‘Në burg, si gjithë të tjerët’, fjalët e Hysni Kapos për nipin e tij diplomat

Sep 7, 2017 | 8:38
SHPËRNDAJE

Vullnet Thanasi, ish-oficeri i Sigurimit të Shtetit dhe më pas “diplomat” pranë Ambasadës Shqiptare në Pragë, nuk ishte i vetmi nga njerëzit e afërm të Hysni Kapos që do të vuante për disa vjet në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës e pasardhësit të tij, Ramiz Alisë.

hysni-kapo

Madje, ai ishte i fundit, pasi para tij edhe plot shtatë nipa të tjerë të Hysni Kapos (djem të motrave dhe vëllezërve) ishin akuzuar për faje të ndryshme politike dhe kishin vuajtur dënime të ndryshme na kampet e burgjet e regjimit komunist.

Kur daja dhe xhaxhai i tyre (Hysniu) ishte një nga njerëzit më me pushtet pas Enver Hoxhës, i cili kishte në varësi direkte (si sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së) organet e diktaturës së proletariatit, si Ministria e Brendshme, e Mbrojtjes, Sigurimi i Shtetit, Prokuroria, Hetuesia etj.

Dënimet e nipave të Hysni Kapos kishin filluar që në vitet e para të pasluftës, me një prej tyre (djalë vëllai), që shërbente si shofer i Ramiz Alisë, kishin vazhduar me një tjetër (po djalë vëllai), që u arrestua për “tentativë arratisjeje” në zëmër të Shqipërisë (në Qytetin “Stalin”), për të kulmuar në mesin e viteve ’70 me Aladin Kapon, (djali i Sulejman Kapos, vëlla i Hysniut), oficer i Marinës Tregtare në Durrës, i cili u soll i lidhur nga oficerët e Sigurimit të Shtetit dhe u zbrit nga anija “Dajti” në Portin e Durrësit, pasi ishte akuzuar më parë (së bashku me shokun e kolegun e tij, Maks Rakipi) “për agjitacion e propagandë, spiunazh dhe kontrabandë floriri”.

Dhe arrestimi i tij u bë edhe me “miratimin” e Hysni Kapos, i cili kur i dërgoi dosjen për firmë Feçorr Shehu dhe e pyeti; “Ç’do bëjmë me këtë”, Hysniu iu përgjigj: “Në burg, si gjithë të tjerët, siç janë rregullat e Partisë dhe ligjet e shtetit…”.

Tashmë këto gjëra, pra historia e dënimeve të nipave të Hysni Kapos, janë të njohura edhe nga një prononcim publik i një prej nipave të Hysni Kapos, muzikantit të njohur Vladimir Kapo, i cili i ka rrëfyer gjatë dhe me detaje ato; çka lidhet edhe me luftën për pushtet (për nr. 2 si pasardhës të Enver Hoxhës), në mes Hysni Kapos dhe Mehmet Shehut, ku thuhet se Mehmeti nxiste Kadri Hazbiun dhe Feçorr Shehun, për dënimin e nipave të Hysni Kapos, gjithnjë në funksion të “implikimit dhe përlyerjes” së figurës së Kapos. Por, gjithashtu, thuhet se kjo gjë, pra dënimi i nipave të Hysni Kapos, nuk mund të ndodhte kurrë pa pëlqimin e miratimin e Enver Hoxhës.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura