“Në aeroportin e Rinasit me yje të kuq e me portrete të Enver Hoxhës, më sekuestruan të gjitha gazetat, që bleva në Fiumiçino…”/ Reportazhi i gazetarit italo-shqiptar në ’67-ën

Oct 24, 2022 | 7:12
SHPËRNDAJE

Nga Luan Rexha  

Capture

– Kujtimet e një gazetari të regjur –

Luan Rexha është një gazetar i mirënjohur në stafin e gazetës “Giornale di Sicilia” dhe “Ansa” në Itali. Pavarësisht formimit të tij italian, në zemrën e tij ka shumë mall për Shqipërinë. Libri që po i paraqitet lexuesit përmban një përmbledhje me artikuj që pasqyrojnë periudhën komuniste, në Shqipëri në vitin 1967. Siç e pohon vetë autori, ai ka qenë gazetari i parë perëndimor, që iu dha një vizë për të vizituar Shqipërinë dhe për të bërë një panoramë të vendit, lidhur me raportet e marrëdhëniet e Shqipërisë komuniste të Enver Hoxhës, me Republikën Popullore të Kinës së udhëhequr nga Mao Ce Duni. Në këto artikuj, nuk mungojnë elementet autobiografikë, që e pasurojnë edhe më tepër kuadrin e ngjarjeve.

Ato shfaqen gjithashtu edhe në romanin e tij të njohur për lexuesin shqiptar: “Vdekja i ka sytë e kaltër”, nën petkun e gazetarit Michele Sermonti, në rolin e personazhit kryesor. Autori është larguar nga Shqipëria në krahët e nënës, kur ishte vetëm dhjetë muajsh, për të filluar një jetë të re në Siçili dhe vetëm në vitin 1967, i’u dha mundësia për t’u kthyer në Tiranë, për të takuar gjyshen dhe të afërmit e tij, që nuk i kishte parë kurrë më parë. Karriera e tij është e shumë anshme: Në fillim si gazetar pranë “Giornale di Sicilia”, atij i duhet të përshkruaj Siçilinë në periudhën e Mafias, tërmetin e vitit 1967 dhe eksperiencën shqiptare.

Njëkohësisht, kontributi i tij shtrihet edhe në fushën e teatrit si, autor i disa pjesëve dhe muzikaleve e të kinotekës. Kjo i krijon atij mundësinë që të jetë në kontakt me njerëz të letrave dhe të artit. Këto ambiente janë me orientim të majtë, por, ndikimi tek ai i komunizmit italian, që është në thelb perëndimor dhe nuk mund të pajtohet me totalitarizmin e real socializmit, është i dukshëm.  Me këtë i duhet të përballet gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri. Ai përshkruan realitetin e një vendi të indoktrinuar, ku media ishte e censuruar. Në fakt, ai vëren se Shqipëria kishte kaluar nga feudalizmi në komunizëm, pa e njohur zhvillimin borgjez. Një vend të veçantë zënë dhe analizat e mënyrës së perceptimit të komunizmit nga kinezët dhe shqiptarët. Para syve të tij shfaqet realiteti i jetës së përditshme.

Ai admiron punën e njerëzve, që edhe pse vullnetare, me vështirësi dhe sakrifica, kishin ndërtuar hekurudha etj. Edhe në raportet me njerëzit që e rrethojnë, autorit i duhet të ndeshet me slloganet e regjimit, që nuk i përgjigjeshin të vërtetës si në rastin e fletë-rrufeve. Gjithashtu, një nga gjërat që i ka bërë përshtypje autorit, është fizkultura e mëngjesit, mënyra qesharake e formimit të rreshtave dhe e lëvizjeve në harmoni me drejtuesit. Luani nuk mund të pajtohet as me qëndrimin e ngurtë të komunizmit shqiptar, ndaj lirisë fetare, objekteve të kultit e besimeve që shprehet në mbylljen e tyre dhe në pamundësinë e praktikimit të fesë. Pra, tablloja e Shqipërisë, përshkruhet me ngjyra të gjalla nga autori që ka ndarë për një periudhë disa vjeçare jetën me bashkëkombësit e tij në Shqipëri.

***

               Gazeta e Siçilisë, 11 mars 1967

Shqipëria: Kina, 90 km. larg

Edhe në Tiranë, sipas shembullit të Pekinit me “gardistët e kuq”, grupet e organizatës së rinisë, sillen me ashpërsi, por Enver Hoxha arrin akoma t’i kontrollojë. Luan Rexha është gazetari i parë që ka marrë një vizë për të hyrë në Shqipëri, pas fillimit të “Revolucionit Kulturor”, që në vazhdën e maoizmit, edhe në vendin e vogël të Ballkanit ka patur efekte shokuese.

Po publikojmë artikullin e parë, si pjesë e një serie artikujsh të Luan Rexhës, mbi jetën dhe aspektet që e karakterizojnë bastionin enigmatik të kinezëve në Adriatik.

Tiranë28 shkurt

Në aeroportin e Rinasit që ndodhet afër Tiranës, ditën e ardhjes time, ishte kohë me diell. Gjendej vetëm një pistë. Në hangar, në kërkim të ndonjë reagimi dhe kudo yje të kuq me pesë cepa. Në vendin përballë godinës ku ngrihej dogana dhe bari, rrinin stafi politik kinez në Tiranë, (i shumtë në numër) dhe funksionarët e tjerë shqiptarë.

Kanë ardhur për të pritur ambasadorin e ri pakistanez, një vend që urrejtja ndaj Indisë po e shtyn drejt krahëve të Pekinit. Pas disa çastesh, m’u ngjit në lëkurë ndjenja se kisha zbritur në një botë tjetër, ndoshta më të largët se Hëna.

Përtej një muri, portreti gjigant i Enver Hoxhës, njeriu i rezistencës antifashiste, profesori – gjeneral-koloneli që u “mësoi” nazistëve se çfarë do të thotë kur terrori nuk imponohet, por pësohet, m’i nguli sytë e përhershëm si të popujve të Lindjes, ndërsa një funksionar “i zyrës politike”, sekuestroi të gjitha gazetat që kisha blerë në aeroportin e Fiumiçinos.

Pak më tutje, rreth një tavoline të shtruar, kinezë dhe shqiptarë, e presin së bashku me nderimet e shtëpisë, mikun e shquar që ka zbritur nga aeroplani i tip it “Viscount”.

Urime të ndërsjella për një bashkëpunim frytdhënës dhe dollia sipas ritit, me raki. Më ofrojnë edhe mua. Është një raki prej 22 gradësh. Të djeg. Dëgjoj se mes tyre, aleatëve ideologjikë, për t’u marrë vesh, flasin në rusisht: është revanshi “pas vdekjes”, i tradhtarëve të socializmit të Moskës.

Një raki tjetër. Jashtë ka një grup me “gardistë të kuq”, të ardhur për të sjellë përshëndetjet e Organizatës së Rinisë së Punës Shqipërisë: Djem dhe vajza te gjithë të armatosur. I kam hyrë brenda revolucionit, një revolucion pas derës tonë të shtëpisë. Pas shtatë ditëve, jam në pritje të një aeroplani tjetër, që të përpiqem që ta përshkruaj.

Veprimet e kontrollit të bagazheve zgjasin shumë. Janë librat dhe aparatet fotografike që e bëjnë të dyshojë policinë. “Jam për turizëm”, u shpjegoj, por atyre nuk u mbushet mendja.

Dikush më ka dalë përpara që të më presë. Një njeri që e njoh mirë dhe që ka të njëjtin mbiemër, por që nuk e kam parë kurrë. Në fillim lufta dhe pastaj komunizmi: një takim i shumëpritur prej njëzet e tetë vjetësh.

Ardhja e tij më bëri që ta kaloj “rrugën pa krye” të doganës. Le të shkojmë. Më dhanë lejen e qarkullimit: çdo ditë më duhet ta paraqes në Tiranë në një zyrë ku vendoset një vizë mbi shtatë kutitë që ajo përmban.

Nuk kanë besim. Për regjimin komunist në fuqi, unë jam një perëndimor, një armik, një imperalisto-kapitalist. E kaluara nuk ka rëndësi: ndonjë metër film mbresëlënës, vlen më tepër sa të njëmbëdhjetë pjesëtarët e familjes time, që u vranë nga gjermanët gjatë Luftës, duke luftuar për të njëjtat ideale, në të cilat beson shoku Sekretar i përgjithshëm i Partisë së Punës. (Enver Hoxha).

Një raki tjetër. Këtë herë gotat përpiqen me simpati: është një çështje private në sytë e Partisë. “Shëndet” – “Salute” dhe duart dridhen, por është e kuptueshme.

Zumë vend në një “Skodë” me plot probleme. Aparati i kilometrazhit ngrihet vazhdimisht, ndërsa lëmë pas me vështirësi traktorë dhe kamionë. Përshkojmë një fshat të pasur me vreshta dhe pemë. Në dy anët e rrugës, tabela me ngjyra të ndezura që i thurin lavde marksizëm – leninizmit dhe një varg me fshatarë me tuta ngjyrë blu.

I vështroj me vëmendje. Ndër ta ka shumë vajza, disa shumë të reja që nuk e kanë pamjen e atyre që kanë punuar gjithmonë tokën. “Janë anëtarë të organizatës së Bashkimit të Rinisë,- më shpjegon njeriu që ka dhënë garanci për mua në aeroport – krahët e revolucionit kulturor”.

Këtu në Shqipëri, 90 km. larg nga brigjet italiane, grupet e organizatës së rinisë komuniste të Enver Hoxhës, “kanë vënë bast me historinë”. I duhet të rifitojnë një vonesë prej disa shekujsh dhe nuk kanë mbushur akoma gjashtëmbëdhjetë vjeç. Atyre partia u kërkon çdo gjë: fjala “e pamundur”, është zhdukur nga fjalori.

Është ligji për mbijetesë që e dikton. Të rrethuar nga shtete armike, që nuk i kanë fshehur kurrë qëllimet për zgjerimin e territorit, në polemikë të papajtueshme politiko-ideologjike me “revizionistët” e Moskës, shqiptarët kanë vetëm një mik: Mao Tse-Tung-un, udhëheqësin dhe timonierin e madh, të Republikës Popullore të Kinës.

Një “raport” i vështirë për shkak të kontekstit të ndryshëm kulturor, një aleancë problematike për shkak të mungesës së vazhdimësisë së territorit, por që ecën jashtë çdo parashikimi sovjetik dhe kapërcen iluzionin e cekët perëndimor se, Kina është larg.

Për Hoxhën, rruga e re e Pekinit, ka qenë një rast për t’i kërkuar masave fshatare dhe punëtore të vendit të tij, një përpjekje kolosale kolektive për, të përparuar në rrugën e pavarësisë ekonomike. Përse? Ndoshta nga frika se mos mbështetësi i fuqishëm aziatik të dilte i mundur nga beteja e hapur kundër shtresës së burokratëve “të butë”.

Ndihma kineze (prej miliona dollarësh për kërkime të burimeve të naftës, makinerive ultramoderne për ngritjen e hidrocentraleve dhe zhvillimin e industrisë së rëndë), mund të ndërpritet nga momenti në moment. Një Kinë që do të mohonte profetin e saj, që do t’i thoshte jo revolucionit të përhershëm, duke e lënë mënjanë utopinë e barazisë në sirtarin e gjërave të pamundura, do të përbënte për Hoxhën dhe regjimin e tij, një rrezik vdekjeprurës.

Një rivendosje e raporteve miqësore ndërmjet Pekinit dhe Bashkimit Sovjetik, në të vërtetë, do të sillte “prova” të vullnetit të mirë nga ana e rebelëve që, mund të fillojnë të arsyetojnë. Sot, përtej çdo dyshimi, një nga këto “prova konkrete”, që Kremlini sigurisht do të pretendonte, është heqja dorë e kinezëve, nga bazat propagandistike dhe ushtarake në Europë.

Kjo do të thotë me pak fjalë: T’i japin lamtumirën Shqipërisë dhe porteve strategjike të Durrësit dhe të Vlorës. Fanatikët komunistë të Tiranës, do të gjendeshin kështu krejtësisht të izoluar, siç ndodhi në vitin 1961, kur kreu i Kremlinit, Nikita Kruscev-i, për të dënuar besimin e verbër tek stalinizmi të Enver Hoxhës, i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike (dhe sidomos ekonomike) me vendin më të vogël prej satelitëve të tij.

Në këtë rast, Shqipëria reagoi me ashpërsi ndaj sanksioneve ruse. Qe një “ulërimë miu” dhe për herë të parë pas ngjarjeve të dhimbshme të Hungarisë, dikush në botën komuniste, pati guximin të kundërshtonte publikisht pushtetin e pakufizuar të Moskës.

Në atë dhjetor të largët, shkëputja arriti pra të mbijetonte falë “interesimit” të menjëhershëm të Pekinit. Përkundrazi, në rastin e një pajtimi kino-sovietik në të ardhmen, Shqipëria nuk do të dijë se cilit “Shenjt” t’i drejtohet për të çuar përpara planin e saj pesëvjeçar? Vetëm Perëndimit, megjithëse ortodoksia marksiste- leniniste e regjimit të sotëm, e bën mjaft të pamundur një hipotezë të tillë.

Me pasigurinë e të nesërmes, Hoxha i thotë masave: “Kur të kemi plotësuar strukturën tone industrial, do të çojmë deri në fund luftën e dytë të çlirimit kombëtar; dhe burokratëve të lartë të partisë: Mos i shuani kritikat e brendshme, për të ruajtur privilegjet tuaja personale. Nëse ka diçka që nuk ecën duhet ndryshuar, cilado qoftë kostoja, por është e rëndësishme që kjo të bëhet sa më pare”.

Mao dhe Hoxha kanë të përbashkët vetëm armiqësinë ndaj imperial-kapitalisto-revizionistëve. Nëse i pari beson tek mendimi, i dyti mbështetet tek veprimi. I pari është bir i Konfucit dhe i dyti i Sorel-it. Revolucioni Kulturalo-Proletar kinez, është dorëlëshuar, i pakujdesshëm për rreziqet, argëtues, ndërsa ai shqiptar i ftohtë, i menduar dhe kundër dhunës.

Nëse filozofi i Pekinit ka zgjedhur rrugën e lirë të kontradiktave, duke llogaritur pasojat e tyre të çastit, por me besimin se avantazhet do të arrijnë në të ardhmen, udhëheqësi shqiptar, u jep “anëtarëve të rinisë”, një autonomi të kontrolluar, që u mjafton vetëm pak, të vënë nga ata që jetojnë “në majë”, për të shmangur mundësinë që revolucioni ta lëkundë një strukturë administrative akoma të brishtë, duke ndalur kështu atë zhvillim ekonomik, që duan përkundrazi me vështirësi ta nxisin.

Ky është njeriu, për të cilin sot, dy milionë njerëz përgatiten që të përballojnë sakrifica të mëdha dhe t’i përgjigjen me një përpjekje të vullnetshme vështirësive të panumërta që ndjekja e “dogmës” u krijon atyre. Dhe buzëqeshin, duke përshëndetur me grushtin e mbyllur portretet gjigante të shokut Sekretar (Enver Hoxha), nga kamionët që i çojnë në rajonet malore, larg çdo frike dhe i duhet t’ia rrëmbejnë tokat e reja të punueshme, Alpeve të Ballkanit.

Ata mbajnë në qafë shall të kuqe; sado që në Shqipëri gjithçka është e kuqe dhe i ngatërrojnë nganjëherë porositë që i japin nënat e tyre në shtëpi, me parullat e Komitetit Qendror të PPSH-së. Në Rogozhinë, njëqindepesëdhjetë vullnetarë po ndërtojnë një segment të linjës hekurudhore. Janë të gjithë shumë të rinj dhe i janë përgjigjur thirrjes së Partisë, duke marrë me vetë një batanije dhe librat e shkollës.

Ishte e domosdoshme që një linjë me dy binarë, të lidhte Rogozhinën me qendrën industriale të Fierit, por sipas planit pesëvjeçar, nuk ishin parashikuar fonde për këtë vepër dhe ja pra se si u vunë në veprim anëtarët e organizatës së rinisë, si “gardistët e kuq” në Kinë!

Rinia vrapon përpara, “Lavdi Partisë që na ka dhënë një hekurudhë të re”, “Falënderojmë Partinë që na udhëheq në këtë jetë të re”. Është një këngë që “Radio Tirana” e transmeton çdo ditë, në orën dy, kur kanë një orë pushim për të ngrënë. Janë të detyruar dashur padashur, por më shumë me vullnetin e tyre, që të rrinë dhjetë orë me kazmë në dorë gjatë një dimri që nuk ka të bëjë fare me klimën mesdhetare dhe janë ata që falënderojnë. Ky himn pra, është kompozuar nga nxënësit e një shkolle tetëvjeçare të Shkodrës; që për ne perëndimorët në fakt “konsumistë” ose me prirje të tilla, kjo gjë na tingëllon si e ardhur nga Marsi.

Për këtë po flisja gjatë tridhjetë kilometrave që ndajnë aeroportin me Tiranën. Njeriu i ulur pranë meje dhe që i njeh burgjet e gjysmës së Europës, u mundua të më shpjegonte Revolucionin Kulturor, marksizëm-leninizmin militant, shpresat dhe shqetësimet e Shqipërisë së re, sigurisht nga këndvështrimi i tij që, përkon me atë të një teoricieni të vjetër të Partisë. “Tani është radha jote, që të hedhësh sytë dhe të përpiqesh që t’i kuptosh problemet dhe sidomos të mos gjykosh me mllef: populli ynë ka vuajtur shumë”.

Ka një vështrim plot ëmbëlsi, por që i është nënshtruar fatit. Takimi ynë nuk do të jetë kurrë i plotë. Mund të merremi vesh derisa në bashkëbisedimin tonë të mos qëllojë një fjalë e tepërt, fjala liri.

“Fuqia juaj është ekonomike, ndërsa forca jonë është morale. Ju jetoni me frikën e të nesërmes, kurse ne jo. Për çfarë vlen të fitoni gjithnjë e më shumë, nëse nevojat tuaja rriten në progresion gjeometrik me të ardhurat që keni? Nuk do ta ndalni kurrë pakënaqësinë tonë (tuaj). Mbyllja në vetvete ju dënon me një trishtim të vazhdueshëm dhe me vetmi. Ju vuani në një ferr të artë, nuk e pyesni veten përse? Nuk mund ta kesh ndërgjegjen të qetë, kur jeton në një sistem që bazohet në shfrytëzimin e njeriut dhe kjo ndjenjë faji edhe pse nuk e rrëfeni, shtyn që të përgatitet lufta”.

Njeriu që më flet është një funksionar i lartë i qeverisë shqiptare. Është takimi i parë zyrtar me një nga njerëzit e regjimit. Kanë dashur të vihesha përballë një pyetësori “ideologjik”. Ingranazhet e organizatës ishin vënë në lëvizje.

“Forca jonë është morale”.

Qëndrimi i tij i ashpër dhe modest është në kontradiktë me idenë që ne në Itali dhe jo pa të drejtë kemi krijuar për pushtetin. Elementi misterioz në formimin e tij, të bën përshtypje menjëherë ashtu si kostumi i papërshtatshëm që e bënte të dukej grotesk, si moskurri që e di punën, mungesa e habitshme e dyshimeve. U mundova ta vlerësoj, të përqendrohem tek ai. A ishte një propagandues dinak? Një vizionar? Një i mjerë, që duhet të ndjekë direktivat e udhëheqësve, për të mos përfunduar në ndonjë provincë bujqësore. Jo, thjesht një marksist-leninist, besnik ndaj tempullit komunist që nuk bën lëshime. Memorie.al

Përktheu dhe përgatiti: Alvin Saraçi

Vijon numrin e ardhshëm

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura