“Në Bruksel do më varnin”/ Vuçiç reagon pas deklaratave për bashkimin Kosovë-Shqipëri: Çfarë do të ndodhte nëse do kishim përmendur Serbinë e madhe

Nov 28, 2021 | 17:13
SHPËRNDAJE

vucicPresidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka takuar sot në Beograd presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor. Pas takimit, Vuçiç iu referua “heshtjes” së BE-së lidhur me deklaratat nga udhëheqësit e Kosovës dhe Shqipërisë për bashkimin kombëtar.

I pyetur nëse ka biseduar me Pahorin se pse BE-ja hesht ndaj deklaratave të zyrtarëve shqiptarë për formimin e Shqipërisë së Madhe, Vuçiç tha se Brukseli duhet të marrë një minutë e gjysmë për të reaguar ndaj deklaratave të tilla, por nuk ka asnjë reagim.

Vuçiç tha se nëse do të përmendej formimi i Serbisë së madhe, BE-ja do të reagonte menjëherë.

“Po të kishim përmendur një herë formimin e Serbisë së madhe, do të më varnin në Bruksel, por kur përmendet një Shqipëri e madhe, kjo është mirë, vetëm meqë ra fjala”, thotë Vuçiç, raporton Koha.net

Presidenti i Sllovenisë deklaroi se vitet e fundit ka një thellim të mosbesimit në rajon dhe se është i befasuar që Bashkimi Evropian nuk di si t’i përgjigjet kësaj situate.

“Personalisht do të bëj çmos për të gjetur mirëkuptim më të madh në Bruksel për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe dhe shumëpalëshe”, tha Pahor.

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, të hënën do të vizitojë Kosovën.

Ai do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, është njoftuar nga Zyra e Presidentit të Sllovenisë.

© Panorama.al

Te lidhura