Ndryshon sërish skema, si do aplikojnë maturantët në universitetet publike e private

Jun 29, 2020 | 19:25
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Një ndryshim i papritur e pa lajmëruar në kohë, si ai për pranimet në universitete, veçse do të zgjonte zemërimin e maturantëve që ende nuk e kanë harruar “Turin” në testin e Gjuhë-Letërsisë. matura-nxenes-provimi10

Kështu e kanë menduar ekspertët e arsimit të lartë, të cilët, pasi nxorën një udhëzim që ulte mundësitë e aplikimeve dhe shkurtonte fazat e regjistrimeve raund pas raundi, vendosën t’i çojnë siç ishin. Një udhëzim i dytë, më 23 qershor, vetëm katër javë pas atij nr.15 të datës 26 maj në faqen e Ministrisë së Arsimit nuk bën tjetër, veçse hedh poshtë këtë të fundit, duke lënë përfundimisht në fuqi udhëzimin e vitit të kaluar për aplikimet dhe pranimet në universitete.

APLIKIM-PRANIMET

Maturantët nuk kanë përse të mësojnë çdo vit një skemë të re aplikimi. E vjetra parashikon tri raunde aplikimregjistrimesh, datat e të cilëve pritet të dalin për pak ditë nga Qendra e Shërbimeve Arsimore. Tabela brenda shkrimit sqaron në vija të përgjithshme gjithë procesin që zakonisht nis në fund të korrikut e zgjat deri në nëntor me ezaurimin e kuotave të mbetura bosh. Tashmë është periudha që maturantët mendojnë dhjetë degët e preferuara që do të rendisin në Formularin A2.

Nga këtu nis zyrtarisht raundi i parë. Preferencat shkojnë në Qendrën e Shërbimeve Arsimore, e cila, bashkëngjitur me rezultatet e provimeve dhe notës mesatare, ua nis universiteteve. Në datat e shpallura nisin regjistrimet. Nuk do të jenë gjashtë (siç parashikohej në udhëzimin surprizë), por shtatë faza 48-orëshe, pas së cilave do të shpallen vazhdimisht fitues me zhvendosjen e vizës së kuqe.

Në përfundim të tyre do të nisë e njëjta betejë, me një Formular A3, ku do të luftohet jo për shtatë degë (siç dëshironte MAS), por dhjetë. Edhe koha në dispozicion, pra, raundet e regjistrimit do të vijojnë të jenë pesë faza 48-orëshe, dhe jo katër, siç u vendos në maj. Mundësitë e aplikimit për vendet bosh që, fundja, edhe universitetet duan t’i ezaurojnë, mbeten po dhjetë, ndërsa regjistrimet me tri faza.

EZAURIMI I KUOTAVE

E vetmja gjë, për të cilën ekspertët e kanë gjykuar të vlefshme, është pika ku trajtohet plotësimi i kuotave të lira. Duke qenë se vitin e shkuar shumë studentë të regjistruar rrezikonin pasi nuk plotësohej numri i duhur për të hapur një profil studimi, dekanët u detyruan t’i kalonin në programe të ngjashme brenda të njëjtit fakultet. Udhëzimi i MAS iu lë dorë të lirë ta bëjnë një gjë të tillë, pa barriera.

“Kuotat e paplotësuara në përfundim të raundit të parë për çdo program studimi mund të përshtaten nga IAL-të në programe të tjera studimi të të njëjtit cikël të ofruara brenda së njëjtës njësi kryesore, pa kaluar totalin e kuotave për njësi kryesore, dhe njofton zyrtarisht MASR për vendimin e Senatit Akademik mbi përshtatjen e kuotave të programeve të studimit. Në rast se përshtatja e kuotave është sipas përcaktimeve ligjore, MASR njofton IAL-të, RASH dhe QSHA për konfirmimin e përshtatjen së kuotave”, citohet në udhëzimin e ri për aplikimet dhe regjistrimet në universitete.

Në fund fare, pas përfundimit të tri raundeve, në rast se rezultojnë ende kuota të lira, universitetet nuk vazhdojnë më me të njëjtën listë kandidatësh deri në realizimin e kuotave, por marrin në konsideratë edhe listën e raundit paraardhës.

RAUNDET APLIKIME REGJISTRIME
RAUNDI I 10 programe 7 faza 48-orëshe
RAUNDI II 10 programe 5 faza 48-orëshe
RAUNDI III 10 programe 3 faza 48-orëshe

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura