Ndryshon Pazari i Ri, Veliaj: Zona më e madhe e biznesit

Oct 8, 2015 | 10:32
SHPËRNDAJE

Projekti i prezantuar që në fillim të mandatit të kësaj bashkie, ai për shndërrimin e Pazarit të Ri, ka nisur dje punimet për të qenë gati për qytetarët pranverën e vitit 2016. Për kryetarin Erion Veliaj ky projekt që përfshin edhe një nënkalim, parking dhe krijimin e një zone pedonale është shembull në mënyrën si duhet të menaxhohet një vepër publike.

Veliaj dje gjatë prezantimit të projektit
Veliaj dje gjatë prezantimit të projektit

“Ky pazar dhe ky investim do të bëhen shtysë e mëtejshme e zhvillimit të Tiranës. Kjo do të jetë zona e biznesit më të madhe që kemi bërë deri tani. Menaxhimit të përbashkët për Pazarin e Ri, në një model të ri biznesi, të jetë më i miri që kemi pasur në përvojën e këtij bashkëpunimi në Tiranë”. Me seriozitetin që e karakterizon e me humor, Veliaj tha se ndihet dyfish i lumtur që po i kthen faqen zonës ku dikuar ai punonte në vegjëli. “Unë jam ai i fiqve, dhe sot jam i lumtur që në vendin ku kam punuar si fëmijë të fillojmë këtë projekt të ri për njerëzit që s’kanë prekur punë me dorë. Kjo do të vazhdojë si lojë humori, por për njerëz duarartë do të jetë një projekt”.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe Michael Granoff, përfaqësuesi i Fondit Amerikan të Zhvillimit, që theksoi rëndësinë e investimit si një shtysë për zhvillimin e qytetit. Pas 6 muajsh, Pazari i Ri do të kthehet në zonë shërbimi, por edhe destinacion turistik për qytetasit e të huajt.

Më herët, kur sapo Veliaj prezantoi shndërrimin që do t’i bënte Pazarit të Ri, pati një debat mes tij dhe paraardhësve, të cilët pretendonin se një projekt të tillë “ia kishin lënë gati” pas një pune 2-vjeçare me Fondacionin Amerikano-Shqiptar të Ndërmarrjeve. Në këtë ceremoni u firmos edhe një marrëveshje midis Bashkisë së Tiranës, Fondit Amerikan të Zhvillimit në Shqipëri, Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura