Në çelje të vitit të ri shkollor

Sep 27, 2022 | 7:11
SHPËRNDAJE

HAMDI JUPE

-800-450-Hamdi-Jupe-gazetar

28 shtator 1975. Brigada “Vojo Kushi” e studentëve të Institutit Pedagogjik të Shkodrës po merr rrugën e kthimit, pas përfundimit të aksionit njëmujor në Lukovë të Sarandës.

Autokolona e gjatë e autobusëve, e mbërritur një ditë më parë nga veriu, me rreth një mijë e dyqind të rinj, është duke u nisur. Atmosfera është elektrizuese. Në të gjendet edhe grupi i parë, kursi i tretë i fakultetit gjuhë – letërsi shqipe që duken në fotografi. Pas nëntë muajsh do të gradohen mësues.

Ata nuk përmbahen, janë në ekstazë brenda autobusit. Ka një copëz historie atje, si një copëz floriri, nga e kaluara jonë e trazuar e gjysmëshekullit që shkoi, prandaj, gërmo Tare gërmo, tani që është koha e fillimit të shkollave, se atje ke për ta gjetur. Me syze optike me numrin 4, përpiqem të “lexoj” çfarë mund të dallohet nga gërmadhat e së shkuarës.

Fytyrat në foto duken të qeshura, të harlisura, edhe pse të nxira nga dielli i shtatorit. Të gjithë, “ku rafsha, mos u vrafsha”, megjithëse lufta kundër “liberalizmit dhe shfaqjeve borgjezo-revizioniste” pas Festivalit të Njëmbëdhjetë, ishte në kulmin e saj. Ata s’duan t’ia dinë. Qeshu, rini, qeshu, bota është e jote. Këtë varg të Migjenit e dinë përmendësh. Nuk ua ka vrarë akoma kurrizin “samari” i jetës, harxhet ua paguajnë të tjerët. Studentët pastronin ferrat dhe gjembat poshtë kurorave të ullinjve deri në orën katërmbëdhjetë, pastaj përfundonin në det, pak metra larg punës.

Shtatori i atij viti ishte vërtet për plazh. Atje njoha Janin, brigadierin lukoviot të aksionit, me sy të shtrembër që në lindje, me shkollë të mesme, sepse ishte me “njollë” në biografi, që kishte lexuar më shumë libra sesa të gjithë studentët e letërsisë të marrë së bashku. Ai më dha të lexoja “Onjeginin” e Pushkinit që nuk e gjeja dot në bibliotekat e Shkodrës. Letër e Tatjanës: “Po marr guximin që t’ju shkruaj/ç’do donit më, veç shpirtit tim?”

Kur varej dielli në det, ngjiteshim te kapanonet e fjetjes në qendër të fshatit, të dërmuar nga “beteja” me dallgët e të pudrosur nga kripa, për të marrë veten për ritualin e së nesërmes. Magji rinore 20 – vjeçare, e ngjyer në bronz: e ke emrin Lukovë, shtator, shtatëdhjetë e pesë. Atje më rrahu zemra për herë të parë për lulen “mos më prek”, që munda ta prekja pesë vjet më vonë, nën avujt e ferrokromit në Mat. E do ti djalin nga Saranda me emrin …?

Dy llokume të thara komuniste për dëshmitarët, në një zyrë të vobektë të gjendjes civile pranë burgut të Burrelit dhe… u kry bacë. Kostumin e dhëndërisë, në Ndërmarrjen e Furnizimit të Punëtorëve në Bulqizë. Kollaren e mëndafshtë, te Jeti i estradës së Peshkopisë. Po bien tri dajre, moj nëne, të tria njëlloj. Dashuri spartane me dhjetë vjet të tjera “muaj mjalti” në trojet e Mujit dhe Halilit. Dibra me 170 fshatra, ishte “thes i shpuar” për specialistët e lartë. Vetëm në gjimnazin e Peshkopisë punonin 10 mësues nga Tirana, Vlora, Gjirokastra etj. Safeti, Sherifi, Rebeka, Ilia, Diana, Bilali, Ganimeti, Mira, Dafina. Shto dhe “heroin” e këtyre radhëve dhe u bë këshilli pedagogjik jabanxhi.

Në Kala të Dodës kishim Petron nga Fieri, që është sot në Kuvend. Edhe lumjanët e vegjël duhet të mësonin anglishten prej tij. Natasha nga Vlora, e gjallë si djalë, kujdestare e grupit, është ulur pranë shoferit në autobus, si “shefe” që ishte, me sytë prapa, se mos i del situata “jashtë kontrollit” dhe bëhet hataja. Gjatë shkollës shpërndante llokumet e shoqeve, por jo llokumet e saj. Përfundoi mësuese në pyjet e Librazhdit. Llokumet e martesave të nxituara me djem çfarëdo nga qyteti, shtoheshin në mënyrë të sforcuar në fund të shkollës, për t’i shpëtuar “acarit” të emërimeve në veri, por ishte e pamundur t’ia dilnin të gjitha.

Pukë, Tropojë, Dibër, Mat, Librazhd, Mat, Dibër, Pukë, Kukës, Tropojë. Ky ishte refreni i emërimeve në ditën e fundit të shkollës. Lot të hidhur në sytë e bukur të 21– vjeçarëve, në ditën e daljes për herë të parë në jetë me diplomën në xhep. Ishin 87 të tilla vetëm në kursin tonë. Ishin mijëra në të gjithë Shqipërinë. Në krah të djathtë në fotografi është Përparimi nga Valareja e Gjirokastrës.

Djalë i mbarë, me babanë delegat në Kongresin e Përmetit, fjalëpakë, më i gjati dhe më i bëshmi në grup. Punoi mësues në rrethin e Mirditës, pastaj në Tiranë si redaktor gjuhësor i zëvendës/kryeministrit Myftyu, që mbulonte arsimin dhe kulturën. Korrigjonte shkresat dhe fjalimet e tij nga gabimet e mundshme gjuhësore, para se ato të bëheshin publike. Iku nga puna bashkë me Manushin kur erdhi demokracia, se tani nuk kishim më nevojë ta ruanim gjuhën shqipe nga barbarizmat dhe sharlatanizmat e gjithfarëllojshme, duke e lënë të bëhej lesh arapi. Kryeministri Rama premtoi të kthejë gjuhëtarët si “gardianë” në administratën e lartë, por vetëm premtoi.

Ja Nazirja, “bukuroshja e fjetur” shkodrane, me flokët e lidhur bishtalec, nga familje qytetare, me veshje të bukur pas trupit, sipas “modës” së fundit komuniste. “A po m’i nep detyrat e Gramatikës Historike t’i kopjoj à, se kena pas do miq ke shpia mbramë e s’mujta me i ba”. U mësoi shkodranëve për 37 vjet gjuhën dhe letërsinë shqipe. “Lisa jeta kish ndërruar/ ujt e ri në det/ kaltëronte në ditën e re”. Kur u ndamë, më uroi të gjeja një nuse të mirë, “siç je vetë”. Ia plotësova dëshirën: këputa një gjethe dafine nga viset e polifonisë. I ramë veriut të Shqipërisë cep më cep për shtatëmbëdhjetë vjet: Shkodër, Dibër, Mat, derisa sosëm në Tiranë, në zgrip të sistemit dhe rinisë. Na zbardhi bora flokët para kohe, me plagë në trup e shpirt, u rrëzuam dhe u ngritëm, por nuk u gjunjëzuam. I mbijetuam mosarsyes së regjimit. Kam njohur mësuese nga Korça që ishin “ngujuar” për mbi dhjetë vjet në pyjet e Borovës, midis Dibrës dhe Librazhdit, pa asnjë shpresë për jetën.

Që nga fillimet e shkollës shqipe, mësuesit kanë punuar larg familjes, por jo ashtu, të harruar përgjithmonë në askund, si në regjimin komunist. Toninin po nga Shkodra, djalë i qetë e hokatar, i emëruar në “oborrin e prapmë” të saj, Pukë, e takova për pak sekonda buzë liqenit në Zogaj, nja tridhjetë vjet më vonë. Pëllumbi nga Delvina është në fund të autobusit mes femrave të grupit, një vit më i vogël në moshë dhe prandaj, i “parrezikshëm” për to. I qeshur, punëtor, u emërua në Lurë pas mbarimit të shkollës. E shijoi bukurinë e liqeneve të atjeshme për disa vjet dhe u kthye në vendlindje, mësues dhe zyrtar i arsimit. Misha nga Saranda ishte po ashtu në Lurë, me gjithë kitarën e tij. Xhuli nga Shkodra, vajzë e qeshur, gjithë hare edhe në foto. U emërua në Pukë, ku shkonin të gjithë shkodranët e rinj. Shaqja nga Kopliku, e gjatë si selvi, u martua studente dhe u bë me fëmijë me libra në duar. Martesa dhe fëmija ia shtuan hijeshinë. Sabriun nga Gjirokastra e “rrëmbeu” Vala vlonjate dhe u degdisën në malet e Oroshit. Iliriani po nga Gjirokastra, “ra brenda në dashuri” në Rrogozhinë që student dhe humbi pa nam e nishan.

Violeta nga “Asim Zeneli” i Gjirokastrës, vajzë për kokë të vajzës, paksa e shëndoshë, gjithë edukatë si gjithë gjirokastritet, e veshur bukur. Përfundoi edhe ajo në Rrëshen ku e kishin “strehën” gjirokastritët. Ka shumë “veri” në këto emërime të mësuesve të rinj nga jugu dhe Shqipëria e mesme në atë kohë, shumë “veri”. Mbi shtatëdhjetë për qind e atyre që mbaronin shkollën e lartë e kishin fatin atje. Donika nga Kruja, Zadja nga Tropoja, Sania nga Lushnja, Dila po nga Tropoja, Nazmia nga..?

Të gjitha vajza të dëlira. Jo, në grupin tonë nuk kishte asnjë vajzë “të keqe”. Mbajtën mbi shpinë barrën e vështirë të tranzicionit të stërzgjatur në arsim. U mësuan shqiptarëve gjuhën dhe letërsinë e bukur shqipe. S’bënë komunizëm, bënë dituri, sipas motos naimiane: Dhe dritë e diturisë, përpara do na shpjerë. Fillimisht, me 750 mijë nxënës dhe studentë, tani me 30 për qind më pak dhe me mbi një mijë shkolla të mbyllura, për shkak të shterpësisë demografike demokratike.

Fytyrat e tyre sot janë të mbuluara nga rrudhat, që përpiqen t’i sfumojnë me pak makijazh femëror. Flokët e zbardhura i lyejnë herë pas here me bojë. Gjunjët, dikur të bukura, tani po ua lëpin reumatizma, kanë probleme me kalciumin në kocka, me obezitetin dhe sheqerin në gjak etj.

I di këto, se jam edhe vetë në ato ujëra. Dikush nuk është më mes nesh, është shuar përgjithmonë. Ja, poeti dhe publicisti Vasil Dede, nga Postenani i Kolonjës, iku herët nga kjo botë, siç ikin zakonisht poetët. Edhe liriku Petrit Ruka nga Turani i Tepelenës që u fik para pak kohësh, në kursin tonë ishte. Tani përkëdhelin barin që ka mbirë. Të dashura gjyshe ish-mësuese, që sot u jepni “mësim” nipërve e mbesave tuaja. Ju, me mbiemra të ndryshuar nga martesa, me dhëmbë të rralluara nga vitet dhe flokë të mbuluara nga argjendi i kohës.

Të urtat gjer në dhimbje, që latë magjinë e bukurisë nëpër çuka, kodra, brinja, gërxhe për t’u dhënë edhe atyre pak nga ajo magji. Rininë ua hëngri komunizmi, ndërsa pleqërinë po ua bluan kapitalizmi, me rritjen e pensionit 3,3 për qind në vit. Nuk është çudi t’ju thërrasin prapë në shkollë të jepni mësim, ashtu siç jeni, me bastunin e pleqërisë në dorë, sepse s’ka më studentë për degët e mësuesisë në universitete. Rrogën e keni të mirë (demek)! Ministren e keni të mirë! Qeverinë e keni të mirë. Ç’doni tjetër! Vetëm studentë për mësuesi nuk kemi.

Nuk dua t’ju mendoj të rrudhura, të fishkura, të kërrusura, të thinjura, të shtrembëruara nga dhimbjet e llojllojshme. Jo, nuk mundem. Boll kam rrudhat dhe thinjat e mia. Dua t’ju mbaj mend të reja, të bukura, plot hir e gjallëri, të lumtura e plot hare, me buzët e fryra jo nga botoksi, por nga zjarri i rinisë, ashtu siç ju kam në fotografitë e gjysmë shekulli më parë, me mbiemrat tuaj të vajzërisë: Nanaj, Lilo, Omi, Çokaj, Çapi, Çulli, Zoto, Curraj, Nika, Memushi, Gjino, Nelaj etj. Rininë nuk ua kthej dot më, por pak atmosferë prej atyre viteve, ndoshta po. Rroftë fotografia!

I kujtova me emra e mbiemra shumicën prej tyre. Të grupit, natyrisht, se i gjithë kursi ishte 115 veta. Ku janë të tjerët, si janë, a janë a s’janë? Ju lutem, kush ka mundësi, ta plotësojë këtë tablo 47-vjeçare të udhëtimit tonë në këtë botë të ngatërruar. Të shkruajmë historinë tonë të vogël të arsimit shqiptar, nga e cila bëhet pastaj historia e madhe. Ndoshta 50-vjetori i ndarjes do të na ribashkojë. Ndoshta. Nostalgji për të shkuarën? Është pjesë e jetës sonë të shkurtër, ajo më e bukura, që s’kthehet më. Zhduket Buna nën një kodër, zhduket Drini nën një mal.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura