Ndryshon Ligji, shkrihet Qendra e Artit dhe Teatri i Komedisë

Mar 12, 2014 | 13:10
SHPËRNDAJE

Mirela Kumbaro, dje në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik
Ministrja e Kulturës, seancë dëgjimore në Komisionin e Mediave

Projektligji ndan në mes artistët dhe deputetët, pro dhe kundër ndërrimit të emrit të TKK

Centralizim të kompetencave e ka konsideruar opozita propozimin për shkrirjen e Qendrës Kombëtare të Artit dhe Kulturës, edhe pse argumentuar nga ministrja Mirela Kumbaro ky institucion jo vetëm nuk i ka kryer funksionet e përcaktuara me ligj, por edhe i ka shkaktuar shtetit një borxh prej 26 milionë lekësh të rinj.
Dje, në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, u thirr për një seancë dëgjimore në lidhje me disa ndryshime në ligjin “Për Artin dhe Kulturën” ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Kumbaro u ndal në dy propozimet, që lidhen me shkrirjen e QKAK-së, dhe ndryshimin e emrit të Teatrit Kombëtar të Komedisë. Tema këto që kanë shkaktuar debat mes anëtarëve të Komisionit, të cilët kanë kërkuar argumentim të mëtejshëm për ndryshimet, por ka ndarë më dysh edhe komunitetin artistik. Pas relacionit të ministres Kumbaro, ishin thirrur edhe përfaqësues të grupeve të interesit. Të pranishëm ishin drejtori i TKK, Kastriot Çipi, drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, dramaturgu Mihal Luarasi, regjisori Kiço Londo dhe drejtori i TKOB-së, Ilir Kerni. Qëndrimi i tyre shprehte në një farë mënyre atë të grupeve që ata përfaqësonin. Disa ishin pro e disa kundër ndryshimit të Teatrit Kombëtar të Komedisë. Pavarësisht debateve dhe mendimeve kundër, në fund të kësaj seance, Komisioni miratoi ndryshimet në ligjin “Për artin dhe kulturën”.
Shkrirja e QKAK
Shkrirjen e QKAK-së, Mirela Kumbaro, e argumentoi me mospërmbushjen e funksioneve që i ngarkonte ligji, se nuk ka qenë transparent në ndarjen e fondeve dhe, mbi të gjitha, ka tejkaluar buxhetin prej 30 milionë lekësh që i ishte akorduar, duke i lënë Ministrisë një borxh prej 26 milionë lekësh të rinj. “Në media dhe në Ministri janë bëre mal ankesat nga subjektet artistike dhe nga grupet e interesit në fushën e artit dhe kulturës”, u shpreh Kumbaro. “Asnjëherë s’ka qenë e saktë fusha e veprimit të qendrës, duke iu mbivendosur artificialisht Drejtorisë së Artit në Ministrinë e Kulturës, duke çuar edhe në dështime të projekteve artistike ose në mospagesa të aktiviteteve të kryera, madje edhe të porositura nga vetë Ministria, siç ka qenë rasti i disa aktiviteteve të 100-vjetorit, që sot e kësaj dite nuk janë paguar”, tha Kumbaro. Ajo e quajti “artificiale” ekzistencën e këtij institucioni, i cili filloi të funksiononte si i tillë në fund të vitit 2012, edhe pse ishte miratuar që në 2010-n. Deputetja Luiza Xhuvani, e cila vjen nga fusha e teatrit, mbështeti relacionin e ministres, duke u shprehur se QKAK ishte kthyer në një “qendër qokash” dhe se shkrirja e saj është një emergjencë. Rezerva pati nga deputetët e opozitës, të cilët shprehën mendimin që kjo qendër të mos shkrihet, por të ndryshohet drejtuesi e të forcohet kontrolli mbi të.
Ndryshimi i emrit të Teatrit të Komedisë
Sa i takon ndryshimit të emërtesës së Teatrit Kombëtar të Komedisë në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Kumbaro u shpreh se ky emërtim është i pajustifikuar dhe i mbyll dyert gjinive të tjera. “Të hapet skena për të gjitha format e artit skenik, t’u hapen dyert artistëve të rinj dhe formave bashkëkohore”, tha Kumbaro, duke shtuar se nga ana e artistëve nuk ka pasur ndonjë entuziazëm për hapjen e këtij institucioni, i cili fokusohet vetëm te një gjini. Anëtarët e Komisionit, Eleina Qirici apo Luçiano Boçi, i kërkuan ministres të argumentonte më tej këtë ndryshim, duke u nisur prej faktit që Teatri Kombëtar i Komedisë ka pasur një bilanc pozitiv në numër shfaqjesh, spektatorësh e cilësie. Ndërkohë që Kumbaro u përgjigj se ky ndryshim do të krijojë më shumë mundësi artistët. Pretendimit të Kumbaros se më parë është konsultuar me komunitetin artistik, kryetari i komisionit, Genc Pollo, i kundërvuri një peticion të nënshkruar nga bordi i TKK-së, dërguar kryetarit të Parlamentit Ilir Meta, ku ndër të tjera thuhej se nuk ishte e vërtetë që ministrja kishte komunikuar me ta. Çka u ripërsërit më pas nga drejtori i TKK, Kastriot Çipi. Sipas Kumbaros, ky peticion nisej tërësisht nga interesa të ngushtë personalë, ndërsa qëllimi i këtyre ndryshimeve është përfshirës.

Çipi: Shpërfillja, pasoja për kulturën
Ne jemi njohur shumë vonë me ndryshimet në ligj, nuk kemi pasur asnjë komunikim me Ministrinë e Kulturës për këto tema, vetëm kur u njoftuam nga sekretariati i Kuvendit. Në takimin që kemi zhvilluar në Ministrinë e Kulturës, askush nuk ka kërkuar ndryshim, madje TKK ishte i vetmi që u lavdërua në atë mbledhje. Mendimin për ndryshimin e emërtimit të TKK, ministrja e ka dhënë në një intervistë për “Deeutche Zeitung”.  Nuk ka në asnjë vend të botës “teatër kombëtar eksperimental”. Shpreh nderim për regjisorin Kujtim Spahivogli, por ai ishte iniciator i teatrit të të rinjve dhe jo i teatrit alternativ. Shpërfillja e komunitetit artistik dhe i njerëzve që punojnë në TKK, që ka pasur vetëm rritje dhe duhet thënë që është teatri që funksionon më mirë në Shqipëri, është tendencioze dhe me pasoja për kulturën.

Luarasi: TKK të mos ndryshojë
Nuk e kuptoj pse Teatri Kombëtar i Komedisë duhet të kthehet në një Teatër Eksperimental. Nuk ekziston në asnjë vend të botës, madje edhe institucionet shkencore që merren me eksperimente nuk e shkruajnë mbi tabelat e tyre. Ky ndryshim më duket një absurditet. Jam në një mendje për vendosjen e emrit të teatrit “Kujtim Spahivogli”, duke nderuar emrin e një regjisori të madh, por nuk jam dakord që të ndryshojë teatri, i cili është teatri me më pak shpenzime, që ka futur i pari kontratat e shkurtra 6-mujore me artistët, nuk ka një trupë fokse dhe shpresoj që këtë metodë ta përvetësojë dhe Teatri Kombëtar. Nuk e shoh të arsyeshme ndryshimin e karakterit të teatrit. Është shumë mirë ashtu siç është.

Çuli: Qendra s’ka arsye të ekzistojë
Shkrirja e Qendrës Kombëtare për Artin dhe Kulturën, për mua është gjëja më e mirë që po bën Ministria e Kulturës. Drejtori i Qendrës, me borxhet që la dhe mënyrën si e korruptoi identitetin e kësaj qendre, tregoi se ky institucion paralel me Drejtorinë e Artit në Ministrinë e Kulturës nuk ka asnjë arsye për të ekzistuar. Janë harxhuar para lart e poshtë dhe vetëm për art nuk janë përdorur. Marr si shembull vitin e Pavarësisë, kur buxheti ishte zero, sepse të gjitha u përdorën për festimet. Për Teatrin e Komedisë, e mirëkuptoj z. Çipi, por dua të them se Ministria e Kulturës po tenton të krijojë një hapësirë që nuk dublon Teatrin Kombëtar, por një hapësirë multifunksionale dhe në këtë pikë nuk shoh asgjë të keqe, përveç krijimit të hapësirave më të mëdha për të gjithë. Sa i takon emërtimit eksperimental, kjo mbetet për t’u diskutuar.

Londo: 70% e parave të shkojnë në rrethe
Nuk mendoj se kalimi i parave në Ministrinë e Kulturës do ta zgjidhë këtë problem, pasi është krijuar një gropë e zezë që quhet Tiranë. Të gjitha fondet përqendrohen në kryeqytet; duhet të përcaktohet me ligj që 70% e fondeve të dalin nga Tirana. Është paradoksale që institucionet kulturore në rrethe të mos kenë lidhje me Ministrinë e Kulturës. Teatri Kombëtar i Komedisë është një institucion i krijuar me inat. Është mëkat të thuash që nuk ka punuar, por emërtimet i komedisë apo eksperimental janë absurde. Çdo vënie është një eksperiment. TKK të quhet teatër alternativ, t’i hapë dyert të rinjve dhe të zgjidhë edhe çështjen e dramës shqipe, që prej 25 vjetësh nuk merr drejtim.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura