur? – pyeti kryehetuesi.

– E vërtetë, pohoi Ridvani, përveç atyne bollave që dëshiron t’i kalojë prej plancit të vet në timin!

– Tjetër shoku drejtor? – pyeti kryehetuesi.

– Jo, sepse mbas këtij incidenti mua më transferuan e s’kam pasur kontakte më me të, por besoj se të tjerët do ta plotësojnë kuadrin.

– Faleminderit shoku drejtor.

Doktor Frroku: Ridvani thoshte se edhe kafshët kanë ndërgjegjie…!

Duket se fjalët e tij e nxehën atmosferen. Fill mbas tij e mori fjalën Doktor Frroku, nji burrë esmer e flokëkaçurrel që dallonte kaq shumë në pamje prej këtyne malësorve. Ridvanit i erdh mirë që do të diskutonte edhe ky, meqë ata ishin konfliktue botnisht në orën e edukimit ideologjik. I doli parasysh ora ku doktori qe turpnue prej tij në mënyrë shembullore, ndaj e quente të nokautuem përgjithmonë. Skena që i erdh para syve, madje me tone ma të ndezta, qe zhvillue kështu: në prag të arrestimit të tij, nga shkolla kishin raportue – thuhej se këtë gjë e kishte ba doktori – se Ridvan Myftari ka pohue që edhe kafshët kanë ndërgjegje. Raporti qe nisë në komitetin e partisë së Lezhës dhe kishte ngjallë shqetësim. Por meqë dyshonin në vërtetësinë e tij, për mbledhjen e ardhshme dërguen për ekspertizë Doktor Frrokun bashkë me shefin e financave që mbahej si ideologu i asaj zone. Ridvani, i ndërgjegjshëm se do të kishte përplasje, sajoi nji kurth të vogël grotesk: broshurën me pjesë nga “Ideologjia gjermane” të Engelsit e studjoi mirë, nxori prej saj disa shënime me formulime pak ma të ndërlikueme për leximin e ndigjimin e parë, kurse broshurën e futi në xhepin e mbrendshme të xhaketës. Në diskutimin e tij ai riprodhoi përmbajtjen e disa prej këtyne shënimeve dhe në mbyllje tha: kështu thuhet në “Ideologjinë gjermane”.

Kaq i qe dashtë doktor Frrokut që të kcente prej tavoline si zorra n’prush:

– E shikoni kolegë, prej kohësh ju kam thënë të bëni kujdes – thoshin se qysh kur qe zgjedhë sekretar i organizatës së partisë për studentët e fakultetit të mjekësisë, atje, në Tiranë, ai fliste vetëm në hiper-tosknishte dhe bante përpjekje titanike që të mos i shpëtonte ndonji fjalë a lokucion gegë mbasi atëherë do të zbulohej se ishte nji copë katunari – ju kam thenë se ky ushqehet me literatureë borgjeze dhe vjen këtu e na shet mend si një i ditur, kur s’është veçse një dështak i padiplomuar. Por ne nuk do t’i lejojmë këtij birboje të kullosë si t’i dojë qejfi. Siç ka thënë shoku Enver, “nuk do të lejojmë që në Shqipërinë tonë të dashur të hyjë e të dalë derri e dosa”.

Kur e pa Ridvani se trupi i arësimtarëve kishte mbetë gojëhapun me sulmet e doktorit dhe se në gjendjen e krijueme do t’u kërkohej të shfaqnin mendimet e tyre, Ridvani vendoi me ndërhy e me i çlirue kolegëët nga stërpikjet e tij:

– Më vjen keq për këtë qëndrim të doktor Frrokut. Këto që thashë janë marrë vërtetë prej ideologjisë gjermane që në mendjen e tij po tingëllojnë si herezi, por, ju lutem, më falni për nji moment! Ridvani futi dorën në xhepin e xhaketës, nxori prej andej broshurën e iu drejtue të pranishëmve: e shikoni autorin e kësaj broshure? Ky asht pra Frederik Engelsi, shoku i ngushtë i Marksit, klasik i marksizëm-leninizmit, të cilin ne e mbajmë nalt në çdo manifestim dhe asht shtypë në shtëpinë tonë botuese “Naim Frashëri”, Tiranë. Atëherë, ç’faj paskam unë?

Por tash, kur po e shikonte Ridvanin, simbas tij përfundimisht të shembun në hendek, ai nuk shfaqi asgja prej atyne kapardisjeve të maparshme, madje, me nji za pothuej kantilene, u shpreh:

– Më vjen keq që ky burrë Kosove përfundoi kështu. Sigurisht që ai ka bërë gabime të rënda – kjo është e qartë për të gjithë ne – duke mos i lënë partisë sonë zemërgjërë mundësi tjetër frenimi të tij. Por shpresoj se, atje ku do të shkojë, do të reflektoj dhe mbas riedukimit do të na kthehet i riabilituar.

Kaq tha dhe u ulë.

Kryehetuesi e Ridvani nuk nxorën asnji fjalë por qeshën me nënkuptime në të njejtin çast, sikur të qe shkel një sustë e përbashkët. Në të vërtetë, secili prej tyne kishte parasysh pamjet e veta të këtij hipokriti provincial. Kryehetuesit i kujtohej mënyra se si doktori i kishte fërkue duert prej kënaqësie kur e pati thirrë në zyrë për ta formalizue kallximin e tij, kurse Ridvanit i tingllonin ende në vesh kërcnimet e tij mbi mësueset e shkreta që të largoheshin prej tij, si prej nji virusi të kulturës dhe interesave të hueja për ta e vendin.

I vetmi “dëshmitar” që u prit me kurreshtje të njimend prej Ridvanit, qe poet Ibrahimi, në proces formimi si i tillë, dhe të cilin e çmonte si bashkëbisesues letrar, ndonëse kishin dhjetë vjet ndërmjet. Ai tashma kishte botue përmbledhjen e parë të poezive, kritika e kishte ekzaltue si zambak të nji toke të thatë, madje kohëve të fundit i kishin premtue se mund ta zavendësonte redaktorin e faqës kulturore të gazetës “Zëri i Popullit”, mbasi ish redaktori, po ashtu poet, tue qenë i afërt me intelektualët liberalë, u kishte pasë hapë atyne hapësinë të shpërpjesëtueme në organin partiak. Poet Ibrahimi, me dëshirën për të ba fërk prej të tjerëve që po pengoheshin nëpër shembuj pak fajsues, u kap për dy momente disi ma të spikatun e në përputhje me legjendën që po thurrej rreth tij. Ai ligjëroi me fjalë ma të zgjedhuna se të tjerët:

Poet Ibrahimi: Ridvani lexon te deri në orët e vona dhe libri që pëlqente më shumë ishte…!

“Në dhomën e të pandehurit (po nguronte me i’u drejtue me emën) dritat rrinin ndezë deri në orët e vona të natës. Këtë e vëja re mirë e shpesh, mëqe shtëpia ime është përballë shkollës. Të gjithë e dinim se në atë dhomë dëfrehej e vallëzohej shpesh, gati për çdo mbrëmje. I pandehuri një herë më pati thënë se në atë mënyrë po vrisnin limontinë e jetës në fshat e larg familjeve, ndonëse njerëzia vazhdonin të përshpërisnin se aty luheshin edhe gjëra të tjera…?! Kurse libri që ai pëlqente më shumë e prej të cilit më pati përkthyer disa fragmente të shkurta mbante titull intrigues: “Mbi dashurinë”. Më pati siguruar që përmbajtja ishte e mahnitshme dhe se trajtonte evolucionin dhe format e dashurisë në rrjedhë të kohës, pra transformimet që e ndiqnin atë në përputhje me zhvillimin e shoqërisë njerëzore. Mua më pati ra në sy nji vinjet nga ato të kohës kur piktorët persianë po hidhnin hapin e guximshëm reformues për t’i zbutë rregullat e rrepta të doktrinës sunite. Vinjeti paraqiste nji grue ulë në prehrin e nji burri, çka mua më shembulloi me nji skenë pornografike, tipike orientale. I bëra vrejtjen e rastit, por ai ma ktheu shkurt: Po fantazon kot, o Ibrahim! Pas kësaj, më foli për priftërijtë paganë të Egjiptit të lashtë, të cilët praktikonin zakonin e jus prima noctis. Hajde qejf o qejf, pati murmurit i pandehuni. Dhe më informoi se synetia, si model pastërtie e shëndeti, përdorej prej tyre, shumë kohë para se te ebrejët dhe myslimanët. Mbaj mend edhe talljen e tij me shoqninë sovjetike. Më tha se në atë hov të parë pothuaj të paarsyeshëm të revolucionit fitimtar, qe vendos të zbatohej parimi i Engelsit që thotë se, kur dashuria e nji çifti në martesë merr fund, atëherë nuk është më e moralshme që ata të jetojnë edhe më tutje bashkë. Ky parim qe diskutue në Dumën ruse dhe që kthye në ligj. Si rrjedhim, procedurat e divorcit qenë thjeshtëzuar deri në skaj: mjaftonte një kartolinë me të cilën njoftohej kryeplakun i lagjës apo i katundit, dhe gjithçka kryhej automatikisht. Por shpejt u pa se pasojat ishin katastrofike dhe ligji u abrogue me ngut, ashtu sikurse qe miratuar. Faji iu la Engelsit beqar që nuk e paskësh njohur jetën martesore. Përfundimi, më pati thënë i pandehuri, është fare i thjeshtë…disa ligje të natyrës duhen respektue, prandaj edhe ateizmi nuk mund të dekretohet! Kaq kisha, zoti kryehetues”.

– Faleminderit, shoku Ibrahim, na dhe dëshmi shumë të vyer. Po i pandehur, fol! – tha, kur vu re se Ridvani kishte ngrit dorën instiktivisht për t’iu përgjigj

Ridvani, dukshëm i prekun, foli si për vete:

– Ibrahim, poezia do sinqeritet…të pata trajtue si nji vëlla të vogël. Turp e mjerim për këto që the!

Efekti i fjalëve të Ridvanit qe i madh, kush s’po piptinte. Heshtja do të zgjaste edhe, por nga fundi i sallës u ndigjue pyetja me za kumbues e zemrak.

I internuari Can Agolli, njeriu i vetëm që mbrojti Ridvanin…!

– Jam Can Agolli, i kolonisë së re. A më lejohet të thomë edhe unë nja dy fjalë?

Të gjithë të pranishmit u kthyen me ftyrë kah ai.

– Patjetër – iu gjegj kryehetuesi, gati i gëzuem për përfshimjen e tij në këtë hetuesi.

– Unë Ridvanin e njoha përciptas gjatë këtyne pak muejve që jam këtu. Siç dihet, organet shtetnore, me urdhën të posaçëm, na kanë sjellë për riedukim. Por njerëzit që gjetëm këtu po tregohen shum ngurrues ndaj nesh, kështu që mezi bisedojmë me ta. Kujtoj se ka mjaft paragjykime për ne. I vetmi njeri që na ka pritë me zemër të bardhë e të hapun, që na ka dhanë njohje e shoqni, që na ka ofrue dinjitet e libra, asht arsimtar Ridvani. Kam ardhë këtu që për pjesën time e të shokëve t’i shpreh mirënjohjen tonë. Të tjerat ju përkasin juve të nderuem hetuesë dhe ish kolegëve të tij me të cilët ai ka jetue e punue.

Ky fllad moral sikur e dëboi ajrin e ndotun të asaj hapësine të ngushtë e perverse. Ridvani e përshëndeti me mendje guximin e tij dhe i erdh mirë që e ndigjoi me veshë të vet këtë mirënjohje. Veç kësaj, gëzimi i tij ishte i madh edhe pse kjo mirënjohje po vinte prej nji bashkësije për të cilën ai vërtetë kishte tregue empati qysh ditët e para, por gjithçka qe zhvillue natyrshëm. E, megjithatë, kishte nji diçka ma të thellë në të dy palët: Can Agolli ishte pjesë e “kolonisë” së delikuentve kryeqytetas, që nji ditë të bukur pranvere i shkarkuen me kamiona dhe i trusën afër detit, në nji mjedis të rrethuem me pisha.

Ishte nji lloj eksterritorialiteti të rijsh të pandigjueshëm e të dyshimtë por, me sa kishte marrë veshë, përgjithësisht prej familjesh të rregullta qytetare. Zyrtarisht u ishte kumtue se ata ishin mbeturina të shoqnisë që prishnin moralin e rregullin në kryeqytet, të rinj që në moshën e tyne nuk njihnin tjetër përveç bixhozit, që si bracë e dinakë kishin prishë rahatinë e udhëtarëve nëpër autobusë, që merreshin me pëllumba si djerraditës që ishin; se shteti kishte mendue të ndërtonte për ta nji lloj instituti Makarenko, fillimisht pa edukues, por me premtimin se nji ditë aty do të ngulej piketa e institute që, me kohë, do të merrte shtrimje e funksione të reja. Fshatarët i morën të mirëqena këto cilësime zyrtare prandaj po rrinin larg tyne. E vetmja gja që binte ndesh me këto vlerësime ishte pamja e tyne e jashtme: djemë si të zgjedhun për bukuri e shkathtësi, me seder e kryenaltë, që dalëngadalë po rrezatonin qytetari e humor të hollë, që po fitonin simpatinë e koperativisteve të lidhuna me punimin e tokës, me rendimentët e pashpërblyeme dhe përballjen me pasojat e nji hipoteke klasore.

Kurse, për shijen e tij, këta djemë përbanin variantin ma të papritun e të pëlqyem në atë mjedis që po bahej gjithnji e ma i amulltë. Shpesh, deri në dhomën e tij, vinte jehu i mekun i kangëve të moçme qytetare me të cilat qe rritë në Pejë. E, kur gërmoi pak në pedigrenë e tyne, doli se nji pjesë e mirë e tyne ishin bij refugjatësh kosovarë e dibranë të ikun prej mizorive serbe në kohë të ndryshme, ose bijë të të përsekutuemve politkë të të gjitha viseve shqiptare, por që ende nuk kishin mbërri me u shkri me trupin vendas; me këto kangë plotë nostalgji ata mbushnin vetminë e Ridvanit dhe e nxisnin me u zhytë në persiatje trishtuese mbi magmën e nji kombi ende në formim e sipër. Këto kangë qytetare, me fjalor e vijë melodike gjysëm të harrueme, kishin pësue vetë fatin e tyne, ndaj, me sa dukej, ata i këndonin përnatë edhe si nji fidë politike.

Hetuesia popullore, që e kishte kujtue si nji golgotë midis njerëzish të frymë në veshë, i doli pothuej si nji zbavitje e me shumë kuptim.

Kur e kthyen në birucë, ndjeu lehtësim të madh sepse u bind se figura e tij, sidoqoftë, kishte mbetë e pa nisun dhe se, dëshmitë e shqiptueme përbanin nji turp e dështim për dy hetuesit, Gjolekën e Grigor Selenicën.

BERBERI

 a) Ditën e arrestmit

Njenji prej vendasve që në jetën civile Ridvani kishte pëlqye ishte berber Nasufi. Ai ishte nji filiz esnafi ende i gjallë si frymë, trupvogël e me mustak të hollë, gjithnji pedant e fjalëpak. Qysh në vizitën e parë Ridvani e pati pëlqye pastrinë e tij trupore dhe atë të dyqanit. Përgjithësisht ai ishte tip i heshtun, sidomos kur ndodhej përjashta, në rrugë apo në shoqni me miq. Por, mbrenda floktorës së tij, ai e hiqte pa u ndje maskën e heshtjes së tij dhe ishte në gjendje me nisë kuvende nga ma të ndryshmet e me nji gjuhë mjaft të ambël. Veç kësaj, kishte edhe nji prirje të çuditshme: mendimet për njerëz e për ngjarje i shoqnonte me emna, detaje dhe, po të kërkoje, edhe adresa, aq sa të dukej se asht nji enciklopedi e vogël shëtitëse e asaj zone. Kështu, prej tij, ma shum se prej të tjerëve, ai e kishte mësue historikun e portit me emën të madh e të lashtë, por, tash e sa kohë, me zhvillime të vogla e aksidentale.

Berber Nasufi, me punën e tij të dytë në qelitë e të arrestuarëve…!

Berber Nasufi ishte nji anas, me plogshtinë karakteristike të njeriut që hiqej si i mënjanuem prej vërshimit të ardhsëve. Dikur mbi atë hapësinë mbizotnonte Shkodra, por në mënyrë të butë: me gjuhë, me muzikë, me arsim, me administratë pushteti vendor e me nënpunësa banke. Kurse mbas luftës, siç thoshte ai, me dyndjen e jugorëve, si të besueshëm të regjimit dhe me ndërtimin e bazës ushtarake, rrezja qe zgjatë e prekte të gjitha degëzimet sociale dhe administrative prej tyne. Roli heroik i këtij lloj anasi ishte të shërbente me korrektësi, pavarësisht nga profesioni ose përgatitja, dhe të kishte të montueme mirë nji buzëqeshje, qoftë edhe të pasinqertë, por doemos jo të ftohtë. Temat që berber Nasufi po i trajtonte me të, gjithnji e ma shumë po i tejkalonin afëtësit e tija intelektuale dhe herë mbas here po shfaqeshin me formulime disi të rrezikshme: kishte në to të dhana e mendime që Ridvani i kishte ndigjue edhe ngjeti, por kryesisht ndër miq të vet të besueshëm e të sprovuem.

Në këso rastësh Ridvani kishte zgjedhë rrugën e mesme: as pohonte, as mohonte por vetëm ndigjonte ose lëvizte me krye pohueshëm apo mohushëm, sepse e dinte se këto kuptime nuk mund të zbardheshin për askend. Në të vërtetë ishte zakon i njohun i berberve me tregue ngjarje dhe intimitete njerëzore me deshirën e pafajshme për ta kthye vizitorin e rastit në klient të përhershëm. Po kjo gja i pati ndodh edhe në Pejë: kur pat shkue për herë të parë me i ra brisk fytyrës – ishte maturant aso kohe – berberi e kishte mbajtë me kuvend e shaka rreth burrnimit të tij dhe nevojës për ta kremtue këtë çast me nji vajzë të bukur e rishtare.

Jashtë këtij mjedisi, si dihet, berberi asht kudo nji qytetar i rëndomtë, i heshtun, që kalon rrugëve si hije, që nuk le gjurmë dhe që të duket se nuk i hyn kujt në punë. Prandaj, ditën e nesërme të arrestimit, Ridvani pati mbetë i shtangun kur në hapësinën e nevojtorës pa berber Nasufin kah po e priste ulë në karrike, me bluzën e tij të bardhë dhe krehjen e tij të kujdesshme të flokëve, veçse pa atë aromën e livandos bullgare për të cilën i qe lavdue përpara. Ose hundët e Ridvanit qenë zanë e nuk thithnin ma kurrfarë arome. U shtang, sepse nuk e dinte se ai bante këtë lloj pune të dytë (nuk i kishte ba as aluzionin ma të vogël për të), në të këtilla hapësina mbytë amoniakut. Ata vetëm qenë pa sy më sy për nji copë herë pa ndonji kryqëzim a shkëndijë urrejtjeje.

Dita e parë: makina e qethjes filloi me ladrue nëpër rrashtën e rregullt të Ridvanit. Prej andej, si prej nji qielli mbush me re të zeza, po binin bashkat e flokëve të tij. Ondet e lehta të atyne flokëve qëndruen edhe ndonji minutë mbi mbulesën e bardhë deri sa ranë për tokë dhe nji curril i kadaltë uji i mori me vete e i fundosi përtej buzëve të verdha të sifonit për t’i shoqnue me rrjedhën e ujnave të tjera të zeza. Ridvani at ditë ndjeu nji gjamë të mbytun në gjoksin e tij pse e dinte që të paktën për nji dhjetvjeçar ato nuk do të lejoheshin me u rritë, pra, për nji kohë të papërcaktueme kryet e tij do të dukej si tokë e djegun, por, edhe kur këta flokë të fitonin lirinë ashtu si edhe trupi e gjymtyrët e tij, ato do të dukeshin ndryshe, pa ndonji feks joshjeje, çka do të thoshte se atë ditë po ndahej përgjithmonë me nji aspekt të rinisë së vet.

Mbas flokëve, i erdh radha mjekrës. Kishte disa ditë që s’i kishte ra brisk ftyrës. Berber Nasufi vërtetë e ngjeu furqën në tasin me sapun si herë të tjera, por tash vetëm sa për t’i njomë fijet e saj e për të zbardhë qimet e denduna e të ashpra të ish myshterisë së tij. Fill mbas kësaj, usta Nasufi e lëshoi dorën shkujdesshëm mbi ftyrën e tij, megjithëse tehu i topitun i briskut po pengohej nëpër to.

Ridvani i mblodhi të gjitha forcat e veta për të mos nxjerr lot, por më kot. Në nji çast dobësie, qesës së lotëve me gjasë i qe plasë lëkura e hollë dhe disa pika ranë e u bymuen në çarqafin e bardhë që mbulonte prehnin e tij. Nuk e desh veten, ndonëse gjithçka ishte e pavullnetshme. Në këtë mënyrë dita e mërkurë që ishte caktue për roje, prej Ridvanit u pagëzue si ditë e rjepjes së tij. Blanat që i mbeteshin në ftyrë mbas çdo rroje, ishin provë e gjallë e kësaj rrjepjeje, por ato s’kish kush t’i dëshmonte, përveç rojës së burgut dhe hetuesit të kënaqun me zellin e usta Nasufit./Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura