Në 80-vjetorin e Teodor Laços, e shoqja tregon dashurinë që i bashkoi

Oct 3, 2016 | 7:15
SHPËRNDAJE

Marrëdhënia e tyre ka lindur pikërisht përmes poezisë. Mirjana Deti, bashkëshortja e Teodor Laços, ishte ende në Korçë, në fillimet e njohjes, nuk mund ta ndiqte të dashurin në Tiranë. Gjithë ç’merrte prej tij ishin telefonatat e gjata dhe poezitë. Pak ditë më parë, shkrimtari bëri 80 vjeç dhe tani ishte e shoqja që i kushtoi një poezi. Kontaktuam me Mirjana Detin për të folur më gjatë, por ajo nuk donte ta linte asnjë minutë vetëm të shoqin, gjithë sa mundej ishte të na lexonte një nga poezitë e shumta që i ka kushtuar ndër vite.

Teodor Laço me bashkëshorten Mirjana
Teodor Laço me bashkëshorten Mirjana

“Tani erdhi një nga djemtë e tij ta shohë dhe mund të flas pak, përndryshe edhe në telefon nuk përgjigjem në çdo kohë!”. Prej pak kohësh Teodor Laço nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe e shoqja do të jetë pranë tij, tani më shumë se kurrë. Këtë gjë ka bërë gjithmonë, edhe kur ishte i shëndetshëm. Edhe kur harrohej në të shkruar nuk mërzitej, por bënte gjëra të vogla që t’ia bënte punën më të thjeshtë.

“Tek im shoq kam gjetur ato cilësi, që çdo femër mund t’i ëndërrojë. E them me bindje se çdo femër tjetër nëse do të jetonte me Todin do ishte absolutisht mashkulli ideal. Në historinë tonë të dashurisë besoj se ishte fati ai që na bashkoi. Janë të rralla fatet dhe martesat kaq të përkryera si kjo e jona. Të qenit e tij shkrimtar dhe unë aktore bëri që të plotësonim shumë mirë njëri-tjetrin. Këtë gjë e kam shprehur edhe në disa vargje. Kur fle me një shkrimtar, gdhihesh poet. Teatri nuk jeton dot pa krijimtarinë artistike, pa letërsinë, janë gati të pazgjidhshme. Kjo është mrekullia e martesës sonë. Sa i takon rinisë, ajo ka shumë gjëra të vrullshme, të shpejta…, ndërsa te Teodori kam parë mençurinë, zgjuarsinë… kemi shumë të përbashkëta me njëri-tjetrin. E duam njësoj natyrën, bëjmë shumë për njerëzit, kemi të njëjtat preferenca për kolosët e letërsisë… pëlqejmë të dy Çehovin. Kur u martova me Teodorin i bëra si dhuratë një skrivani, ku ai të mund të punojë i qetë, i bleva një kitarë, një pikturë nga Dardha të cilën ai e do shumë dhe të gjitha këto i sodisim bashkë sa herë pimë kafen në verandën e shtëpisë sonë”, tregon Mirjana.

Teodor Laço
Teodor Laço

Vetëm se asnjëri prej të dyve nuk është mjaftuar me Dardhën vetëm duke parë pikturën. Të dy shkojnë në fshatin e bukur të Korçës vazhdimisht, sidomos në verë! Të dy e kanë pëlqyer gjithmonë natyrën, por kjo nuk është e vetmja e përbashkët. “Ka njerëz që mund të jenë karaktere të ndryshme, por kanë një martesë dhe jetë të lumtur, por mund të ndodh edhe e kundërta. Në rastin e ne të dyve them se kemi shumë gjëra të përbashkëta.

E ndiejmë goxha njëri-tjetrin: në krijimtarinë e tij letrare ai më konsideron mua si bashkë autore, ndonëse unë nuk e pranoj dot këtë. Jam pranë atij, e ndihmoj atë sa të mundem. Pasioni për krijimtarinë, devotshmëria për t’iu gjendur pranë njëri-tjetrit në çdo kohë, dashuria për njerëzit që na rrethojnë, shoqëria e përbashkët që ne frekuentojmë në mbrëmjet e ndryshme e organizimet e pasditeve me kitarë dhe ushqime të shijshme, i japin shumë larmi jetës sonë. Jam shumë e hapur me Teodorin. Dëgjomëni dy vargje: një libër i hapur jam unë për ty, mos e lexo i dashur trishtimin tim, vendi i huaj, vranësira ma trazoi shpirtin, mos e lexo i dashur trishtimin tim, bota ime je ti. Nuk më pëlqen loja dhe të paraqitem ajo që s’jam. Unë jam vetvetja. Pa mistere. Sepse Teodorit mund t’i rrëfej gjithçka.

 

Dhuratat, harmonia mes çiftit

Teodori ka një ndjesi shumë të hollë ndaj gjithçkaje dhe kjo më kënaq. Ne i bëjmë dhurata shpesh njëri-tjetrit piktura. Gjithashtu, edhe lulet janë të preferuarat tona. Në shtëpi ne kemi rreth 150 vazo lulesh, ndërsa në komodinën e tij nuk mungon kurrë një lule e freskët. Mbaj mend që gjatë një 8 marsi, ai më bleu një pallto të bardhë shumë e bukur. Të nesërmen gdhihej festa e 8 Marsit dhe në mëngjes mua më zgjon një poezi aq e bukur, sa më mrekulloi. Ajo pallto u zhvlerësua komplet dhe unë e kam veshur vetëm 1 herë.

Laçot dhe familja tradicionale

Ne të dy e kemi të shenjtë familjen. Këtu gjeta një ambient familjar. Ndonëse djemtë e Teodorit kanë jetën e tyre, njëri jeton në një shtëpi shumë afër nesh, teksa tjetri më larg. Gjithsesi, familja ndihet. Në një gëzim familjar apo ndonjë rast të gjithë mblidhen në shtëpinë time dhe të Teodorit. Shumë gjëra i marr përsipër vetë, kjo për t’i lënë më tepër kohë të lirë atij për krijimtarinë. E bëj me vetëdije dhe jo për hir të një nënshtrimi që duhet të ketë gruaja në si amvisë shtëpie. Nuk jam egoiste aspak kur mendoj që im shoq të ketë mundësitë më të mira për të krijuar.

Mirjana, gruaja e dytë që respekton kujtimin e së parës

Nuk janë të shpeshta rastet si i Mirjana Detit, që ka vazhduar përgjatë gjithë viteve të martesës me Teodor Laçon të respektojë edhe kujtimin e gruas së tij të parë të larguar nga jeta. “Unë dashuroja Teodorin. Por, sigurisht që nuk mund të fshija si me gomë të kaluarën e jetës së tij. Të qenit bashkëshortja e dytë, pas vdekjes së gruas së parë, për mua nuk përbën kurrfarë shqetësimi. E kaluara është e kaluar dhe ajo mbetet e tillë deri në frymën e fundit të një njeriu. Doni të dini një sekret?! Në fotografitë e murit në shtëpinë tonë janë të pasqyruara foto të së ndjerës, si dhe ato tonat. Unë i bëj përkujtimoret e vdekjes çdo vit. Pres dhe përcjell djemtë e tyre, por edhe të afërm të tjerë të saj. Shkoj për vizitë në shtëpinë e mamasë së saj. I çoj lule te varri ku ajo prehet prej vitesh. Të gjitha këto më bëjnë të ndjehem një femër kryelartë dhe e devotshme për burrin tim”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura