“Në çdo stinë” ishte filmi që theu tabu, Anisa Markarian: Erotizmi që e përshkon fill e fund. Sy të kaltër, buzë mishtore, gjinj rinorë

Apr 7, 2021 | 17:37
SHPËRNDAJE

ani1

Plot 40 vjet nga premiera e filmit, aktorë e kineastë mblidhen së bashku. Fatkeqësisht, regjisori Viktor Gjika nuk jeton më, por ai është aty po aq i pranishëm si të ishte gjallë.

Aktorja Anisa Markarian jo vetë, mblodhi bashkë kujtimet e kolegëve, por ia dhuroi ato publikut, që me siguri i kujton personazhet e filmit “Në çdo stinë”: Zana, Bardhyli, Leka, Fotaqi…

Të gjithë së bashku, në një bashkëbisedim virtual, tregojnë si u realizua filmi, si u zgjodhën rolet, ditën e parë të xhirimeve dhe ditën e premierës.

ANISA MARKARIAN

Vijon nga numri i kaluar

A. CERGA: A ju kujtohet dita e parë e xhirimeve?

ANISA, K. SHENA, A. IMAMI, Y. DEMNERI: Poo!

P. KALLFA: E nisëm me xhirimin e skenave në dekor ku kishim ndërtuar dhomat e konviktit të djemve e të vajzave, në pritje të ngjyrave të vjeshtës në rrugët e Tiranës.

A. CERGA: Skena e parë e ditës së parë të xhirimeve ishte kthesa e famshme e Lekës. Përgatitet për takimin te Liceu Artistik, por e kupton që e ka humbur bastin. Filluam me planin ku unë vij e ulem në krevat i zhgënjyer.

ANISA: U filmua dubli i parë dhe pastaj… Stoop! Viktori ndërpreu xhirimin dhe hapi shishen e konjakut, si të ishte shampanjë. Shishja kaloi dorë më dorë, pa gota.

Y. DEMNERI: Më kujtohet që, në njërin nga planet, Leka shprish flokët dhe bën grimasa përpara pasqyrës. Në dublin e fundit i nxori gjuhën vetes, çka nuk ishte në skenar. Viktori zgjodhi në montazh pikërisht dublin me përqeshjen e improvizuar.

K. SHENA: Skenë e vështirë për ditën e parë të xhirimeve, por, bravo të qoftë Nani, ia doli mbanë për bukuri.

A. CERGA: Kur mbaruam, Viktori më tërhoqi mënjanë e më pëshpëriti: kjo ishte skena me S të madhe e rolit tënd: tani bëj qejf.

ANISA: Beni, si u përgatite teknikisht për rolin e violonçelistit?

A. IMAMI: Duke mos qenë aspak muzikor nga natyra, pjesa që më mundoi më shumë gjatë përgatitjes së rolit ishte pikërisht “mësimi” i violonçelit. Viktori nguli këmbë për të më filmuar pa dublues. I jam shumë mirënjohës violonçelistit Kujtim Vorpsi, që, në pak javë, arriti të më familjarizojë me instrumentin e të më mësojë qëndrimin në karrige me violonçel, pozicionin në të cilin lihet pasi mbarojnë provat, vendosjen e dorës në tastierë, mbajtjen e harkut… Më i vështiri nga të gjithë qe realizimi i vibratos.

ANISA: Mendoj se zgjedhja e veglës muzikore nuk ishte e rastësishme. Me tingullin e tij magjepsës, aq të afërt me zërin e njeriut, violonçeli e nxori edhe më në pah dualitetin që karakterizon personazhin tënd. E shpreh bukur Zana kur të pyet: po ti nga ke ngjarë kështu?! Lindur në Kukës, babain oficer kufiri… Papritur, ti muzikant! Bardhyli ishte ai që askush nuk e priste të ishte. Befasues dhe origjinal.

B. HOXHA: Anisa, pas 40 vjetësh, cilat mbeten për ty skenat më të dashura të filmit?

ANISA: Më janë shumë të dashura të gjitha skenat e volejbollit. Edhe sot e kësaj dite, jam në gjendje të realizoj shërbimin e topit me të njëjtën saktësi dhe shpejtësi siç ma mësuan profesor Kreshniku dhe Ela Tase. Ndër më të dashurat kam edhe skenat poetike: vështrimet që shkëmbejnë Zana dhe Bardhyli në mensën e Qytetit Studenti, zgjimin e lumtur në dhomën e konviktit dhe darkën kokë më kokë ku Zana merakoset se Bardhyli është hequr. Së fundi, në morinë e portreteve që kam në film, veçoj tre më të vyerit: portretin e Zanës me kurorën e luleshqerrave në Apoloni, portretin nën ujë që, në sytë e Bardhylit, zëvendëson të Bukurën e Durrësit dhe, siç e thashë më sipër, portretin e filmuar nga Viktor Gjika kur recitoj vargjet për dashurinë që ka shkruar Ela.

B. HOXHA: A ju kujtohet ndonjë skenë e xhiruar me të qeshura të shfrenuara, djema?

A. CERGA: Skena e zborit që zhvillohet në fillim të filmit. Poligoni i qitjes ndodhej diku në rrëzë të malit të Dajtit, në mes të një pylli maresh. Në pritje të fillonte xhirimi, shkuam grup të mblidhnim mare. Mblidh e ha, mblidh e ha…, gjer sa na u trash gjuha.

K. SHENA: Viktori u shkri gazit në fillim, por, kur e pa që s’ishim në gjendje të flisnim e po vonohej xhirimi, na u sul me të shara. Dhe ne qeshnim edhe më fort…

ANISA: Një pyetje për secilin nga ju: cilat mendoni se janë arsyet që shpjegojnë suksesin e bujshëm të filmit?

A. PEÇI: Harmonia mes elementëve të tij përbërës, do të thosha.

P. KALLFA: Talenti i Viktor Gjikës, tema që trajton, mizanskena e zhdërvjelltë, ekrani i gjerë me ngjyra, fotogjenia e aktorëve… “Në çdo stinë” mbetet, edhe sot, një nga filmat kult të Kinostudios.

A. IMAMI: Për mendimin tim, çelësi i suksesit është trajtimi i botës rinore me një këndvështrim poetik e sensual. Një risi absolute për atë kohë. Në diktaturë, çdo vepër jopolitike konsiderohej pothuajse si kundër regjimit. Kjo etiketë, në vend që ta dëmtonte, i bëri mirë filmit; e afroi me publikun liridashës.

K. SHENA: Sipas meje, suksesi shpjegohet të paktën nga 4 faktorë. 1) Filmi theu kornizën e akullt të realizmit socialist dhe hapi një kapitull të ri në kinematografinë shqiptare. 2) Bashkëmoshatarët e identifikuan plotësisht veten me personazhet e filmit. Dilnin nga kinemaja të mbushur me energji pozitive dhe aspirata të bukura. 3) Rolet interpretohen nga një trupë e larmishme aktorësh. Një lloj mozaiku ku, çdo gur apo paftë, ka rëndësinë e vet të përveçme e të përbashkët. Me një fjalë, individualitete të spikatura në një ansambël funksional. 4) Emri i Viktor Gjikës si bashkëskenarist dhe regjisor ishte, që në fillim, garanci dhe sinonim i suksesit që do të kishte filmi.

ANISA: Po për ty, Ylli?

Y. DEMNERI: E para herë që në skenar s’kishte rol sekretari partie. Ndryshe nga filmat e tjerë ku dashuria mes të rinjve trajtohej në kuadrin e luftës së klasave dhe fitoreve të proletariatit, Zana e Bardhyli debatojnë për pasionet e tyre, artin dhe sportin, duke dëgjuar Bethovenin. Për herë të parë, në marrëdhëniet sentimentale, shohim një vajzë më të guximshme se partneri i saj. Pa dyshim, edhe interpretimi yt bindës e modern, pa maniera, është një nga arsyet e suksesit të filmit.

A. CERGA: Jo më kot meritove Kupën e Festivalit të 4-t të Filmit Artistik Shqiptar si aktorja më e mirë në rol kryesor.

ANISA: Ju faleminderit, çuna. Dua të përmend edhe një element tjetër që karakterizon filmin tonë. E kam fjalën për erotizmin që e përshkon fill e fund. Sy të kaltër, buzë mishtore, gjinj rinorë, vështrime ndjellëse… Shtojini forcën rinore që bulëzonte nga çdo pore apo vargjet e dashurisë dhe rezultati është… eksploziv! Sa për partishmërinë, gjithë duke qenë shumë e pranishme në film (po, po!), nuk ua vret sytë dhe veshët spektatorëve sepse vëmendja e tyre përqendrohet tek idili Zana-Bardhyli. Nëse ju kujtohet, udhëzime partishmërie “nga lart” vinin edhe gjatë xhirimeve. Filmimet e para të projektuara në Kinostudio, ishin cilësuar tepër poetike, larg realitetit socialist. Viktori u detyrua të shtonte aty-këtu ca plane-pyka me dialogë parimore e të hiqte një pjesë të vargjeve lirike që recitoheshin në film.

B. HOXHA: Krejt e vërtetë. Madje, ndryshime na u kërkuan edhe pasi kishin mbaruar xhirimet. Sipas Këshillit Artistik, filmi mbyllej në mënyrë tepër romantike. Tek shkon në takim me Bardhylin që e pret buzë urës me dy biçikleta, Zana përshkon një rrugë ku vallëzojnë gjethe vjeshte. Finales iu shtuan planet e shëtitjeve me biçikleta nëpër Tiranë, të shoqëruara nga vargje revolucionare për dashurinë. Jam i sigurt që këto vërejtje sot tingëllojnë qesharake, por, në atë kohë, ishin kusht i paanashkalueshëm për aprovimin e filmit. Mjafton të lexoni tekstin e ftesës së premierës. Të jep përshtypjen sikur “Në çdo stinë” u realizua për të kremtuar 40-vjetorin e themelimit të Partisë dhe punimet e Kongresit të 8-të.

A. CERGA: Absurditete pa fund!

K. SHENA: Meqenëse e filluam me kujtimin e premierës, po ju tregoj se ç’mbaj mend nga ajo mbrëmje. Së pari, isha ujë në djersë, gjatë gjithë kohës. Së dyti, vetja s’po më pëlqente fare dhe kjo më futi në ankth. Në shumë nga skenat që interpretoja, të pranishmit në sallë qeshnin. Së fundi, për herë të parë në jetën time, dikush më kërkoi një autograf. Ndihesha si në ëndërr. Kur mbaroi filmi, e pashë veten të rrethuar nga shumë njerëz. Ishin miqësorë dhe të emocionuar, por ky fakt s’më qetësoi aspak. Sikleti dhe djersitja ime vazhdonin…

ANISA: Të njëjtat ndjesi edhe unë. Sapo doli fjala “FUND” në ekran, njerëzit m’u afruan për të më përqafuar. Viktori bëri një hap prapa e më shtyu drejt tyre. M’u kujtuan fjalët e daja Kopit: Shijoje çastin tënd! Kur po ktheheshim në shtëpi, Spiro Duni, që e kuptoi suksesin e filmit, më dha një këshillë historike. “Përfito nga nata e fundit si njeri normal, më tha. Që nesër do ta kesh të vështirë të kalosh rrugës pa rënë në sy. Vox popoli, vox Dei!”. Këto ishin fjalët e Pipit.

Y. DEMNERI: Pas daljes së filmit në kinema, sa herë që kaloja në rrugën e Durrësit për t’u kthyer në shtëpi, vajzat e gjimnazit “Qemal Stafa” më thërrisnin me zë të lartë: Eej, radha 2, karrigia 7.

B. HOXHA: Është e këndshme të mendosh që edhe sot, pas 40 vjetësh, disa nga batutat e filmit vazhdojnë të qarkullojnë mes artdashësve. “Të gjitha vajzat e Durrësit janë të bukura”; “Për lulet, lule! Jepua xhajë kampioneve!”; “Sipas kësaj logjike, ti duhej të ishe kandil deti me shpejtësi kozmike”; “Ah, moj Mira, që s’ma vare kurrë; unë me bukë e ti me gur!”; “Që ditën e parë të dashurisë së parë, u grindëm dhe u ndamë për çështje parimore. Ajo s’njihte Danten, Molierin!”; “Ku je ujk, ku je?, etj.

A. CERGA: Shumë emocionuese ishin edhe radhët e gjata përpara biletarive të kinemave. Spektatorë të të gjitha moshave. Në ndërmarrjet, biletat shpërndaheshin me autorizim nga komiteti i Bashkimeve Profesionale.

ANISA: Pak ditë pasi doli filmi, fillova të merrja letra nga artdashësit. Dhjetë-pesëmbëdhjetë letra në javë. I dërgonin në Kinostudio ose në Institutin e Lartë të Arteve dhe kush më njihte m’i sillte në shtëpi ose i linte te sekretaria e Fakultetit të Mjekësisë. Mbaj mend që u jam përgjigjur të gjithëve. Më dukej më e pakta që mund të bëja për t’i falënderuar për simpatinë dhe vlerësimin që më shprehnin.

B. HOXHA: Në vitin 1981, filmi “Në çdo stinë” përfaqësoi Shqipërinë në seksionin Panorama të Festivalit Ndërkombëtar të Lokarnos dhe u prit mjaft mirë nga publiku i huaj. Dialogët e filmit i kishte përkthyer në frëngjisht i madhi Jusuf Vrioni.

K. SHENA: Mirënjohje të përjetshme poetit të ekranit, Viktor Gjika, “Nderi i Kombit”.

ANISA: Miqtë e mi, edhe pse virtual, ky takim e përmbushi misionin e tij. Na ktheu 40 vjet pas, në mbrëmjen e bukur të premierës. Ju jam thellësisht mirënjohëse që më besuat kujtimet tuaja! Mbeten aq shumë gjëra për të thënë, por, besoj, do të kemi raste të tjera për t’i treguar. Për të “festuar” në mënyrë simbolike datëlindjen e premierës, ju ftoj të ritakohemi emocionesh sonte në darkë, ora 21:00. Kush nuk e merr “RTSH Shqip”, le ta shohë filmin në “YouTube”, në të njëjtën orë. Ju përqafoj fort! Bashkim Hoxha, Pëllumb Kallfa, Aleksandër Peçi, Arben Imami, Ardian Cerga, Karafil Shena, Ylli Demneri, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit. Rroftë kinematografia shqiptare! Rrofshin artistët dhe publiku artdashës!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura