“Në bazën e Sigurimit në Shijak, më pyesnin për regjimin e Titos! Kush ishin oficerët e UDB-së”/ Dëshmia e emigrantit, mjekut të burgjeve

Nov 11, 2020 | 7:48
SHPËRNDAJE

Nga Dashnor Kaloci/ Publikohet historia e panjohur të Jetullah Gashit me origjinë nga  katundi Mramor i Prishtinës, i cili në vitin 1964, kur ishte gjimnazist vendosi që të arratisej dhe kaloi kufirin shtetëror në zonën e fshatit Zogaj të rrethit të Tropojës, ku pasi e mbajtën disa ditë duke e marrë në pyetje në Degën e Punëve të Brendëshme të qytetit “Bajram Curri”, e sollën në qytezën e Shijakut, duke e sistemuar në një bazë të Sigurimit të Shtetit, e cila quhej “Qëndra e filtrimit e emigrantëve kosovarë”, që arratiseshin nga Jugosllavia dhe vinin në Shqipëri, ku për disa muaj ai i’u nënshtrua hetuesisë intensive nga ana e oficerëve të Sigurimit të Shtetit që vinin nga Ministria e Punëve të Brendëshme dhe që mbulonin “emigracionin kosovar”.  

dossier

Dërgimi i tij në rrethin e Korçës ku mbaroi shkollën e mesme në qytezën e Maliqit dhe më pas në Tiranë, ku ai ndoqi studimet e larta universitare në fakultetin e Mjeksisë, të cilat ai i përfundoi në vitin 1971 dhe u emërua në Elbasan si mjek pranë spitalit të atij qyteti. Arrestimi i tij në vitin 1977 pas disa kohësh survejimi dhe ndjekje nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit, “si agjent i UDB-së”, ku pas disa muajsh tortura ç’njerzore, u dënua me 25 vite burg politik, të cilat i vuajti në kampet e Spaçit, Qafë-Barit, Burrelit etj., xhesti i jashtëzakonshëm i Jetullah Gashit kur vuante dënimin, duke dorëzuar bluzën e bardhë të mjekut e hyri të pununte me turne në galerinë e Spaçit, nga ku dhe ai u lirua në fillimin e vitit 1991, me shëmbjen e regjimit komunist.

“Ishte data 30 gusht e vitit 1964, kur unë pasi preva biletën e trenit nga Prishtina për në Shkup (ku ponoja me babën), gjatë gjithë rrugës, vetëm mendoja se si do të arrija në Shqipëri, gjë që kishte kaq ditë që e bluaja në kokë. Unë në atë kohë nuk kisha asnjë lloj informacioni për kufirin shtetëror, Jugosllavi – Shqipëri dhe nisur nga ky fakt, vajta në stacionin e autobuzit në Shkup, ku preva biletën e autobuzit për në Gjakovë dhe aty mbrrita në orët e vona të natës. Zbrita nga autobuzi dhe nuk dija nga të shkoja, pasi s’kisha qenë asnjë herë në Gjakovë. Kam bërë gjithë përpjekjet për të shmangur njerëzit dhe mora rrugën që kishte më pak qarkullim. Në fund të kësaj rruge, pashë një furrë buke, e bleva disa simite dhe vazhdova të njëjtën drejtim rruge në errësirën e natës. Në krahun e djathtë të rrugës, pashë një gardh, të cilin e kalova dhe hyra brenda në kopësht. Vendosa  të flija aty. Afër rrethimit, gjeta një vend të sigurtë që më mbronte, pasi herë pas here kishte të lehura qenësh, por pas pak kohësh ata pushuan. I lodhur më kishte zënë gjumi. U zgjova në mëngjes, pasi shikova rreth e qark vëndin, u ngrita kapërceva gardhin e dola përsëri në rrugë. Kushëriri im Kadriu, më kishte thënë që kufiri për në Shqipëri, kalon nga majat e disa kodrave të ç’veshura”. Kështu e kujton 75 vjeçari Jetullah Gashi nga Kosova, momentin e arratisjes nga Jugosllavia në Shqipëri, ku ai pasi u diplomua në fakultetin e Mjeksisë në Tiranë dhe shërbeu disa vite si mjek në spitalin e qytetit të Elbasanit, në prillin e vitit 1977, u arrestua nga Sigurimi i Shtetit, duke u akuzuar si “agjent i UDB-së” dhe u dënua me 25 vjet burg. Torturat gjatë hetuesisë dhe dënimi me 25 vite burg, kalvari i gjatë në kampe dhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës deri në fillimin e vitit 1991, duke u liruar me të dënuarit e fundit  që dolën nga “ferri komunist”, largimi për në Zvicër tek të afërmit e tij, kthimi në Shqipëri dhe largimi përfundimisht për në Kosovë, ku jeton dhe sot me familjen e tij. Lidhur me këto dhe ngjarje e fakte të tjera nga jeta e tij e dhimbëshme, mjeku Jetullah Gashi, i dëshmon ekskluzvisht për Memorie.al

Zoti Jetullah, cilat ishin pyetjet që ju bënë oficerët e Sigurimit aty në bazën sekrete të Ministrisë së Brendëshme në Shijak?

Pyetjet ishin të shumta, ata më pyetën për familjen time, për të afërmit, të gjitha me detaje, për shokët, se çfar lloj pune bënin, a ishte ndonjëri bashkëpunëtor i S.U.P.I-it, (degës së U.D.B.-së Jugosllave), a është ndonjë i afërm, polic a nënpunës në ndonjë zyrë shtetërore, e në rast se ishte, ku ishte i punësuar, etj., etj. Po kështu, përveç familjarëve dhe të afërmëve, më pyetën a është populli i Kosovës i kënaqur apo i pa kënaqur, me rregjimin e Titos? Më pyetën për stacionin e policisë në Prishtinë, se ku janë të vendosur me godinë, njihja ndonjë nga oficerët apo ndonjë polic aty? Më pyetën për kazermat ushtarake (repartet ushtarake) të vendosura në Prishtinë, ku ndodheshin, sa të mëdha janë godinat dhe a kisha parë ndonjë repart ushtarak ndonjëherë, çfar armatimi kanë këto reparte, e shumë pyetje të tjera. Të gjitha këto pyetje ata vazhdonin të m’i bënin, prej një periudhe, nga data 5 tetor, deri në datën 18 tetor të vitit 1964, në prezencën e tre oficerëve të Sigurimit të Shtetit dhe të gjitha përgjigjet e mia, i kam nënshkruar me pseudonimin “Rakita”.

Çfar do të thoshte për ju ai pseudonim, j’ua sygjeruan oficerët atë?

Në pyetjet e shumta që më bënë, ishte edhe se: a njihja ndonjë person nga Kosova, që kishte ardhur në Shqipëri? Unë u thashë se: nuk njoh njeri, përpos Riza Gërbeshit, në rast se ndodhet në Shqipëri. Më datën 18 tetor, njëri nga oficerët erdhi në dhomën time të gjumit e më tha: “Përgatitu e hajde në zyrë, se kemi edhe pak punë”. Sa hyra në zyrë, ishin po të njëjtit oficerë, e njëri prej tyre m’u drejtua duke më thënë: “Këtë vit nuk mundesh me vazhdu shkollën, se kanë kaluar afër dy muaj. Në vitin e ardhëshëm, do regjistrohesh në shkollën Teknike, në degën tuaj dhe nëse jeni dakort për këto, do t’i firmosni këto dokumenta”?

Si u përgjigjët ju?

‘Jam gati me njëherë për të firmosur’, i thashë unë, e u ngrita nga karrigja menjëherë, por njëri nga oficerët, më tha: “Prit, Jetullah, se nuk mundesh t’i firmosësh në emrin e mbiemrin tënd, por me një pseudonim”. Oficeri më tha: “Të zgjedhësh një emër të vendëlindjes tënde, q ëtë mos e harrosh kollaj”. Kështu pas atyre sugjerimeve të tij, unë u thashë emrin e burimit të ujit të pas kodrës, që quhet “Balltak”, por atyre nuk ju pëlqeu toponimi, “Balltak” – e më pyetën nëse kishte një burim tjetër? “Po, Rakita” – i thashë unë dhe më këtë emër, u pajtuan oficerët e Sigurimit të shtetit e më porositën: “Askujt dhe as njëherë mos t’i tregoj askujt, për këtë emër”. I firmosa të gjitha dokumentat, në prezencën e oficerit,    me pseudonimin “Rakita”.

Kur u larguat nga kjo shtëpi, apo baza sekrete e Sigurimit të Shtetit, që njihehej si “Qëndra e filtrimit të emigrantëve kosovarë?

Me datën 20 tetor të vitit 1964, jam larguar nga kjo shtëpi ku qëndrova për afër dy muaj, pasi ata më thanë se kishin mbaruar punë me mua, e do të më dërgonin në një vend tjetër, deri në vitin e ardhëshëm, kur të hapeshin shkollat. Këtu vinte shpesh një oficer i Sigurimit, i cili më shumë merrte informacion nga oficerët që rrinin aty, se sa nga unë. Ky officer, kishte një trup të gjatë e i shëndetshëm dhe syrin e majtë e kishte të dëmtuar, nuk shikonte.

Kush ishte ai e mësove emrin e tij?

Më vonë e mësova emrin e tij, që e kishte Skënder Backa, dhe ishte me detyrën e shefit (drejtor) kryesor për ne kosovarët. Skënder Backa, shpesh thoshte në prezencën e kosovarëve, atje ku na dërgonin herë pas here, “për të na përgatitur për të ardhmen”. Ai na thoshte: “Dëgjoni burra: këtë sy e kam lënë gjatë Luftës për Shqipërinë, e këtë tjetrin mos vdeksha pa e lënë për Kosovën”. Emrat e oficerëve të tjerë që më kujtohen janë: Shaban Braha, Shaban Zeneli, Sali Shatri, Bajram Pela, e të tjerë që vinin vazhdimisht në atë shtëpi në Shijak. Edhe pseudonimin “Rakita”, e kam marrë me pëlqimin e këtyre personave.

Ku ju dërguan pasi u larguan nga ajo shtëpi?

Me datën 18 tetor, më çuan në Korçë. Pasi u ndal makina në krahun e djathtë të rrugës, zbritëm bashkë me shoferin dhe oficerin shoqërues, në një Kafe-Restorant. Aty pas një ore, erdhi një person tjetër dhe pasi u përshëndetëm, qëndruam rreth një orë. Oficeri që më shoqëronte, më tha: “Jetullah, ne po shkojmë, ky shoku, do të interesohet për ju”. U përshëndetëm dhe u ndamë prej tyre, e kështu mbeta vetëm me personin që kishte ardhur, i cili filloi të më pyeste se nga cili vënd vija? E unë ju përgjigja, duke i thënë se jam nga Kosova, ndërsa ai vazhdoi e më pyeti: “Kosova është qytet apo fshat”? I thashë që Kosova është e madhe, kryeqyteti i saj është Prishtina dhe ka shumë qytete të tjerë e fshatra të bukura. E kuptova që nuk kishte fare njohuri për Kosovën dhe me të qëndruam deri në orët e vona të mbrëmjes të datës 18 tetor, në atë kafe. Pas ngrënjes së darkës, shoqëruesi më tha: “A ngrihemi”? Unë u ngrita dhe ecja pas tij, u ngjitëm në katin e dytë dhe ai hapi derën e një dhome e hyri brënda. Aty më tha: “Këtu do të banoni disa ditë, në mëngjes kur të ngriheni nga gjumi, do të shkoni për të ngrënë mëngjesin, pikërisht tek ajo tavolinë ku na shërbyen sonte, unë nuk do të vonohem, do të vij aty”. Vëndi ku po qëndroja, ishte hotel “Vollga”, aty qëndrova deri në datën 22 tetor.

Dhe ku ju dërguan më pas?

Pastaj më çuan në fermën e Vloçishtit, ku jam takuar me tre burra nga kosova, që kishin ardhur edhe ata në Shqipëri në vitin 1963. Pasi u përshëndetëm, sa e pashë njoha menjëherë, Riza Gërbeshin dhe pasi u përqafuam e u përshëndeta me të, takova edhe me Isuf Visokun e Zeqir Rashicën. Rizai m’i prezantoi Isufin e Zeqirin, duke më thënë se ata kishin qenë së bashku në burgun e Nishit, të burgosur politik nga rregjimi jugosllav i Titos. Ata më treguan për torturat që kishin kaluar në burgjet e jugosllavisë titiste dhe që nuk i kishn lënë të qetë, edhe pas lirimit nga burgu, e kjo jua bëri të pamundur qëndrimin në Kosovë.

Në Vloçisht ku ju dërguan, ju futën në shkollë?

Në saj të Riza Gërbeshit, i cili më bindi, se humbja e një viti të shkollës, do të kushtonte shumë, pra që unë të mos prisja vitin e ardhshëm për të vazhduar shkollën teknike në degën e Ndërtimtarisë, duke më thënë se: programet e tekstet shkollore kanë shumë ndryshime. Ai më tha: “A të bisedojmë me organet e këtushme, që ti të vazhdosh gjimnazin në Maliq”? I thashë Rizait: ‘Dua të vazhdoj gjimanzin, vetëm a ka mundësi me dy muaj me vonesë’? Nuk pati asnjë pengesë nga drejtoria e gjimnazit në Maliq dhe kështu unë vazhdova gjimnazin, duke fillaur mësimet brenda muajit tetor.

Po me familjen tuaj në Kosovë, a munde të lidheshit, për t’i lajmëruar se ku ndodheshit?

Nga fundi i vitit 1964, me sugjerimin e miqëve të mi, të cilët më thanë: shkruaji familjes, se ku jeni, tregoi për shëndetin e për ecurine tënde këtu, por kujdes se çfar shkruan, unë vendosa që t’I dërgoja një letër atyre. Kështu në fillim të vitit 1965, pasi i shkruajta një letër, filluan të më vinin edhe letrat e para nga familja ime, ku më tregonin për shëndetin e tyre. Me familjen time kisha korespodencë, që nga ajo kohë po me të njëjtin format edhe gjatë viteve të burgut deri ën vitin 1991.

Para se të dalim tek arrestimi dhe periudha e burgut, kur e mbaruat gjimnazin?

Unë e përfundova gjimnazin e Maliqit, (së bashku me shokët e shoqet e klasës ku u regjistrova në fillim) në vitin 1967. Në atë kohë çdo nxënës që përfundonte gjimnazin, kishte të drejtë të zgjidhte tre fakultete, unë zgjodha fakultetin e Ndërtimtarisë, Shkencave Juridike dhe atë të Mjeksisë.

Ju aprovua kërkesa për studimet e larta universitare?

Po, menjëherë m’u aprovua kërkesa për studimet e larta dhe unë u pranova në Fakultetin e Mjeksisë në Tiranë. Studimet në këtë fakultet i kam filluar në vitin 1967 dhe i kam përfunduar në vitin 1972.

Kë kujtoni nga shokët e kursit tuaj?

Nga shokët e kursit më kujtohen: Miftar Daçi, Cen Stojku, Flamur Ijeza, Pranvera Bitri, Zana Tabaku, Elmaz Berisha, Emin Xhediku, Dritan Shehu, Petrit Vasili, Maks Lubonja, etj.

Ku ju emëruan pas mbarimit të studimeve?

Pas diplomimit, fillimisht më emëruan në Korçë, ku punova si mjek në spitalin e qytetit të Korçës e në Poliklinikën Qëndrore.

Si i kujtoni fillimet e punës suaj në profesionin e mjekut në atë qytet, a patët vështirësi për t’u ambientuar?

Si unë edhe kolegët e mi mjekë, kemi pasur peripecitë tona, sado që ishim të përgatitur nga ana profesionale. Brenda një kohe të shkurtër, duke pyetur e konsultuar edhe me kolegët më të vjetër në punë për çdo gjë që hasja vështirësi, unë arrita brenda 3-4 muajsh, ta ndjeja vetën të sigurtë në profesionin tim. Gjatë kësaj kohe, unë nuk kisha asnjë pengesë nga organet e pushtetit lokal apo qëndror dhe kisha të gjitha të drejtat, si çdo qytetar tjetër i Shqipërisë.

Po me banim, ku ju caktuan?

Banoja në një dhomë brënda territorit të spitalit, e cila ishte e ngjitur me spitalin e infektivit. Këtu banova rreth një vit, deri në mes të tetorit të vitit 1973, në kohën kur më kanë transferuar për në Elbasan.

Po në Elbasan, ku u caktuat me punë?

Që nga fundi i muajit qershor të po atij viti, më thirrën në Drejtorinë e Shëndetësisë, pranë Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Elbasanit, ku më thanë: A pranoja që të shkoja si mjek i aksionistëve për një muaj, në hekurudhën Librazhd-Prenjas, që po ndërtohej. Unë pranova, dhe me datën 1 korrik, kam filluar punë si mjek i aksionistëve në sektorin Qukës, afër urës së Bushtricës. Në fund të muajit, u ktheva në Korçë, për të takuar miqtë e mi, Rizain e Isufin, që tashmë ishin bërë si një familje për mua.

Shkonit shpesh në Korçë?

Nga Ferma e Voloçishtit, Rizai e Isufi shpesh shkonin në Korçë, për të kaluar kohën e lirë dhe të shtunave e të dielave, shpesh herë kam shkuar edhe unë. Në një prej këtyre ditëve, Rizai e Isufi, takuan mikun e tyre, Hajdar Livoçin, apo siç njihej Gorani, bashkëpatriot i yni nga Kosova.

Çfar profesioni kishte Hajdari dhe në ç’rrethana ndodhej në qytetin e Korçës?

Hajdari, në rininë e tij kishte mësuar zanatin e radio-ndërlidhjes dhe ishte mjeshtër i radios të asaj kohe. Kështu ai e kishte shfrytëzuar profesionin e tij dhe kishte kërkuar t’i bashkohej rradhëve të brigadave partizane shqiptare kur ato shkuan në Kosovë në vitin 1944, gjë e cila u pranua prej tyre. Hajdari na pati treguar, se arsyeja kryesore sepse ai ishte bashkëngjitur një brigade partizane shqiptare në vitin 1945, ishin se jeta e tij ishte në rrezik, nga shovinizmi serbo – malazez. Pas tërheqjes së brigadave partizane shqiptare nga Kosova, Hajdari nuk ishte shkëputur më nga brigada e tij dhe kështu ai ishte vendosur në Korçë, duke shërbyer si ushtarak, deri sa doli në pension. Hajdari kishte shokë të ngushtë, Ismail Porodinën, apo siç njihej ndryshme, me mbiemrin Pëllumbi. Herën e parë që kam takuar Hajdarin, përmes Rizait e Isufit, Hajdari nuk na lejoi të ktheheshim në fshat, por na ftoi në shtëpinë e tij për të bujtur, që unë të njihesha me familjen e tij. Pasi ecëm në rrugët karakteristike, të bukura dhe me vila një katëshe e dy katëshe, në fund të saj rruge, ishte shtëpia e ngritur nga Hajdari. Një shtëpi e ngritur në dy kate dhe që shihej që nga rruga.

Si shkoj më tej miqësia juaj me bashkëpatriotin tuaj, Hajdarin?

Hëëmmm, po, po, atë desha t’ju tregoj, vazhdimin e njohjes me të. Hajdari hapi derrën e oborrit dhe ne hymë brenda, ku shtëpia kishte një kopësht e një mur rrethimi. Në oborr na priti e shoqja, Remzia, e cila çalonte nga njëra këmbë. Brënda na prisnin fëmijët e Hajdarit, dy djemtë: Remziu, Saimiri dhe vajza Suzana, të cilët na përshëndetën. Hajdari bëri prezantimin me mua të djemëve dhe vajzës së tij. Që nga ajo kohë, kur vazhdoja punën si mjek në spitalin e Korçës, shpesh takoja Hajdarin, i cili nuk më linte pa më çuar në shtëpinë e tij. Remziu, djali i madh i Hajdarit, ishte inxhinier në minierën e qymyr-gurit në Mborje – Drenovë, ndërsa Saimiri e Suzana, ishin gjimnazist. Në vitin 1974, me sa më kujtohet, Suzana mbaroi gjimnazin, por nuk i doli e drejta e studimit për shkollën e lartë.

Patët ndonjë problem me familjen e Hajdarit, që po i kushtoni kaq vëmëndje?

Ja këtë po ju tregoj. Rizai dhe Isufi, më patë thënë se: Hajdari familjarisht është dakort, që në rast se edhe unë jam dakort, të pranoj vajzën e tyre, si bashkëshorte dhe menjëherë të fillonim formalitetet e duhura sipas zakoneve të të dy palëve. Ata më thanë se: nuk kisha pse të kundërshtoja, pasi e njihja shumë mirë atë familje. Unë u thashë, të bisedonin edhe me Hajdarin, që ai në asnjë mënyrë të mos ja impononte si prind, vajzës së tij, Suzana, këtë lidhje, sepse unë isha afër 8 vite më i madh se ajo. Ata ishin dakort edhe pse kishim diferencë moshe, dhe kështu së bashku me Rizain e Isufin, të cilët ishin miqtë e mi dhe ata jetonin në Elbasan së bashku me mua, shkuam në Korçë sipas traditës e shkëmbyem unazat, duke shpallur fejesën.

Domethënë, ju u fejuat me vajzën e Hajdarit, Suzanën?

Po, dhe pas disa ditësh, i shkrova një letër familjes sime, ku i lajmërova për fejesën. Në përgjigjen që më erdhi, një leter e shkruar nga motra Gjylsimeja, e cila më thoshte se: ishin të gjithë mirë me shëndet, gëzoheshin për fejesën time, më uronin mua dhe Suzanën, për jetë të lumtur, dhe më thanë se do të bënin të pa mundurën, që prindërit të mund të vinin për vizitë në Shqipëri.

A u realizua kjo dëshirë e prindërve tuaj, të vinin në Shqipëri?

Po, më 25 prill të vitit 1976, nana dhe baba, morën leje për të vizituar Shqipërinë për një muaj dhe pasi më lajmëruan ditën dhe orën se kur do të vinin në Qafë- Thanë, unë kisha marrë masat dhe së bashku me miqtë e mi, Rizain dhe Isufin, mora një taksi gjashtë vëndëshe dhe dolëm për të pritur prindërit e mi.

Si e kujton takimin me ta pas aq vitesh që ishit larguar nga familja dhe Kosova, vëndlindja juaj?

Isha në ankth të madh dhe ajo gjë më mundonte shumë, duke menduar se si do ta përballonim këtë takim pas 12 vitesh, pa u pare me njëri tjetrin. Nana dhe baba erdhën të dy të ngarkuar me nga dy valixhe të mëdha, që mezi i tërhiqnin e pasi kaluan traun, u përshëndetëm të përmalluar, ndërsa matanë, në një largësi të caktuar, në kufirin jugosllav, përshëndesnin të afërmit e mi, që kishin ardhur me përcjellë nanën dhe babën.

A patët probleme në doganë me bagazhet që sollën prindërit?

Në kohën që ne përqafoheshim, na afrohet financieri i doganës dhe na thote se këto bagazhet (valixhet) do të kthehen mbrapsht, në Kosovë, se sipas tij, nuk e lejonte ligji aq shumë ngarkesë. Kjo na befasoi, pasi sipas zakonit, familja ime kishte blerë dhurata për Suzanën dhe miqtë e mij. Ndërkaq, financieri i doganës, detyroi nanën që të hapte valixhet dhe të merrte nga një artikull, ashtu si e mendonte ajo, jo më shumë. Pjesa tjetër, do të mbyllej në valixhe e do t’i merrnin me vete në Kosovë, kur të ktheheshin. Dhe ashtu u bë, morën kryesisht dhuratat më të çmuara për Suzanën, ato që lejoheshin. Pjesën tjetër, në prani të babës e të oficerit të postës së kufirit, e mbyllën në një dhomë./Memorie.al

Vijon nga numri i kaluar

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura