Ndryshon skema për legalizimet, afatet e reja për hipotekimin e shtëpive

Jul 26, 2017 | 15:26
SHPËRNDAJE

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, ka konfirmuar nismën për krijimin e një institucioni të vetëm në strehën e të cilit do të jenë tri institucione kyçe, përkatësisht ALUIZNI, Agjencia e Pronave dhe Hipoteka.

Kjo do të shmangë, sipas ministres, sorollatjet e qytetarëve dhe vonesat në ndarjen e certifikatës së pronësisë. Ndërsa pranoi se ka ende qytetarë që nuk kanë marrë tapinë, pavarësisht se janë pajisur me leje, Gjermeni nënvizoi se kjo ka ardhur sa prej vështirësive, mungesës së koordinimit, ashtu edhe prej mospërputhjes së hartave që përdoren aktualisht nga ALUIZNI dhe Hipoteka.

Eglantina Gjermeni
Eglantina Gjermeni

“Angazhimi i Kryeministrit Rama është që të zgjidhen dhe të mirëkoordinohen këto çështje të pronave, duke bashkërenduar punën dhe duke ngritur një institucion të vetëm që qytetarët të mos kenë probleme sorollatjeje dhe vështirësi nga njëra zyrë në tjetrën, por në momentin që marrin certifikatën e legalizimit, institucioni që do të krijohet ta zgjidhë një herë e mirë dhe çështjen e tapisë, pra çështjen e hipotekës së pronës, duke ia dhënë dokumentin në dorë qytetarit. Ky do të jetë një angazhim madhor dhe them se do të jetë një arritje e padiskutueshme për mandatin e dytë qeverisës”. Përmes një interviste dhënë për “Vizion Plus”, Gjermeni u ndal edhe në ecurinë e planeve rregulluese, projektin për rilindjen urbane, si edhe në legalizimin e shtesave.

Si e konsideroni procesin e legalizimit në 4 vite? Mendoj që për legalizimet, siç ishte angazhimi ynë për 2013- n, që brenda mandatit të parë duhet të përfundonim legalizimet në zonat informale, ia dolëm mbanë me sukses. Kjo falë punës së përgjegjshme dhe me mjaft impenjim dhe përkushtim, të punonjësve të ALUIZNI-t. Më vjen shumë mirë të them se numri i legalizimeve, sot që flasim, është rreth 140 mijë, krahasuar me 21 apo 22 mijë që ka bërë qeveria e mëparshme, në tetë vite. Pra, arritëm që brenda mandatit të parë qeverisës ta pesëfishonim numrin e legalizimeve, duke mbajtur në konsideratë faktin që afati kohor është relativisht i shkurtër, pasi në vitin e parë na u desh që të sistemonim dokumentacionin e gjetur dhe, për më tepër, të ndryshonim ligjin ekzistues dhe të bënim ligjin e ri për legalizime falas.

Ka qenë angazhimi i madh i qeverisë Rama dhe e theksoj që, mbi 90 % e legalizimeve që kemi kryer janë banesa për qytetarët, krahasuar me faktin që me qeverisjen e mëparshme shumica e objekteve të legalizuara ishin bare, restorante apo objekte biznesi, ndërkohë që ne jemi fokusuar kryesisht te legalizimi i banesave për qytetarët. Më vjen shumë mirë të them që kemi arritur një objektiv apo angazhim që kishim marrë përsipër dhe pikërisht për të trajtuar nevojat specifike të qytetarëve për shkak të kompleksitetit që ka ky proces, legalizimi në vetvete, dhe për shkak të kaosit apo të ndërtimeve të gjithfarëllojshme që janë bërë gjithë këto vite tranzicioni, na është dashur të ndryshojmë 4 ligje, përgatitur rreth 24 vendime të Këshillit të Ministrave, pikërisht për të adresuar këtë kompleksitet të procesit të legalizimit, nevojave specifike që kanë qytetarët dhe për ta lehtësuar apo realizuar me sukses atë.

Ku do të jetë fokusi? Unë e theksova që procesi i legalizimit ishte angazhimi i parë që do të bëhej, kryesisht në zona informale. Procesi i legalizimit do të vazhdojë brenda mandatit të dytë qeverisës, për ta zgjidhur një herë e mirë këtë çështje, për ta përfunduar këtë proces. Ndërkohë që do të punohet paralelisht me legalizimin dhe urbanizimin e zonave informale, si një angazhim tjetër i qeverisë Rama, duke dashur që në zonat informale të krijohet infrastruktura e duhur dhe të bëhen sa më urbane, për t’i kurorëzuar me sukses dhe këto përpjekje për urbanizimin e zonave informale, të cilat kanë filluar që në mandatin e parë, duke harmonizuar këto dy procese, legalizim dhe urbanizim. Ndërkohë që dua të theksoj se një nga angazhimet tona është edhe zgjidhja një herë e mirë e ngërçeve apo problematikave që kemi pasur me hipotekat.

Është e vërtetë që ne kemi bërë një numër të madh legalizimesh, ndërkohë që një pjesë e tyre nuk kanë marrë tapi nga hipotekat dhe them që ka pasur ngërçe, vështirësi, mungesë të koordinimit apo mospërputhje hartash nga dy institucione, ALUIZNI dhe Hipoteka, dhe në këto kushte mendoj që angazhimi i Kryeministrit Rama, për mandatin e dytë qeverisës, është që të zgjidhen dhe të mirëkoordinohen këto çështje të pronave, duke bashkërenduar punën dhe duke ngritur një institucion të vetëm që qytetarët të mos kenë probleme sorollatjeje dhe vështirësi nga njëra zyrë në tjetrën, por në momentin që marrin certifikatën e legalizimit, institucioni që do të krijohet do ta zgjidhë një herë e mirë dhe çështjen e tapisë, pra çështjen e hipotekës së pronës, duke ia dhënë dokumentin në dorë qytetarit. Ky do të jetë një angazhim madhor dhe them se do të jetë një arritje e padiskutueshme për mandatin e dytë qeverisës. Nëse flasim për legalizimin e shtesave në pallate, si do të vijojë procesi?

Për sa i përket çështjes së shtesave të pallateve, ne kemi miratuar një vendim të Këshillit të Ministrave për t’i trajtuar ato dhe për t’i legalizuar falas, për qytetarët. Ky është një proces me disa hapa, i cili ka filluar që në këtë mandat të parë qeverisës dhe është kërkuar nga subjektet ndërtuese, të cilat kërkojnë ndihmën për legalizimin dhe nëse këto subjekte nuk janë të interesuara brenda një afati të caktuar kohor, qytetarët do të kërkojnë këtë legalizim falas dhe do të ndihmohen nga zyrat e ALUIZNI-t.

Ky është një proces që ka filluar këtë mandat dhe do të vazhdojë edhe në mandatin tjetër qeverisës. ALUIZNI nuk e ka ndërprerë punën për sa i përket mbledhjes së dokumentacionit, bërjes së matjeve dhe kryerjes së legalizimit për shtesat e pallateve. Kur do të jetë koha kur të 61 bashkitë do të kenë secila nga një plan rregulluese, plan i cili do të na tregojë të ardhmen e këtyre qyteteve se kur do të zhvillohen? Kur do të jetë ky afat, pasi është folur shumë për këtë çështje?

Është folur dhe është bërë shumë, për sa u përket planeve të përgjithshme vendore. Unë dua të theksoj se, që me krijimin e Ministrisë së Zhvillimit Urban, nisma e parë ka qenë për hartimin e një plani të përgjithshëm kombëtar të territorit, Shqipëria 2030, duke dashur që vërtet plani i zhvillimit të Shqipërisë të jetë afatgjatë, një zhvillim i qëndrueshëm, vizionar, me piketat kryesore, mbi të cilat po realizohen edhe planet e përgjithshme vendore. Filluam punën me 26 bashki, duke i mbështetur me fondet e Qeverisë Rama, për të hartuar planet e përgjithshme vendore. Ndërkohë, me ndihmën e USAID-it, 5 bashki të tjera janë mbështetur për të hartuar planet e tyre të përgjithshme vendore, plane të cila janë miratuar në Këshillin Kombëtar të Territorit, 5 bashki të tjera po mbështeten nga Organizata për Qeverisjen Vendore dhe Organizata Zvicerane dhe e përfundojnë këtë proces brenda këtij viti.

Me fondet e Ministrisë së Zhvillimit Urban, 7 bashki mbështeten këtë vit për hartimin dhe miratimin e planit të përgjithshëm vendor të tyre. Them që janë 43 bashki, të cilat po mbështeten nga Qeveria shqiptare dhe donatorët, brenda këtij viti, për të përfunduar procesin e hartimit të planeve të përgjithshme vendore. Në total, 44 bashki, brenda vitit, pretendojmë që t’i kenë të hartuara planet e tyre të përgjithshme vendore.

Për vitin tjetër, Ministria e Zhvillimit Urban ka parashikuar fonde për 17 bashki të tjera dhe pretendojmë që, brenda vitit që vjen, të 61 bashkitë (bashkitë e reja) të krijuara mbas reformës territoriale administrative të kenë planet e përgjithshme vendore, të cilat janë platforma zhvillimi për këto bashki të reja, që japin piketat e zhvillimit për 15 vitet e ardhshme; janë një dokument i cili parashikon mënyrën se si do të zhvillohen bashkitë, zonat rurale dhe urbane; janë një garanci më shumë për investitorët vendas dhe të huaj, pa dyshim lehtësojnë edhe procesin e lejeve të ndërtimit; janë dokumente fleksible, të cilat mund të ndryshojnë dhe të rishikohen në periudha periodike, por ama drejtimet kryesore të zhvillimit të bashkive, në varësi të potencialeve që ato kanë, janë pikërisht këto dokumente që hartohen nga bashkitë, me ndihmën e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe, në të njëjtën kohë, janë dokumente të cilat i paraprijnë zhvillimit.

Për mua si ministre, ky proces është historik, pasi për herë të parë bashkitë do të kenë planet e tyre të përgjithshme vendore, duke i dhënë fund zhvillimit kaotik dhe spontan të territorit, por i paraprihet një zhvillimi të qëndrueshëm të planifikuar të territorit. Kjo është një përqasje, e cila ka rezultuar e suksesshme në të gjithë botën, në qoftë se vërtet zhvillimi bëhet në mënyrë të planifikuar. Dhe meqenëse folëm për çështjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe jo kaotik, këto katër vite pamë të implementohej projekti i Rilindjes Urbane, që u fokusua në qendra qytetesh.

Në këtë 4-vjeçar të ri qeverisës, cila do të jetë risia e këtij projekti, çfarë shtrirjesh do të marrë Rilindja Urbane, apo do të vazhdojë me qendrat e qyteteve? Programi i Rilindjes Urbane është një nga programet e suksesshme të Qeverisë Rama, duke u ndryshuar fizionominë të gjitha bashkive, nga Veriu në Jug, ka dyfishuar vlerën e pronës në bashkitë ku është ndërhyrë, ka ndikuar në rritjen dhe nxitjen e sipërmarrjes, pa dyshim ka ndryshuar fizionominë e qyteteve duke i bërë ato më atraktive, duke rritur edhe numrin e turistëve të huaj dhe vendas dhe ka krijuar edhe mundësi punësimi.

Pra, rëndësia e këtij programi ka qenë disa fish, duke dashur që impakti, ai kryesori, të ishte në përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve. Në mandatin e dytë angazhimi i Qeverisë Rama është që kjo Rilindje Urbane të vazhdojë dhe të transferohet, me fokus kryesisht në zonat rurale. Dhe dua të theksoj që edhe brenda këtij mandati të parë qeverisës, sigurisht që filluam me qendrat e qyteteve, si nxitës apo promotorë të zhvillimit, duke vazhduar edhe me hapësira rurale apo me projekte strategjike që nxisin zhvillimin ekonomik, social dhe punësimin në bashki të ndryshme.

Shumëllojshmëria e projekteve të Rilindjes Urbane është mjaft e gjerë, duke filluar me qendrat e qyteteve, hapë- sirat publike, parqet, pa dyshim rrugë rurale dhe urbane, duke ngushtuar diferencat e qyteteve, atraksionet turistike, rehabilitimin e zonave të gjelbra, projektet e infrastrukturës urbane, projektet e zhvillimit të infrastrukturës turistike, projekte të përmirësimit të zonave të biznesit, tri projekte pilot për urbanizimin e zonave informale dhe sigurisht ka pasur edhe projekte specifike për rrugë bujqësore, për të nxitur fermerët për të çuar produktet në treg ose për të importuar.

Pra, larmia ka qenë mjaft e gjerë, ndërkohë që thuajse të 61 bashkitë kanë përfituar për qendrat e qyteteve edhe projekte specifike, sipas planit që ato kanë pasur dhe, nga ana tjetër, këtë mandat jemi të angazhuar që projekti do të vazhdojë edhe në zonat rurale, duke ngushtuar diferencat e hapësirave rurale me ato urbane, ndërkohë që do të fokusohemi në projektet ndërvendore, projekte rajonale dhe, si të tilla, bëhen në më shumë se dy bashki, duke theksuar një zhvillim apo një përqasje të re të zhvillimit rajonal në Shqipëri, për të pasur një promotor më shumë për sa i përket zhvillimit ekonomik dhe social në këto zona.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura