Në 99-vjetorin e lindjes së të atit, dy vajzat e Zef Zorbës promovojnë “Perfectum trinum”

Apr 8, 2019 | 16:27
SHPËRNDAJE

Motrat-Zef-Zorba
Në teatrin “Migjeni”, në Shkodër, dy vajzat dhe gjithë ata që nuk e dinin, por e deshën menjëherë poetin e përkthyesin Zef Zorba, do ta kenë në duar me “Perfectum trinum”, me 103 poezi të 3 autorëve, Montale, Quasimodo dhe Ungaretti, nxjerrë në treg nga shtëpia botuese “Çabej”. Në 99-vjetorin e lindjes së tij, nisin aktivitetet që do të vijojnë deri në 100-vjetor. Disidenti i heshtur do të rikthehet kështu në vendin ku jetoi, për t’iu kujtuar sërish të gjithëve, sidomos atyre që e përjetuan komunizmin si ai, se drita është gjithnjë aty. “Kena prit aq shumë me pa dritën e botimit. Është një punë e jashtëzakonshme e jetës së tij, ndoshta edhe dashuria e tij e madhe që janë këta tre poetë hermetikë. Sepse ai edhe më vonë në jetën e tij shumë të mbyllur, faktet që dihen tashmë, zgjodhi edhe vetë rrugën e hermetizmit”, kanë thënë vajzat e poetit. Në këtë rast, fjala ka qenë edhe për studiuesen e tij, Viola Isufaj, një pjesë të së cilës po e sjellim edhe për ata që s’mundën të jenë në Shkodër.

NGA VIOLA ISUFAJ

Mbërriti te ne, në formën e një libri të shtypur, një prej punëve të vyera të artistit Zorba, i cili i zënë në pasionin eternal për dije dhe arte, ka përcjellë në gjuhën shqipe poezinë e hermetikëve italianë, në një formë poetike të veçantë e mbresëlënëse, të brishtë dhe të ndjeshme, multivalente dhe të bukur në vetvete, në një vepër që, ashtu si do vepër dhe punë e tij, rilind nga hiri i vet.

Motrat-Zef-Zorba1

Përkthimi ka meritën e komunikimit midis kombeve, kulturave të ndryshme dhe pa të ky komunikim do të ishte i pamundur. Dhe nëse flasim edhe pak për dialogun e madh njerëzor, nuk mund të mos shtonim se mu në këtë komunikim të pashtershëm, fitimtar të vendeve dhe kohërave, afirmohet zotësia e përgjithshme e letërsisë-siç do të thoshte Paul Bénichou. Përkthimi i poezisë duhet thënë se cilësohet nga shumë studiues, gjuhëtarë e shkrimtarë, si tepër i koklavitur e në disa raste edhe i pamundur. Ajo mund vetëm të rikrijohet e tjetërsuar.

Përkthimi i poezisë konsiderohet si më i vështiri dhe ka zënë një vend të gjerë në hapësirën e diskutimeve mbi përkthimin përgjatë kohërave, në krahasim me përkthimin e gjinive të tjera. Ndoshta duhet pranuar se poezia është e përthyeshme, pasi çdo gjuhë ka modelin e vet leksikor e strukturor, megjithatë vëllimi poetik që kemi përpara shënon pa diskutim rastin e suksesshëm të kësaj sfide. Në përkthimin e poezisë së hermetikëve italianë prej Zorbës vërehet me kënaqësi një balancë mes tipareve stilistikore, jashtëgjuhësore (të cilat janë thelbësore në rastin e poezisë) dhe atyre kuptimore, edhe të barasvlerësve emocionalë. Zef Zorba e zhvillon thellësisht, sipas cilësive të tij individuale, duke realizuar evokime të trishta dhe melankolike me rezonanca të shumta melodike.

Zef Zorba i dashuroi hermetikët dhe arriti të përcjellë në gjuhën shqipe fjalën e tyre poetike, pasi bota e tij përkon me të tyren në: -synimin për t’i kthyer fjalës poetike gjithë vlerën e saj shprehëse, duke përnaltësuar pafajësinë; -mungesën e referencave historike apo sociale konkrete për të universalizuar abstrakten; -realizimin e evokimit nëpërmjet teknikës së analogjive, të cilat zëvendësojnë similitudën dhe lidhen me imazhet poetike aq shumë speciale të çliruara nga ideologjia apo racionalja. Zorba ka arritur në përkthimin e tij të Montales, Kuazimodos dhe Ungaretit, të favorizojë shumëkuptimshmërinë e vargut e të verbit, lartësimin e fjalës përmes shfrytëzimit të kapacitetit evokativ të saj; duke mbërrirë kështu edhe ai në shndërrimin e poezisë në një përvojë njohëse, shpirtërore e shpëtuese. Verbi i tij i gjetur, strukturat e tij poetike kulmojnë në shprehjen e aspekteve më të thella e misterioze të ndjeshmërisë së natyrës njerëzore. Gjuha e Zorbës favorizon ambiguitetin. Përdorimi i fjalëve me kuptim abstrakt provokon një transmetim polivalent përmes karakterit plurivok të mesazheve, që lë të lirë po liseminë e që u shton karakterin e hapur e të errët poezive. Në përkthimin e tij nuk i kushtohet rëndësi receptimit të kuptueshmërisë së mesazhit, por përvojës në vetvete të aktit poetik dhe kërkimit të poezisë sublime. “La pioggia nel pineto” në përkthimin e Zef Zorbës, “Shiu në bresht”.

“La pioggia nel piketo” një nga lirikat më të njohura të D’Annunzio-s, ku poezia kthehet në muzikë, i është dedikuar verës dhe kremtimit të natyrës si burim frymëzimi dhe lehtësimi për njeriun. Ky kompozim poetik dallohet për tingëllimin e spikatur dhe duket sikur përkthen në fjalë tingujt e shiut. Poeti, së bashku më Ermionën, një grua të cilën e dashuronte fort, e lëshon veten në ndjesi, duke u përhumbur nën tingujt e shiut dhe atyre të natyrës që i rrethon. Të dy përfundojnë duke u identifikuar me natyrën, deri në atë pikë, sa të bëhen njësh me të dhe ndihen si pjesë e bimësisë. Përmbi të gjitha, Zorba, derdh në poezinë e tij, veç formimit të veçantë, dhe shijen e tij dhe ndjeshmërinë dhe sensualitetin, e këtu verbi i tij melodioz është si në përputhje të plotë me muzikën e brendshme, që ekziston në zemër të universit e që shpërfaqet në rënien e shiut. Ai ka kapur me intuitë lidhjet e fshehta që ekzistojnë në relacione të thella midis sendeve. Pra, çka është më e rëndësishme: ai ka ndierë një rend të tërë të nënkuptuar muzikor, që ekziston dhe komunikon prej brendësisë së thelbeve të fenomeneve të kësaj bote dhe të të gjitha botëve. Kurrë d’Anucio s’mund të fliste në shqip më bukur se kaq! Ndonëse nuk përdori struktura dhe tema klasike dhe ndonëse Zorba është një poet thellësisht modern, pastërtia e pabesueshme në përdorimin e teknikave për të realizuar virtuozitetet e tij poetike e bën atë një klasik modern.

Motrat-Zef-Zorba11

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura