Në BE nga zyrat e shtetit

May 23, 2015 | 13:18
SHPËRNDAJE

ERION TODHE

  Reforma në administratën publike është një nga kushtet kryesore të vendosura në Bashkimi Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë.

Ky është një prej 5 kushteve për t’u plotësuar, e theksuar në progres-raportet e Brukselit, si një prej shkallëve që do të ndihmonin Shqipërinë në objektivin e saj për integrimin.

Në fakt, nevojën e kësaj reforme e ndiejnë çdo ditë qytetarët shqiptarë, të cilëve u luhatet besimi tek administrata dhe shërbimi civil, sa herë që kanë të bëjnë  me zyrat apo zyrtarët e shtetit, dhe perceptimi sa vjen e shtohet se nuk po trajtohen me të drejta të barabarta, për shkak se nuk kanë të njëjtat bindje politike, apo se kanë votuar kundër palës në pushtet.

Kjo mungesë besimi tek administrata publike ushqehet, pa dyshim, jo vetëm nga zëra, por edhe nga fakte që tregojnë se punonjësit ndërrohen sa herë ndërrohen pushtetet apo se ata, të aftët, nuk gjejnë vend në administratë publike, pasi nuk kanë mbështetje politike. Reforma administrative nuk po aplikohet ekskluzivisht për herë të parë në Shqipëri. E kanë bërë para nesh, madje edhe duke pasur sukses. Si një vend me trashëgimi komuniste, na mjafton të marrim shembull, për të mos thënë të kopjojmë (çka për mendimin tim nuk është fort keq në këtë rast), nga vende që, ashtu si Shqipëria, kanë të kaluar komuniste.

Pak javë më parë, në një seminar të organizuar në Varshavë nga Këshilli i Europës, për gazetarë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, isha pjesë e një eksperience për të mësuar se si Polonia, vend anëtar i Bashkimit Europian që prej 11 vitesh, kishte arritur të bënte reformën në administratën publike dhe shërbimin civil. Një prej elementeve të rëndësishme që kontribuonin në një personel të kualifikuar dhe të depolitizuar të administratës, ishte Shkolla Kombëtare e Administratës Publike. Drejtori i kësaj shkolle, Jan Pastwa, na tregoi se që prej fundit të viteve ’80, kohë kur nisën ndryshimet politike në Poloni, kishin filluar të mendonin për këtë reformë të rëndësishme.

Si fillim, baza e ndryshimit të mentalitetit ishte të mos shiheshin vendet e punës në administratë si plaçkë për t’u ndarë mes fituesve të zgjedhjeve politike. Mendoj se në këtë rast duhet të mësojmë nga shembulli i Polonisë që, për të pasur një administratë publike të depolitizuar, fillimisht në Shqipëri duhet ndryshuar ky mentalitet. Përfitimet do të ishin menjëherë të dukshme. Opozita, si dhe ndjekësit e saj do të fitonte besimin tek administrata dhe sigurisht, nuk do të kishte ndjenjën e “hakmarrjes”, në kohën kur ajo do të arrinte të fitonte zgjedhjet dhe të drejtën për të qeverisur.

Sigurisht që një shërbim civil i depolitizuar, që do t’i bënte vetë rekrutimet dhe që do të kishte sistemin e vet të promovimit, do të ishte një përpjekje mjaft e mirë për të dekurajuar trajtimin e administratës publike si territor për t’u reklamuar dhe zaptuar nga koalicioni që fiton zgjedhjet. Administrata publike sigurisht që është një element esencial i shtetit modern demokratik, aty ku prevalon zbatimi i ligjit. Shërbimi civil i depolitizuar është po aq i rëndësishëm sa zgjedhjet e lira apo një sistem gjyqësor i pavarur. Të thëna kështu, me dy fjalë, duken si punë e mbaruar, e thjeshtë për t’u bërë, por ja që realiteti shqiptar tregon se kjo çështje është shumë më e komplikuar.

Ne të gjithë e dimë se çdo reformë mund të arrihet nëse pala politike që e ka marrë përsipër ta bëjë, do të ketë vullnetin politik për t’i shkuar deri në fund, do të ketë mentalitetin e duhur për t’i gjetur punës personin e nevojshëm si dhe, sigurisht, do të zbatojë me rreptësi rregullat e kësaj loje. Po bëhen 25 vjet që jemi ndarë nga shteti totalitar, nga ai që quhet monist, por edhe pse në pluralizëm, ende zyrtarët e administratës, ata që presupozohet të jenë në shërbim të qytetarëve pa dallim ngjyre politike, po përdoren si instrumente për të siguruar interesat e palës qeverisëse. Elementi kryesor që do të sillte depolitizimin, është modernizimi i administratës.

Në fakt, edhe integrimi në Bashkimin Europian kërkon modernizimin e institucioneve publike. Për këtë arsye, polakët kanë ndërhyrë në Kushtetutë duke përfshirë një nen të veçantë për shërbimin civil. Neni 153 thotë se Korpusi i Shërbimit Civil duhet të punojë në organet e administratës, në mënyrë që të sigurojë që detyrimet e shtetit ndaj qytetarit, pra shërbimet, të jenë të besueshme, të paanshme, profesionale dhe politikisht të pavarura. Pika e dytë e këtij neni thotë se Kryeministri duhet të jetë në krye të këtij korpusi të shërbimit civil. Kështu, pavarësisht se ndryshimet politike mund të duken se herë pas herë përshkojnë një rreth dhe kthehen në pikën e nisjes, e vetmja mënyrë për të pasur stabilitet është të ndahet pjesa politike, pra subjektet që do të implementojnë politikat e palës qeverisëse nga pjesa që duhet të sigurojë vazhdimësinë në mënyrë të qëndrueshme të aparatit shtetëror, pra specialistët.

E thënë ndryshe dhe shkoqur: me ndryshimin e qeverisjes, ndryshojnë drejtuesit, por jo specialistët dhe ekspertët. Sipas drejtorit të Shkollës së Administratës Publike, Jan Pastwa, reforma në Poloni ishte kryer me idenë se politikanët drejtojnë, ndërsa nëpunësit e shërbimit civil shërbejnë. Mund të duket si slogan, por është veçse praktika që kishin ndjekur polakët për të ndarë postet politike me ato zyrtare. Specialistët janë ata që në të vërtetë kanë fuqinë e të bërit të detyrës, pavarësisht drejtimit që kërkon t’i japë pala qeverisëse. Politikat për t’u ndjekur në shërbim të qytetarit janë kompetencë e stafit politik të administratës, ndërsa Shërbimi Civil implementon këto politika.
Për të ngritur një shërbim civil me integritet, polakët kishin vendosur të mbështeteshin në 4 pika.

1-Profesionalizëm: përzgjedhja e individëve në bazë të meritës, aftësive, trajnimeve apo kualifikimeve.
2-Besueshmëri: Për nga motivimi financiar dhe jofinanciar, mbikëqyrje dhe llogaridhënie tek eprorët për aktivitetet e vartësve dhe besueshmëri për disiplinën.
3- Paanshmëri: një kod i sjelljes administrative bazuar në principet e etikës, zbatim i rregullave të antikorrupsionit.
4- Neutralitet politik: ndarja e posteve në politike dhe zyrtare për zbatimin sa më të mirë të rregullave dhe ligjeve. Kjo e fundit mendoj se është edhe pika më e rëndësishme, pasi individët që fitonin të drejtën për të qenë pjesë e korpusit të Shërbimit Civil, duhet të kalonin procedurat kualifikuese, të cilat organizoheshin nga Shkolla Kombëtare e Administratës Publike, pasi diplomoheshin në këtë shkollë në një kurs që zgjaste 20 muaj dhe ku pranoheshin vetëm 40 veta në vit.

Pas përfundimit të kësaj shkolle, këta persona e kishin të garantuar vendin e punës në administratën publike, me detyrimin që të punonin 5 vjet në sektorin shtetëror. Por, ndryshe nga Shqipëria, ku preferenca është më e madhe të punosh në një zyrë shteti në Poloni, sektori privat tërhiqte, sigurisht nëpërmjet joshjes financiare, një pjesë të mirë të punonjësve të administratës publike, duke qenë se kualifikimi i tyre ishte i padiskutueshëm.

Me keqardhje, Jan Pastwa, drejtori i Shkollës së Administratës Publike, thoshte se 2 ose 3 vjet pasi fillojnë punë në institucionet shtetërore, personeli i kualifikuar largohej për të punuar në sektorin privat. Duket qartë se synimi i një pjese të polakëve ishte që të kualifikoheshin nëpërmjet eksperiencës në zyrat e shtetit dhe më pas të largoheshin në sektorin privat, që sigurisht paguan më mirë. Në takimet që patëm, me profesorë, zyrtarë të Kryeministrisë, Ministrisë së Jashtme apo edhe zyrës qendrore të antikorrupsionit, fjala kyçe ishte: është e vështirë, por duhet jo vetëm vullnet politik, por edhe mentaliteti i duhur për të bërë një aparat shtetëror funksional.

Në fakt, këtë kërkojmë ne shqiptarët dhe me reformat që BE na kërkon që të zbatojmë, synohet të ndërtohet pikërisht shteti në funksion të qytetarëve, pavarësisht nga pala politike që merr drejtimin e qeverisjes së vendit. Për të arritur këtë, Polonia zgjodhi një rrugë ndryshe nga vendet e tjera me të kaluar komuniste. Në vend që të niste reformën e administratës publike në qeverisjen qendrore, hapat e parë i ndërmori në administratën lokale me decentralizimin territorial të funksioneve administrative.

Pak a shumë ky është edhe synimi i reformës administrative– territoriale, që do të aplikohet pas zgjedhjeve të 21 qershorit. Shenjat janë të mira, hapat që po ndërmerren nën diktimin e BE janë të qartë. Ne shqiptarëve tashmë na mbetet të shohim, duke shpresuar të fillojmë të trajtohemi nga zyrat e shtetit si qytetarë të ardhshëm të Bashkimit Europian. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura