“Në bulevard, edhe figura pa merita”, Lalaj: Është provokim. Historiani Kasmi: Kush jep jetën për atdheun, të nderohet

Nov 6, 2019 | 13:41
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Ditën e djeshme, në Muzeun Historik Kombëtar u mbajt konferenca shkencore me temë “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”.

bulevard

Kjo tryezë, që do të vijojë gjithashtu sot edhe nesër, ka si qëllim të hedhë dritë rreth ngjarjeve që prekin këtë periudhë historike dhe organizohet nga Instituti i Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin historianët: Sonila Boçi, Ana Lalaj, Mariglen Kasmi,akademiku Beqir Meta, drejtori i Muzeut, Dorian Koçi, drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido etj. Të pyetur nga mediat, historianët u ndalën ndër të tjera edhe te debati që është hapur pas vendosjes së fotove të disa prej heronjve të popullit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në kudër të festimeve për 75-Vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë. Sipas studiueses dhe historianes Ana Lalaj, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare është ngjarja më e rëndësishme në vend pas shpalljes së pavarësisë.

“Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare në Shqipëri vlen të evokohet dhe këtë nuk e bëjmë vetëm ne, por edhe popuj të tjerë që kanë marrë pjesë në rezistencën antifashiste ose në teatrot e mëdha të luftës. Ajo që unë do të thosha për rastin konkret, është se Instituti i Historisë po i përgjigjet kësaj situate dhe kësaj ngjarjeje, e cila po përkujtohet këtë vit, pra 75- Vjetorit të Çlirimit të vendit. Për sa u përket fotografive që janë vendosur në bulevard, ky është një evokim, i cili ia vlen të bëhet sepse përkujtohen ato figura që kanë dhënë jetën, janë heronjtë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Do të thosha se janë përfshirë edhe një apo dy figura, që nuk kanë merita për sa i takon luftës. Ato që kanë dalë edhe në gazeta”, u shpreh Lalaj.

Studiuesja shtoi më tej se në këtë rast duhet pasur kujdes, pasi duke vepruar në këtë mënyrë, mund të krijohen provokime.

“Mund të radikalizohet situata, radikalizimi i situatës në një krah sjell një përgjigje radikale nga krahu tjetër. U quajt provokim deri tani. A është provokim? Në një lloj mënyre është provokim. Sepse është fjala për heronj të vërtetë të luftës dhe derisa nuk i përgjigjen asaj periudhe, ata nuk duhet të jenë aty. Por nga ata tjetër, kemi të bëjmë me evokimin e një ngjarjeje shumë të madhe dhe mendoj se provokimi zë vend shumë të vogël. A duhen parë titujt e tyre e mbase duhen dy të tjerë? Fjala hero ka konotacion pozitiv dhe heronjtë nderohen. Duhet të kemi shumë kujdes”, tha historiania.

Sipas Lalajt, kujdesi duhet të jetë edhe për sa u përket strukturave që do të bëjnë rivlerësimet e statusit të tyre. “Ata një herë janë vlerësuar. Tani, rivlerësimi është edhe më i vështirë, sepse bëhet në një kontekst tjetër historik e politik. Nëse themi se historia duhet t’i shërbejë të tashmes e së ardhmes, kujdesi nuk është i tepruar. A duhen rishikuar?! Them që duhen rishikuar figurat dhe në këtë vëmë në peshore e hedhim në diskutim, ku mbizotërojnë anët e mira e heroizmi e ku anët e tjera, të cilat gjatë kohës së komunizmit quheshin heroike, por në ditët e sotme kanë një konotacion tjetër”. Historiania ndali gjithashtu te përfshirja e politikës në këtë çështje, e cila është bërë objekt diskutimi edhe në Parlament.

“Në historiografi, politika duhet të rrijë sa më larg sepse ne kemi shumë pika që janë edhe të diskutueshme, edhe të nxehta, si për shembull lufta civile, Mukja, roli i aleatëve. Tani ka ardhur koha të bëjmë pyetje dhe të nxjerrim disa konkluzione. A do bëjmë politikë me këto ngjarje historike, apo do bëjmë histori? Nëse do të bëjmë histori, politika duhet të rrijë larg. Kam vënë re që ka ngjarje për të cilat në publik dalin politikanët, jo historianët. Janë pikërisht historianët, të cilët edhe pse kanë shumë dokumente, pro e kundra e kanë mundësi që t’i trajtojnë e t’i analizojnë më me hollësi këto ccështje duke dalë në një konkluzion më të bazuar, që lihen në fund”, tha Lalaj, duke shtuar se korrigjimet në histori bëhen vazhdimisht dhe bazuar në burimet arkivore, historianët mund të saktësojnë në një kontekst historik më mirë se politikanët.

KASMI: KUSH JEP JETËN PËR ATDHEUN, DUHET TË NDEROHET

Historiani Mariglen Kasmi, lidhur me vendosjen e fotove të heronjve të popullit në bulevard dhe ngjarjeve të tjera të menduara në kuadër të 75-Vjetorit të Çlirimit të vendit, u shpreh se nderimi i këtyre figurave është i nevojshëm.

“Kushdo që jep jetën në luftë kundër pushtuesit të huaj, për më tepër që të gjithë në foto janë në moshë të re, janë figura që duhet vlerësuar. Dhënia e jetës është akti më sublim, që dikush mund të bëjë për mbrojtën e atdheut. Nuk dua të përfshij në këtë debat ideologjinë, për të arritur në përfundimin se janë figura që ndoshta u përdorën, apo simbolizojnë ideologjinë komuniste të kohës, sepse siç thashë, në momentin që dikush bie në llogore për të mbrojtur atdheun nga pushtuesi, meriton të vlerësohet. Pastaj, në mes të tyre ka individë, që mund të kenë jetuar edhe pas vitit 1945, atëherë patjetër që duhet parë aktiviteti i tyre pas kësaj periudhe”, tha historiani.

Kasmi shpjegoi më tej se këtë ndarje në periudhën e luftës e post saj e bën duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e atyre personave që dhanë jetën e që u ekspozuan këto ditë në bulevard, nuk e dinin se ç’do të vinte më pas.

“Ata nuk e mendonin atë që do të vinte pas ’44-ës, por thjesht dolën në mal për të luftuar për lirinë e vendit”, tha ai.

Për sa u përket elementëve të Sigurimit të Shtetit të sinjalizuar këto ditë në media, Kasmi u shpreh: “Nuk e di se cilët janë emrat, por do të thosha që për mendimin tim, aty e kanë vendin të gjithë ata njerëz që dhanë jetën për çlirimin e vendit. Më tej, pas 1945-ës, si për çdo njeri duhet parë kontributi që kanë pasur. Nëse në një periudhë të jetës kanë mbajtur një qëndrim pozitiv dhe kjo ka ndryshuar në një periudhë tjetër, patjetër që kjo do parë në mënyrë kritike”.

Sonila Boçi: Nuri Luçi në bulevard, me uniformën e Sigurimit të Shtetit

Historiania Sonila Boçi u shpreh se ekspozimi i figurave historike në bulevard bëhet për të mbajtur gjallë kujtesën. “Ajo që unë vura re në bulevard është se përveç komunistëve, atje ka dhe personazhe të tjera që nuk janë të tillë si: Mujo Ulqinaku, Vasil Laçi apo Mine Peza. Janë njerëz që janë vrarë duke kundërshtuar pushtimin dhe për këtë është në nderin tonë si shqiptarë që t’i kujtojmë, siç duhet t’i kujtojmë gjithë të tjerët”, tha Boçi. Sipas historianes, në bulevard duhej treguar një kujdes më i madh për të përzgjedhur kategorinë e heronjve që do vendoseshin. “Unë vura re Nuri Luçin, që ishte në foto me uniformën e Sigurimit të Shtetit, që mund të ishte shmangur. Po ashtu, duheshin marrë në konsideratë ata që s’janë heronj të popullit, por janë dëshmorë të atdheut, siç janë disa emra që kanë luftuar në formacionet e Ballit Kombëtar”, tha më tej Boçi.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura