Në burg prej dy javësh, Enkeleida Hoxha pret më 2 mars të mësojë…Kush janë gjyqtarët e Apelit që do të vendosin “fatin” e koleges së tyre

Feb 25, 2021 | 9:19
SHPËRNDAJE

Gjykata e Posaçme e Apelit ka hedhur shortin ditën e djeshme, për gjykimin e kërkesës së bërë nga gjyqtarja Enkeleida Hoxha, mjeku Edvin Prifti, avokati Aldo Tabaku dhe të akuzuarit e tjerë në dosje, për ndryshim të masës së sigurisë.

enkeleida hoxha

Ata u arrestuan rreth dy javë më parë në një aksion të SPAK, nën akuzën e korrupsionit për lirimin e të dënuarve nga burgu. Hedhja e shortit ka caktuar që trupi gjykues i përbërë nga Nertina Kosova, Dhimitër Lara dhe Sokol Binaj do të gjykojë këtë çështje.

Seanca do të zhvillohet me 2 mars në orën 11:00.

Ndërkohë, kujtojmë që gjyqtarja e Krujës Enkeleida Hoxha, e kthyer prej të paktën 3 vitesh në “simbolin” e lirimit nga burgu të të dënuarve për vrasje, është arrestuar më datë 11 shkurt, në sallën e gjyqin, pas urdhrit të firmosur nga SPAK.

Bashkë me të janë vënë në pranga edhe 9 persona të tjerë, të gjithë të akuzuar për korrupsion në drejtësi. Mësohet se hetimet nga Prokuroria e Posaçme kishin nisur prej 8 muajsh dhe kanë arritur të zbardhin skemën e korrupsionit.

Nga ky hetim 8-mujor u grumbulluan prova të nevojshme, të cilat krijuan dyshimin e arsyeshëm se jemi para veprave penale të korrupsionit në sistemin e drejtësisë, si dhe në atë të shëndetësisë.

MASAT E SIGURISE

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.102/2 të vitit 2020, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, si edhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, etj., parashikuar nga nenet 245/1, 319/ç, të Kodit Penal.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.14 datë 10.02.2021 ka caktuar masat e sigurimit arrest në burg për shtetasit: Enkeleida Hoxha, gjyqtare, Aldo Tabaku, avokat, Manuela Mallakuçi, sekretare, Shkëlqim Korbi, ekspert psikiatriko-ligjor, Sajmir Petani, i dënuari për vrasje që do të lirohej, Bledar Petani, vëllai i të dënuarit, si dhe Altin Skëndaj, Gazmir Nezaj, Gentjan Nezaj dhe Isuf Tanuzi.

SKEMA E KORRUPSIONIT Falë hetimeve të këtij procedimi u bë e mundur të evidentohej një skemë e mirëfilltë kriminale, sipas së cilës persona të dënuar, të cilët vuanin dënimin në burgun e Fushë–Krujës përfitonin ulje dënimi kundrejt dhënies së përfitimit të parregullt. Të dënuarit kujdeseshin fillimisht që si mbrojtës të tyre të zgjidhnin avokatin Aldo Tabaku dhe ky i fundit falë marrëdhënies që kishte krijuar me gjyqtaren Enkeleida Hoxha, mundësonte që të dënuarit të përfitonin uljen e dënimit, kundrejt shumave të parave të dhëna si përfitim i parregullt.

Hetimi ka provuar se gjithë kjo bëhej kundrejt përfitimit të parregullt të shumave të konsiderueshme në Euro, që shkonin nga 6 deri 12 mijë euro. Në këtë skemë të kundërligjshme ishte përfshirë dhe sekretarja gjyqësore Emanuela Mallkuçi, e cila në një rast ka siguruar kundrejt marrjes së përfitimit të parregullt që kërkesa e të dënuarit të kalonte për shqyrtim te gjyqtarja Enkeleida Hoxha. Ndërkohë, gjatë hetimeve është provuar se i hetuari Shkëlqim Korbi ka konsumuar elementët e veprës penale “Ekspertim i rremë”, parashikuar nga neni 309/2 i Kodit Penal.

Ky i hetuar është caktuar si ekspert në zbatim të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, e cila po shqyrtonte kërkesën e shtetasit O. K. me objekt revokim të masës mjekësore “Mjekim i detyruar spitalor….”. Rezulton se fillimisht ky ekspert ka përgatitur aktin e ekspertimit psikiatriko–ligjor të këtij shtetasi dhe më tej e ka depozituar në sekretarinë e Mjekësisë Ligjore. Ky akt ekspertimi ishte në disfavor të kërkuesit. Pas ndërhyrjeve të të interesuarve, eksperti ndërhyn te sekretaria e Mjekësisë Ligjore, duke rimarrë aktin e dorëzuar dhe përgatitur një akt të ri që përmbush kërkesat e O. K.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura