Ndryshojnë aktorët e ‘Tartufit’, ikën Ndrenika e Zhusti

Apr 17, 2015 | 22:32
SHPËRNDAJE

Regjisori Erion Kame

Pas një pritjeje të gjatë, “Tartufi” do të ngjitet në skenë në fund të majit. Sëmundja e papritur e aktorit të madh Robert Ndrenika, e detyroi Teatrin Kombëtar të ndryshonte kalendarin e shfaqjeve, me shpresën se Ndrenika do të kthehej sërish e ndërkohë një tjetër aktor do të merrte rolin e tij.

Regjisori Erjon Kame tregon se tashmë zëvendësimi është kryer. Në rolin e Orgonit do të interpretojë aktori korçar Ligoraq Riza. Por ky ndryshim u pasua edhe nga një tjetër. Aktori Viktor Zhusti, po për arsye shëndetësore, u tërhoq nga roli i Tartufit dhe në vend të tij Kame ka zgjedhur aktorin Laert Vasili. Këto ndryshime, në mënyrë logjike e shtynë regjisorin të rikonceptonte shfaqjen e tij nga ana regjisorialeve, duke iu përshtatur dy personaliteteve të ndryshme të aktorëve të “rinj”. Në një intervistë për “Panoramën”, Kame tregon për komedinë e Molierit që do të shohim së shpejti..

 Pas sëmundjes së papritur të aktorit Robert Ndrenika, premiera e “Tartufit” u shty në kohë, kur do të vijë ajo për publikun?

Është një projekt që ka filluar që në nëntor të 2014-s dhe për shkaqe madhore u shty, për të ardhur para publikut në datat 30-31 maj dhe për ta rimarrë sërish në tetor, me shpresën që pjesa do të vazhdojë më gjatë. Sigurisht zëvendësimi i aktorëve, në veçanti ai i Robert Ndrenikës, nuk e favorizon regjisorin, por janë gjëra që ndodhin në teatër. Ishte një situatë e paparashikueshme dhe për të gjithë ishte një fatkeqësi. Kështu që na u desh ta zëvendësonim atë me një tjetër aktor. Por nuk do të ishte i vetmi, pasi na u desh të zëvendësonim edhe aktorin që luante Tartufin, Viktor Zhustin.

Cilat janë arsyet për zëvendësimin e Zhustit?

Edhe ai për arsye shëndetësore. Pas interpretimit te “Vrasja e Maratit”, u ndje i lodhur, kreu disa vizita mjekësore dhe tashmë ndodhet në Greqi.

 Cilët janë aktorët që ju keni përzgjedhur për të zëvendësuar Ndrenikën dhe Zhustin?

Në vend të Robert Ndrenikës kam zgjedhur një aktor nga Korça, Ligoraq Riza, me të cilin kam punuar më parë. Është një potencial i jashtëzakonshëm për rolin e Orgonit. Nëse do të huazoja një shprehje nga sporti, i përket “Kombëtares” së teatrit. Është një aktor shumë i përshtatshëm për këtë rol. Ndërsa në vend të Viktor Zhustit, që luante rolin e Tartufit, mendova të sillja aktorin Laert Vasili.

Si do të reflektojë në vepër ky zëvendësim?

Shtyrja e veprës dhe zëvendësimet sollën problemet e veta, por nga ana tjetër, në aspektin regjisorial, do ketë prurje të reja. Shfaqja është pasuruar. Kjo periudhë kohe më ka dhënë mundësi ta shikoj e rishikoj veprën, të gjej detaje të reja dhe të bëj një rikonceptim të së tërës. Besimi tek aktorët që u zëvendësuan ishte absolut, por jam shumë i kënaqur me zgjedhjet që kam bërë. Koha që mora më ka bërë shumë mirë.

 Nëse do të kthehemi pak në kohë, përse keni zgjedhur “Tartufin”?

Hipokrizia është një nga problemet më të mëdha të shoqërisë sonë. Gënjeshtarët në shoqërinë tonë agresive i gjejmë në çdo fushë. Sigurisht Molieri Tartufin e ka vënë në fushën e religjionit, por ne sot e gjejmë tek politika te media, në institucionet tona.

Është një përshtatje në bashkëkohësi apo i qëndroni besnik kohës kur është shkruar vepra?

Vepra vjen në mënyrë klasike. Nuk mendoj se dekoret apo kostumet e sjellin një vepër në kohë. Molieri gjithnjë i ka folur kohës. Hipokrizia është problemi më i madh në pjesë, por nuk është i vetmi. Problemi që rrok më së tepërmi Molieri është indoktrinimi. Kemi protagonistin, Orgonin, që e pëson nga Tartufi. Të gjithë i thonë që të mos i besojë atij, por marrëzia dhe indoktrinimi i tij është aq i madh, saqë i lë shtëpinë, përzë të birin dhe bëhet armik me gjithë familjen e tij. Kjo është jeta jonë e përditshme. Mashtrues gjejmë kudo dhe fajtor nuk është ai që mashtrohet, por ai që mashtron. Edhe Orgoni është ai njeriu që na dhimbset, na vjen keq. Është pre e një mekanizmi manipulues, vënë në lëvizje nga Tartufi. Kjo është një situatë që ne e ndeshim përditë, sidomos me afrimin e fushatave elektorale, kur mitingjet mbushen plot, njerëzit futen në armiqësira… Në këtë rast Tartufi është politika që indoktrinon një masë të madhe njerëzish dhe hapja e syve është një nga qëllimet e mia. Tartufi e gjente veten shumë mirë edhe gjatë diktaturës, kur të gjithë ishin të indoktrinuar dhe njerëzit nuk njihnin realitet tjetër veç atij që i ofrohej.

 Kohët e fundit shohim gjithnjë e më shpesh vepra me mesazhe të forta politike…

Edhe pse një nga nënshtresat e veprës është politika, “Tartufi” nuk është një vepër politike, siç nuk është as një vepër kundër religjionit. Molieri vet nuk ka qenë ateist. Nxitjen ai e ka marrë nga një dekret i Papa Inocentit XI, që glorifikonte sjelljet e shenjta te njerëzit dhe Tartufët u bënë të shumtë në atë kohë. Kushdo mund ta lidhë me politikën, kushdo me religjionin. Molieri prandaj mbetet i madh, sepse mesazhet e tij janë të shtrira në kohë, hapësirë e mendje.

 Sa do t’i mëshohet simbolikës përmes kostumografisë e skenografisë?

Nuk i kam qëndruar besnik Molierit në skenografi. Ngjarja zhvillohet në ambiente të jashtme, në një lulishte që lidhet me shtëpinë përmes shkallëve. Kam krijuar një lloj Versaje, për shkak se atje u vendos vepra për herë të parë. Nuk kam luajtur shumë me simbolikën, por do ketë elementë të kursyer, duke besuar gjithnjë te një regjisurë jo bërtitëse. Nuk dua që t’ia jap të gatshme çdo gjë publikut. Shumë thjesht mund ta zgjidhësh përmes simbolikës, por nuk është në shijet e mia. Besoj më shumë te regjisura me elemente të vogla, por që flasin shumë. Dhe të tilla do të ketë.

NGA ALMA MILE 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura