Ndryshon ligji për “Tatimin mbi të ardhurat”, kategoritë që preken! Nisin të aplikohen nga janari i vitit të ardhshëm

Jun 17, 2022 | 13:42
SHPËRNDAJE

Zbardhet drafti i qeverisë për “Tatimin mbi të ardhurat”. Pas shumë debatesh që shkaktoi, nisma ligjore është hedhur një ditë më parë për konsultim.

paga-te-ulta

Por ata që preken nga kjo pakete e re, e cila sipas grupeve të interesit vjen në një kohë të papërshtatshme për shkak të çekuilibrit të shkaktuar nga kriza, janë individët tregtarë dhe të vetëpunësuarit, përfshirë profesionet e lira. Këto kategori, duke nisur nga viti që vjen, do të paguajnë më shumë taksa. Një detyrim vjetor që llogaritet deri në rreth 1 milion lekë.

TATIMI

Tregtarët dhe të vetëpunësuarit, përfshirë profesionet e lira, do të taksohen me 15 për qind për fitimet deri në 14 milion lekë dhe 23 për qind për të ardhurat neto mbi 14 milion lekë. Por taksimi do të aplikohet pasi t’u njihen shpenzimet, të cilat, sipas ligjit, variojnë nga 30 për qind deri në 90 për qind, siç janë veprimtaritë e tregtimit me shumicë. “Nëse qarkullimi i individit tregtar ose të vetëpunësuar nuk i kalon 10,000,000 lekë në vit, ai ka të drejtë që nga të ardhurat e biznesit, të zbresë shpenzimet e supozuara në një shumë të vetme si më poshtë, pa mbajtur regjistrime në kontabilitet”, thuhet në draft.

Në mënyrë hipotetike, nëse të ardhurat janë 6 milionë lekë në vit për të vetëpunësuarit, do të zbritet 30 për qind e kësaj shumë dhe diferenca do të tatohet me 15 për qind, që në këtë rast i bie të jetë 4.2 milionë lekë të ardhura vjetore. Tatimi që do të paguhet do të jetë 15 për qind e kësaj vlere, 630 mijë lekë në vit, ose rreth 52 mijë lekë në muaj. E njëjta skemë do të aplikohet edhe për bizneset e vogla me xhiro nën 10 milionë lekë. Konkretisht, një biznesi me xhiro 8 milionë lekë, do t’i njihen si shpenzime të zbritshme 60 për qind e xhiros. Pjesa tjetër do të tatohet me 15. Në këto kushte, detyrimi vjetor do të jetë 480 mijë lekë (3.2 milionë lekë X 15%) në vit, ose 40 mijë lekë në muaj.

TË ARDHURAT NGA PUNËSIMI

Nga ana tjetër, nuk ndryshon tatimi mbi fitimin për të punësuarit. Për të ardhurat deri në 2,040,000 lekë, tatimi do të jetë 13 për qind; ndërsa mbi këtë prag, tatimi është 23 për qind. Prej muajit prill të këtij viti është rritur edhe pragu i pagës së pataksueshme, nga 30 mijë lekë në 40 mijë lekë. Thënë kështu, për pagat deri në 40 mijë lekë, tatimi mbi fitimin është zero. Ndërkohë, për pagat nga 40 mijë lekë deri 50 mijë lekë, tatimi është përgjysmuar, nga 13 për qind në 6.5 për qind. Për fashën nga 50 mijë lekë deri në 2 milionë lekë, barra apo ngarkesa tatimore mbetet 13 për qind.

Në nenin 22 të projektligjit parashikohen edhe zbritje për ata me të ardhura të ulëta. “Tatimpaguesi i të ardhurave personale me të ardhura nga punësimi dhe biznesi, mund të zbresë nga baza tatimore për periudhën tatimore: një shumë prej 480.000 lekësh, nëse të ardhurat vjetore janë deri 480.000 lekë; një shumë prej 360.000 lekësh, nëse të ardhurat vjetore janë mbi 480.000 lekë; një shumë kompensimi për çdo fëmijë në ngarkim të tij më pak se 18 vjeç dhe që jeton së bashku me tatimpaguesin në një familje të përbashkët, prej 48,000 lekësh”, specifikohet më tej në draft.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura