Ndryshojnë rregullat, tani import vetëm dy makina në vit

Oct 3, 2015 | 10:20
SHPËRNDAJE

Pas biznesit të vogël, sulmi i ri për formalizimin e ekonomisë do të zbresë te makinat private, taksitë dhe autobusët. Ministri i Transporteve prezantoi dje 12 masat e reja që do të nisin brenda këtij muaji për të rregulluar situatën në transportin rrugor. Janë të paktën 5 pika, të cilat do të prekin këdo që ka makinë, që nga serviset e autorizuara deri te momenti që do ta shesë atë.

makina

Brenda vitit, qeveria parashikon që kush ka një makinë që s’e përdor, ta çregjistrojë atë. Aktualisht numërohen rreth 90 mijë makina që flenë lagjeve dhe rrugëve të qyteteve, por që kanë të paktën një dekadë që nuk paguajnë asnjë taksë. Pas shumë përpjekjesh për formalizimin e importit të makinave, tani duket se qeveria e ka gjetur ilaçin. Nuk do të lejojë asnjë individ të sjellë më shumë se dy makina nga jashtë në vit. Sikundër do të kufizohet edhe shitja e makinave pa kalim pronësie, por me akt përdorimi noterial.

SHITJA E MAKINAVE
Nga nëntori i këtij vitit, s’do të ketë më blerje makinash me targa të huaja. Sipas ndryshimeve të reja të prezantuara dje, kush sjell një makinë nga jashtë, do të detyrohet ta regjistrojë atë në emër të vet, dhe më pas ta shesë. Për këtë arsye, noterët do të detyrohen që të mos bëjnë asnjë akt shitjeje, në rast se një makinë nuk është e regjistruar në Drejtorinë e Transportit Rrugor.

tabela

Pra, nuk ka leje qarkullimi, targa në emër të personit që e shet. Një tjetër masë që do të penalizojë ata që sjellin makina nga jashtë është sasia e importit. “Një individ nuk mund të importojë më shumë se 1 ose 2 automjete për përdorim personal në një vit. Përndryshe, i importon për aktivitete ekonomike dhe nëse bëhet aktivitet ekonomik duhet të paguash gjithë detyrimet ekonomike e fiskale ndaj shtetit”, theksoi dje Haxhinasto. Në fakt, në tabelën e masave nuk jepet një datë për ndalimin e kësaj tregtie.

Një tjetër metodë që përdoret rëndom për shmangien e taksave është shitja e makinës me akt përdorimi. Pra, kur nuk e kalon pronësisë, por jep një akt përdorimi noterial. Kjo me masat e reja do të ndalohet. Nga ana tjetër, noterët do të kenë akses në sistemin e Drejtorisë së Transportit për të verifikuar pagimin e taksave, apo gjendjen e automjetit përpara se të bëjnë aktin e shitjes.

MAKINAT E PAPËRDORURA
Në sistemin e Drejtorisë së Transportit Rrugor ka rreth 90 mijë makina që nuk përdoren. Me masat e reja pronarët e këtyre makinave kanë 3 muaj kohë që të bëjnë çregjistrimin, në të kundërt do të jetë Drejtoria e Transportit që do të bëjë çregjistrimin automatik të makinave nga sistemi. Haxhinasto siguroi dje se nuk do të ketë pagesë ekstra për këtë akt.

“Nuk është parashikuar tarifë e posaçme për këtë, janë ato ekzistuese. Por situata është që ka shumë mjete, janë rreth 25% e mjeteve që figurojnë në bazën e sistemit tonë të të dhënave, që nuk paguajnë, nuk regjistrohen në mënyrë periodike. Kjo do të thotë se ose janë jashtë shërbimit, ose janë hedhur në varrezat e automjeteve, ose mund të kenë shkuar përsëri jashtë shtetit”.

Por çfarë të bësh me një mjet që ke 10 vite pa e përdorur? Duhet ta çosh në varreza dhe për të bërë këtë të duhet të gjesh një varrezë makinash të licencuar. Masat e reja parashikojnë edhe kontrollin e të gjithë varrezave të makinave, për licencat dhe numrin e automjeteve bashkë me dokumentacionin e tyre.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura