Ndryshojnë rregullat për marrjen e patentës së makinës

Nov 19, 2015 | 15:11
SHPËRNDAJE

Qeveria ka ndryshuar kriteret e marrjes dhe të rinovimit të lejes së drejtimit të automjetit. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, është miratuar “Rregullorja e zbatimit të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. Me rregulloren e re, patentat do të jenë të specifikuara për çdo model mjeti, që do të thotë që një drejtues mjeti, nëse dëshiron, mund të marrë patentë vetëm për makina me kambio automatike dhe kjo do të shënohet në patentë.

trafiku-ne-tirane_1

Por nëse do të ketë një patentë të tillë, ai nuk do të mund të ngasë një makinë me kambio manuale. Rregullorja e re, përveç ekzaminimeve bazë, kërkon nga komisioni mjekësor kontroll për kandidatin për drejtues mjeti edhe për sëmundjet e zemrës, neurologjike, shqetësimet psiqike, varësinë nga alkooli dhe substancat narkotike. Rregullorja përcakton qartë kur personat që vuajnë nga një prej këtyre sëmundjeve mund të marrin leje drejtimi të mjetit, por jo për një periudhë më të gjatë kohore se dy vjet me të drejtë rinovimi pas kalimit sërish në komisionin mjekësor.

Leja e drejtimit përjashtohet për të sëmurët diabetikë që marrin insulinë, për ata që vuajnë nga epilepsia, ata që kanë varësi nga alkooli dhe substancat psikotrope. Kujdes duhet të ketë edhe me gjendjen shëndetësore të syve, duke matur mprehtësinë e shikimit të kandidatit për drejtues mjeti.

“Leja për drejtimin e mjetit nuk duhet të jepet dhe as të rinovohet nëse, nga kontrolli mjekësor, rezulton se fusha e shikimit është më e vogël se 1200 në planin horizontal, përveç rasteve të jashtëzakonshme, të justifikuara qartësisht nga mjeku specialist dhe prova pozitive e praktikës”, thuhet në rregullore. Por ajo përcakton qartë se leja nuk lëshohet ose rinovohet nëse kandidati ose drejtuesi, edhe pas korrektimit, nuk ka një fushë shikimi normale të të dy syve apo nëse është prekur nga diplopia. Do të ketë një komision mjekësor që do të përcaktojë në patentën e drejtuesit të mjetit edhe kufizimet që do të ketë një drejtues që ka probleme me shikimin.

“I kufizuar në udhëtime ditore (p.sh. një orë pas lindjes së diellit dhe një orë para perëndimit të diellit); Drejtimi i mjetit pa pasagjerë; I kufizuar në udhëtime me një shpejtësi jo më të madhe se … km/orë; Nuk i lejohet drejtimi i mjetit rrugor në autostradë dhe rrugë interurbane kryesore; d) Modifikime të pasqyrave të mjetit rrugor ose drejtim i tij pa rimorkio”, thuhet në rregullore. Komisioni mjekësor do të përbëhet nga 4 anëtarë të përhershëm, një mjek i përgjithshëm, një okulist, një mjek ortoped ose kirurg dhe një neurolog.

RREGULLAT E REJA PER PATENTAT

KUFIZIMI I PATENTËS PËR SHKAK TË SËMUNDJEVE

  • Sëmundjet kardiovaskulare
  • Nuk i lëshohet kandidatit të prekur nga angina pectoris, që manifestohet në gjendje qetësie (gjumi) ose emocionale.
  • I lëshohet kandidatit që mban pajisje për normalizimin e ritmit kardiak, në bazë të mendimit të një mjeku të autorizuar dhe nën kontroll mjekësor, për një periudhë jo më të gjatë se dy vjet.
  • I lëshohet kandidatit të prekur nga hipertensioni arterial apo infarkti i miokardit, pas mendimit të një mjeku specialist të autorizuar, për një periudhë jo më të gjatë se dy vjet.
  • Diabeti
  • I lëshohet kandidatit të prekur nga diabeti melitus, pas aprovimit të një mjeku specialist të autorizuar, për një periudhë jo më të gjatë se dy vjet.
  • Nuk i lëshohet kandidatit të prekur nga diabeti melitus, që trajtohet me insulinë.
  • Sëmundjet neurologjike
  • Nuk i lëshohet kandidatit, i cili shfaq kriza epilepsie ose shqetësime të tjera të papritura, që mund të shoqërohen me humbje të vetëdijes.
  • I lëshohet për një periudhë jo më të gjatë se dy vjet kandidatit pas kontrollit mjekësor periodik, të rregullt, me aprovim të mjekut specialist të autorizuar, nuk ka shfaqur asnjë krizë apo çrregullim të vetëdijes prej dy vjetësh, pavarësisht nga marrja e terapisë kundër epilepsisë.
  • Shqetësimet psikike
  • Nuk i lëshohet kandidatit të prekur rëndë nga:
  • -shqetësime psikike, të pësuara ose të fituara si pasojë e një sëmundjeje, traume ose ndërhyrjeje neurokirurgjikale;
  • -prapambetje mendore;
  • -shqetësime të sjelljes nga plakja ose nga shqetësime të rënda të aftësisë së gjykimit, të sjelljes dhe të përshtatjes, që lidhen me personalitetin, përveç në rastet kur kërkesa është mbështetur nga një mjek specialist i autorizuar dhe nën kontroll mjekësor të rregullt, për afate kohore jo më shumë se dy vjet.
  • Alkooli
  • Nuk i lëshohet kandidatit në gjendje të varësisë ndaj alkoolit apo që nuk mund të ndajë drejtimin e mjetit nga konsumi i alkoolit.
  • Drogat
  • Nuk i lëshohet kandidatit në gjendje varësie ndaj substancave psikotrope ose që, edhe pse nuk është i ndërvarur, abuzon rregullisht me to, cilado qoftë kategoria e lejes së drejtimit të kërkuar Komisionet mjekësore Komisioni përbëhet nga 4 anëtarë të përhershëm:
  • a) Mjek i përgjithshëm
  • b) Okulist
  • c) Mjek ortoped ose kirurg
  • ç) Neurolog
  • Nuk i lëshohet kandidatit që edhe pas korrektimit, nuk ka një fushë shikimi normale të të dy syve apo nëse është prekur nga diplopia Komisioni mjekësor duhet të përcaktojë:
  • I kufizuar në udhëtime ditore (p.sh. një orë pas lindjes së diellit dhe një orë para perëndimit të diellit);
  • Drejtimi i mjetit pa pasagjerë;
  • I kufizuar në udhëtime me një shpejtësi jo më të madhe se … km/orë;
  • ç) Nuk i lejohet drejtimi i mjetit rrugor në autostradë dhe rrugë interurbane kryesore;
  • d) Modifikime të pasqyrave të mjetit rrugor ose drejtim i tij pa rimorkio.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura