“Në 15 minuta kuptohet je apo jo i infektuar”, PDIU thirrje qeverisë: Testimi masiv është jetik për njerëzit

Mar 25, 2020 | 16:28
SHPËRNDAJE

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë ka reaguar PDIU, e cila kërkon që qeveria të marrë masa për testimin masiv të qytetarëve si e vetmja zgjidhje për kapërcimin nga koronavirusi.

Kreu i PDIU, Shpetim Idrizi
Kreu i PDIU, Shpetim Idrizi

 

PDIU thekson se për të kuptuar je apo jo i infektuar duhen vetëm 15 minuta dhe i bën thirrje qeverisë që të blejë kitet e nevojshme për testimin e njerëzve

Reagimi i PDIU:

Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Opozitës dhe anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit të Kombit bënë shumë mirë që u mblodhën.

Shpresojmë shumë të kenë marrë vendime të vlefshme e të qarta për sigurinë e Kombit.

Veçanërisht për ata qytetarë që kanë mbetur jashtë Shqipërie dhe që kanë nevojë urgjente për veprimin e shtetit.

Gjithashtu, shpresojmë që thirrja jonë për TESTIMIN masiv të popullsisë, të jetë vlerësuar dhe të ketë marrë disi udhë.

E theksojmë: TESTIMI masiv është ndriçimi i vetëm i rrugës ku po ecim.

Sot në treg ka metoda shumë të thjeshta testimi që zgjasin vetëm 15 minuta dhe që kushtojnë shume pak euro.

Me këtë metodë testohet e gjithë forca aktive për punë, personeli i sistemit shëndetësor dhe gjurmimi dhe evidentimi sistematik i të prekurve.

Është ekstremisht e rëndësishme, jetike të mbahet gjallë EKONOMIA.

Vetëm 15 minuta dhe kuptohet je apo jo i infektuar.

I kërkojmë qeverisë ta adoptojë menjëherë këtë metodë dhe të blejë kitet e nevojshme për testimin e njerëzve.

Kjo është rruga e sigurtë për sigurinë publike dhe rigjallërimin e jetës në vend.

Sa më parë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura