Ndue Cara, mjeku i papërtuar 73-vjeçar i fierzës

Mar 24, 2023 | 8:00
SHPËRNDAJE

ISMET BALAJ DHE MUHARREM NEZIRI

48f9b24a-e104-4aa8-bb40-db33ae29ad96

Mjeku i mirënjohur Ndue Cara ka 6 vite që ka dalë në pension, e megjithatë ai është përsëri në shërbim të shëndetit të njerëzve, në zonën më të thellë të rrethit të Pukës, atë të dy njësive administrative, Fierzë dhe Blerim, për gjashtë ditët e javës, 80 km larg nga qyteti i Pukës ku banon me familjen.

Një shembull i mirë sidomos për kolegët e tij më të rinj. Ka mjekë që shkojnë për të punuar në spitalet e Gjermanisë, por ka dhe mjekë, madje të moshuar, që udhëtojnë treqind kilometra nga Tirana, për në Tropojë, Dibër, Ersekë etj. Të jesh mjek nuk është aspak e lehtë, pasi zemra e mjekut duhet të rrahë për jetën e të tjerëve dhe të sfidojë vdekjen, duke u ngjitur në shtigje të thepisura, plot dredha e të papritura të profesionit deri sa të thonë “misioni yt mbaroi”, që nënkupton kur daljen në pension.

Por kjo nuk ndodhi me mjekun i përkushtuar Ndue Cara, që ka spikatur jo vetëm si profesionist ndër bluzat e bardha, por dhe si drejtuesi i shëndetësisë i rrethit të Pukës për 17 vjet dhe si drejtues i pushtetit vendor i zgjedhur nga populli për tre mandate, gjithsej 11 vite. I dashuruar me profesionin, sa hyjnor, aq dhe njerëzor të mjekut, i hyri vrullshëm dhe me pasion në mjekësi, këtë fushë të “minuar”, ku njeriu-pacient në zgrip të jetës, pret nga mjeku si nga Jezusi, të ndajë jetën nga vdekja dhe t’i japë jetës-jetë.

Mirditor-pukjani Ndue Cara, nga fshati Dom i ish-lokalitetit Gjegjan, kishte guxuar të bëhej mjek, të mësonte sa më shumë që në vitin e parë të shkollës së mesme në Politeknikumin Mjekësor, Tiranë, për ndihmësmjek, e deri sa diplomohet mjek i përgjithshëm në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit të Tiranës me rezultate shumë të mira. Duhej të mësonte fort për t’u bërë i aftë që me fjalën e mirë dhe aftësitë profesionale të shpëtonte jetë njerëzish e të mbillte në shpirtin e tyre shpresën dhe optimizmin për jetën.

Dhe në këtë rrugë të gjatë, sa të vështirë, plot sakrifica, por edhe shumë fisnike, e shohim këtë pasardhës të Hipokratit në vitet 1967-1969 si ndihmësmjek në spitalin e Fushë-Arrëzit, përkrah mjekut të talentuar Alfred Serreqi, i cili e mbështeti pa rezerva, deri edhe për vazhdimin me çdo çmim të shkollës së lartë, sepse shihte te Ndue Cara mjekun e ardhshëm që premtonte shumë. S’kishte se si do të ndodhte ndryshe. Nga shtatori i vitit 1969 deri në korrik 1974, Ndueja vazhdon studimet universitare dhe në vitin 1975 diplomohet mjek i përgjithshëm me rezultate të larta, për të cilat ishte investuar me të gjitha mundësitë dhe aftësitë e tij.

Fillimi i punës në spitalin e Gjegjanit të rrethit të Pukës, në vendlindjen e tij, aq sa e bënte krenar, e motivonte që t’u shërbente pa pyetur për orar e sakrifica, jo vetëm të sëmurëve të shtruar në spital, por edhe pacientëve dhe rasteve urgjente në skajet më të largëta të fshatrave të kësaj zone, nga Kushneni, në Shkozë e deri në Kimëz, Mesul e Mushtë, rrëzë Munellës. Ai i kujton me respekt pedagogët e tij të nderuar, që i kultivuan ndjenja të forta humane dhe i mësuan se shëndeti është i shtrenjtë për të gjithë, si për një njeri të varfër e pa përkrahje, ashtu edhe për atë që e bën jetën si princ, apo për një kuadër të lartë drejtues, që të imponohet edhe me pozitën shtetërore.

Edhe babai i tij, Zef Cara, i kishte thënë kur e dërgoi në shkollë të mesme: “Bir! Jeta e çdo njeriu është e shenjtë dhe e shtrenjtë, prandaj mëso sa më shumë që t’i shërbesh jetës dhe shëndetit të çdo njeriu pa asnjë dallim”. Dhe mjeku i ri e trajtonte shëndetin e njerëzve si pasurinë më të çmuar. Fillesa është e vështirë në çdo profesion. Edhe për Ndue Carën do të vepronin të njëjtat rregulla, apo ligjësi të jetës. Vetëm pasioni, këmbëngulja dhe mbi të gjitha besimi në veten e tij, bëri që ai që ai të jetë “rinor” në profesionin e tij human dhe tani që është 73-vjeçar.

Duke mos qenë asnjëherë i privilegjuar, si nxënës dhe student i dalluar, apo drejtues i shëndetësisë së rrethit dhe i pushtetit vendor, për hir të shëndetit të atyre pak banorëve në zonat më të thella të Pukës, nga fshati Flet e deri në Fierzë, dorëzon pensionin dhe shkon për t’i shërbyer jetës dhe shëndetit të tyre, në një terren të largët malor me një mungesë thuajse të plotë të kujdesit dhe shërbimit shëndetësor prej shumë viteve të tranzicionit. Në këto fshatra të thella dikush e ka marrë rrogën si mjek, por nuk i ka shërbyer popullit as edhe 2-3 ditë në muaj.

E theksojmë këtë fakt se që nga marsi i vitit 2017 e deri në ditët e sotme, mjeku Ndue Cara, nga e hëna në të shtunë punon në dy njësitë administrative: Blerim dhe Fierzë, duke banuar në një kontejner pranë digës së hidrocentralit të Fierzës. Doktor Ndue Cara ka qenë dhe mbetet “shërbëtor” i ndërgjegjes së tij. Kjo është një e vërtetë që ia njohin të gjithë ata që kanë punuar apo bashkëpunuar me të, si vlerë e një mjeku që sakrifikon për jetën e njerëzve edhe në këtë moshë të tretë. Ai, që nga fillesat e tij si ndihmësmjek në Fushë-Arrëz, e më pas si mjek në Gjegjan, Gojan i Madh, Qelëz, më vonë si drejtues i shëndetësisë apo i pushtetit vendor e deri sot është udhëhequr nga lajtmotivi se jeta përballohet me duar të pastra, me zemër të fortë, si njeri i virtytshëm që jep siguri me praninë e tij si mjek.

Autoriteti i njeriut është i madh jo sa zyra që mund të ketë, po aq sa është e madhe zemra e tij. Janë të shumtë njerëzit që dëshmojnë se Ndue Cara, që kur ishte ndihmësmjek e më pas mjek, kudo që ndodhej, kur shkonte te shtëpia në vendlindje, kur ishte kryetar komune në Gjegjan, kur udhëtonte për në Fierzë, makina apo zyra e tij kthehej në ambulancë në shërbim të shëndetit të popullit. Ndue Cara bie në sy jo vetëm si një mjek i përkushtuar, por edhe me aftësi drejtuese e organizuese.

Ai i duhej rrethit si drejtues i shëndetësisë, ku më 31 maj 1976 e emërojnë përgjegjës të seksionit të Shëndetësisë në Komitetin Ekzekutiv të rrethit Pukë. Edhe këtu spikati si vizionar dhe misionar për ndryshime rrënjësore dhe reforma, që nuk ishin shënuar për tri dekada më parë, si ulja e vdekshmërisë foshnjore, specializimet e mjekëve vendas pothuajse në të gjitha specialitetet që i nevojiteshin shërbimit shëndetësor në rreth, duke kapërcyer edhe shumë pengesa të tjera, sidomos ato biografike; shtrirjen e shërbimit të kujdesit “Nëna dhe Fëmija” në çdo fshat të rrethit; ndërtimin e spitaleve zonale dhe të ambulancave në çdo fshat etj. Më konkretisht, me shifra dhe fakte, për 17 vjet si drejtues i shëndetësisë së rrethit spikati përkushtimi, profesionalizmi dhe vizioni për transformime gjithëpërfshirëse në sistemin shëndetësor.

Në sajë të këtyre aftësive, si dhe të mobilizimit të të gjithë personelit mjekësor nga qendra e rrethit në bazë, të rritjes së kualifikimit dhe përgjegjshmërisë së tyre, të propagandës higjieno-sanitare për shëndetin e nënës dhe të fëmijës, të bashkërendimit të punës me organet e specializuara eprore e deri te organet e pushtetit vendor dhe organizatat e masave të kohës, brenda 5 vjetëve u arrit që të zvogëlohej vdekshmëria foshnjore 0 – 1 vjeç, nga më të lartat në republikë, 4 herë më pak se ajo e qershorit 1976. Ky tregues shënoi një rekord përmirësimi në shkallë vendi, krahasuar me gjendjen e mëparshme dhe kushtet specifike të rrethit Pukë.

Me tregues të tillë shpjegohet dhe jetëgjatësia e Dr. Ndue Carës në krye të shërbimit shëndetësor të rrethit. Krahas shtrirjes së shërbimit shëndetësor në çdo fshat të rrethit (12 qendra shëndetësore të reja dhe 13 të rikonstruktuara) u ndërtuan: poliklinika e specialiteteve të rrethit, reparti i ri infektiv me 25 shtretër shtesë, dy reparte të terapisë (reanimacion) për fëmijë e të rritur, kabineti i ri i radiologjisë në Pukë e Fushë-Arrëz, kabineti i ri i anatomisë patologjike dhe të ekspertizës mjeko-ligjore, klinika stomatologjike e rrethit, laborator, klinikë dentare (Iballë, Gjegjan, Fushë-Arrëz, Bushat (i Pukës); shërbimi farmaceutik (drejtoria e Farmacive, depo farmaceutike, 1 farmaci e re dhe 18 agjenci farmaceutike në fshatra; hapja e reparteve të reja pediatrike në Iballë e Gjegjan dhe ndërtimi i spitalit të ri në Fushë-Arrëz me rritje të kapaciteteve dhe shërbimeve të specializuara.

Dr. Ndue Cara ishte këmbëngulës dhe rezultativ në ndryshimin e politikave të kualifikimit dhe të specializimit të mjekëve vendas. Nga dy mjekë vendas të specializuar që kishte më 1976, u arrit në 37 të tillë për 12 specialitete (patologji – 6, kirurgji – 4, reanimacion – 2, gjinekologji – 6, laborant – 7, pediatër – 7, ORL – 1, dermatologji – 1, uronefrologji – 2, pneumologji – 2). Në këto vite rritet si asnjëherë përgjegjshmëria dhe saktësia e vaksinimit të popullsisë. Rëndësi e veçantë iu kushtua monitorimit dhe marrjes së informacionit të përditshëm nga ambulancat e çdo fshati për gjendjen e shëndetit të nënës dhe të fëmijëve 0-1 vjeç në veçanti, dhe përgjithësimit të përvojës në shkallë rrethi përmes qarkoreve periodike.

E megjithatë personaliteti i tij rrezatonte thjeshtë, mirësi e urtësi. Detyrat shtetërore nuk ia rritën mendjen, përkundrazi. Ai diti të fitonte besimin e njerëzve si kur u emërua, ashtu dhe përmes zgjedhjeve me votë drejtpërdrejt nga populli. Mjeku Ndue Cara është një përfaqësues i denjë i elitës së mjekëve dhe drejtuesve vendorë, jo vetëm në Pukë por edhe më gjerë, duke u rreshtuar ndër njerëzit që dhanë më të mirën e mundshme dhe guxuan të lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e atyre që e njohën përmes punës mbi 50-vjeçare në pozicione të ndryshme ku i shërbehej popullit. Ndonëse prej 40 vjetësh jeton në qytetin e Pukës, kurrë nuk i shkëputi lidhjet me vendlindjen dhe fshatrat e zonës së Gjegjanit.

Autoriteti i tij si mjek apo drejtues nuk manifestohej kurrë te qëndrimi i ftohtë ndaj të sëmurit, hallexhiut, por te zemra e tij e madhe. Kjo është edhe arsyeja që pas një mandati si kryetar i Bashkisë Pukë 2001 – 2004, zgjidhet për dy mandate kryetar i Komunës Gjegjan 2007 – 2015. Ka qenë zgjedhur anëtar i Këshillit të Bashkisë Pukë, anëtar i Këshillit të Qarkut Shkodër, kryetar i Urdhrit të Mjekut, i Kryqit të Kuq të rrethit etj. Ka realizuar disa publikime me karakter studimor, përvoja drejtuese, tema për edukimin shëndetësor të popullatës, të botuara në broshura dhe almanakë të ndryshëm, ka mbajtur leksione si trajnues i mjekëve të familjes të rrethit.

Është nismëtar në shëndetësi i projektit për ristrukturimin e drejtorive të institucioneve shëndetësore në rrethet e kategorisë së dytë e të tretë (1993), studim që zbatohet edhe në ditët e sotme. Ka kontribuar dhe për reformën administrative – territoriale të mëvonshme, ku njëri prej propozimeve të tij u zbatua në zgjedhjet e vitit 2015. Ai kurrë s’ka kërkuar grada e tituj, por cilido që analizon ata që kanë marrë titujt “Qytetar Nderi” të Bashkisë Pukë, gjykon se Ndue Cara e meritonte shumë më para dhe më herët një vlerësim të tillë. Por ai për këtë, me qetësinë olimpike që e karakterizon, thotë: “Dekorata më e madhe për mua është vlerësimi që më kanë bërë njerëzit e thjeshtë të popullit”.

Ndue Cara është pjesë e çmuar e historisë së mjekësisë së rrethit të Pukës, si mjek dhe drejtues i saj, si kryebashkiak e kryekomunar, dhe tani prej gati 6 vitesh si mjek familjeje në dy njësitë më të thella administrative të Bashkisë Fushë-Arrëz, në Blerim dhe në Fierzë. Njerëzve të tillë u flet puna dhe jo fjalët, thuhet në ato anë. Kjo është dekorata më e madhe dhe e vlefshme për të. Bash për këtë pa-pleqëri të tij nuk rrinim dot pa i shkruar këto radhë, edhe si një mesazh për ata intelektualë që nuk i kthejnë më sytë nga periferia. Ndue Cara na thotë me shembullin e tij se Shqipëria duhet të shërbehet në çdo skaj të sajin, ku njerëzit presin dorën e ngrohtë të shtetit dhe shoqërisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura