Ndryshimi i sistemeve, Anastas Angjeli rrëfen prapaskenat: Ju zbuloj raportin që i çuam Ramiz Alisë në ’90-ën për çmimet dhe rritjen e pagave

Oct 30, 2020 | 12:48
SHPËRNDAJE

Në vitin 1990 ishte e qartë se regjimi komunist nuk e kishte të gjatë. Të parët që e kishin kuptuar ishin udhëheqësit më të lartë të shtetit dhe vetë Ramiz Alia. Kjo ishte edhe arsyeja pse ky i fundit vendosi që në vitin 1990 të niste një grup ekonomistësh në disa prej vendeve të ish-bllokut komunist, të cilët kishin përqafuar ekonominë e tregut, si Hungaria, Polonia, Bullgaria.

Të dërguarit qëndruan 45 ditë në këto vende, dhe pas kësaj eksperience të rrallë për ta, hartuan një raport, të cilin ia dorëzuan ish-Presidentit të atëhershëm të Republikës, Ramiz Alia, dhe ish-zëvendëskryeministrit e më pas Kryeministrit të atëhershëm, Fatos Nano.

Një ndër të dërguarit ishte edhe ekonomisti i ri asokohe, Anastas Angjeli, i cili për herë të parë boton këtë raport dhe propozimet përkatëse, që synonin ta udhëhiqnin Shqipërinë drejt një reforme rrënjësore. Ky material i plotë botohet për herë të parë në librin e tij “Ditari i tranzicionit ekonomik”.

(VIJON NGA BOTIMI I KALUAR)

anastas angjeli

ANASTAS ANGJELI

INFORMACIONI I DËRGUAR RAMIZ ALISË:

Raport për punën e bërë nga grupi i ekonomistëve në lidhje me reformat ekonomike në Hungari, Poloni, Bullgari. Masat dhe rekomandimet që jepen për vënien e tyre në zbatim në vendin tonë.

Në muajin janar 1991 (3 janar-20 shkurt 1991, shënimi im) grupi i ekonomistëve i përbërë nga Anastas Angjeli, Mynyr Maska dhe Arben Bakllamaja bënë vizita pune në Hungari, Poloni e Bullgari për t’u njohur me disa aspekte të zbatimit të reformave ekonomike në këto vende.

Gjatë kësaj periudhe morën kontakte dhe këmbyen mendime me përfaqësues zyrtarë e specialistë të ekonomisë, të financave, të çmimeve, të bankave, të bursave, të doganave, të investimeve të kapitalit të huaj, të licencave, të marrëdhënieve ekonomike-financiare ndërkombëtare, me institute studimore, me fakultetet e ekonomisë, të ndërmarrjeve etj.

Në vijim do të jepet një sintezë e proceseve të ndjekura në këto vende për reformat ekonomike, në formë problemore, në përputhje me programin e punës.

Zbatimi i reformave ekonomike në këto shtete është bazuar në një platformë ndryshimesh tërësore politike, ekonomike dhe shoqërore, nga ku qeveritë përkatëse kanë përpunuar hollësisht dhe kanë publikuar programin e reformave ekonomike, ligjet, dekretet dhe aktet e tjera nënligjore. Meqenëse periudha e tranzicionit në ekonominë e tregut nuk ka përfunduar edhe në vendet që kanë ecur më përpara me reformat ekonomike, si Hungaria dhe Polonia, vazhdojnë të përpunohen e të nxirren akte ligjore për të mbështetur ndryshimet e tjera ekonomike që vijojnë.

ASPEKTE TË STRATEGJISË SË PËRGJITHSHME TË ZHVILLIMIT POLITIK, EKONOMIK E SHOQËROR

ramiz alia

– Në sistemin ekonomiko-shoqëror reformat ekonomike kanë në thelb kalimin në ekonominë e tregut, sipas modelit të ekonomive të vendeve perëndimore, ku kombinohet ekonomia e tregut dhe privatizimi i gjerë, me kontrollin e shtetit nëpërmjet instrumenteve makroekonomikë.

– Transformimi në sistemin e ekonomisë së përzier po realizohet përmes vendosjes së marrëdhënieve të lira ekonomike me vendet e tjera që synojnë integrimin e gjerë në tregun ekonomik europian, sipas principit të avantazheve reciproke dhe vendosjes së marrëdhënieve e anëtarësive me organizatat ekonomike e financiare ndërkombëtare.

– Kalimi në një ekonomi të integruar gjerësisht në tregun europian ka sjellë ndryshime cilësore në strategjinë e zhvillimit të degëve e të sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë. Në të tri vendet u vërejt një prirje e theksuar në zhvillimin prioritarë të degëve të industrisë së lehtë e ushqimore, të bujqësisë e të turizmit. Për vende të vogla (si vendi ynë), me një tregti mjaft të kufizuar mallrash, rekomandohet një rritje prioritare e eksportit të shërbimeve në krahasim me eksportin e mallrave të importeve për rieksport.

– Programi i transformimit të ekonomisë mbështetet në dy qëllime bazë:

a) Stabilizimin e ekonomisë, të arrijë ekuilibrin makroekonomik të kërkesës e ofertës, të mposhtë inflacionin, të garantojë politikën e mbrojtjes sociale të popullit ndaj goditjeve të papunësisë e të inflacionit (vendosja e minimumit jetik në nivele më të larta, vendosja e indeksit të çmimeve dhe shkallës së lëvizshme të pagave, përfitim papunësie, intervenim punësimi etj.), të zgjerojë sigurimin social dhe shërbimin shëndetësor e arsimin teknik.

b) Të kryejë transformimin e sistemit ekonomik në ekonomi tregu me të tëra strukturat dhe institucionet përkatëse që lejojnë funksionimin e saj real dhe sigurojnë shfrytëzimin efektiv të avantazheve të saj. Hapa të domosdoshëm për këtë proces në këto vende janë: liberalizimi i shumicës dërrmuese të çmimeve, privatizimi i gjerë i sektorëve të tregtisë, shërbimeve, prodhimit të vogël etj.; pavarësia e ndërmarrjeve shtetërore nga shteti për të konkurruar lirisht në tregun e brendshëm e të jashtëm, liberalizimi i eksport-importit të mallrave, konvertibiliteti i monedhës kombëtare, duke përcaktuar një kurs real të këmbimit, vendosja e sistemit fiskal, lëvizja e lirë e kapitaleve nga jashtë brenda dhe anasjelltas, vendosja e sistemit bankar me dy nivele, botimi i rregullt i treguesve kryesorë statistikorë të ekonomisë dhe informacioneve për mundësitë e investimeve, fushat dhe avantazhet si për investitorë të huaj, ashtu edhe për të vendit etj.

Zbatimi i reformave ekonomike në këto vende ka përfshirë dhe synon të arrijë ndryshime edhe më të thella, sidomos në fushën e liberalizimit të ekonomisë, me prirje nga vendet kapitaliste, në privatizimin e ekonomisë etj. Sipas tyre, që ekonomia jonë të hyjë në rrugën e ekonomisë së tregut dhe të fitojë besimin për hyrjen e kapitaleve të mëdha e në organizata të rëndësishme si FMN, GATT etj., duhet të bëjë ndryshime të thella në këto drejtime kryesore.

LIBERALIZIMI I ÇMIMEVE, KRITERET DHE KOMPETENCAT E ORGANEVE SHTETËRORE DHE TË EKONOMISË PËR CAKTIMIN E TYRE DHE MASAT MBROJTËSE ME KARAKTER SOCIAL

Kushti vendimtar që hap rrugën për kalimin shkallë-shkallë drejt ekonomisë së tregut, rritjes së autonomisë, vetëveprimit të ndërmarrjeve dhe mënjanimin e mangësive që ka sot sistemi ynë i çmimeve është kalimi gradual në liberalizimin e përgjithshëm të çmimeve. Ky kalim bëhet i mundur me shkallëzimin e mëtejshëm të kompetencave të caktimit të çmimeve nga qendra në ndërmarrje, me liberalizimin e eksport-importeve dhe caktimin e çmimeve në bazë të kursit jotregtar (duke njësuar kursin e sotëm ekonomik me atë jotregtar), me vendosjen e sistemit të doganave për mallrat e eksportit dhe sidomos ato të importit që të jenë të njëllojta për të gjithë personat juridikë e fizikë, si hapat e parë për krijimin e kushteve reale të realizimit të konvertibilitetit të lirë të monedhës. Në studimin që do të kryhet për çmimet do të caktohet lista e çmimeve me shumicë të artikujve kryesorë të importit që do të kenë çmime të njësuara, ndërkohë që pjesa tjetër do të caktohet në mënyrë të drejtpërdrejtë duke konvertuar valutën në lekë, plus provigjionet e ndërmarrjeve të tregtisë së jashtme dhe të bazave të furnizimit material-teknik.

Praktikat dhe shkalla e tanishme e liberalizimit të çmimeve është e ndryshme në vende të ndryshme, në vartësi me etapat që kanë paraprirë reformat ekonomike në këto vende dhe me potencialin ekonomik të tyre. Këto kushte ndryshojnë edhe midis vendeve të tilla si Çekosllovakia, Polonia, Rumania dhe Bullgaria, nga ato të Hungarisë. Për vendin tonë, me nivel ekonomik shumë më të ulët nga këto vende, është e domosdoshme të mbahen parasysh kushtet e veçanta në lidhje me shkallën e liberalizimit të çmimeve dhe të masës së kompensimit të efekteve ekonomike për shtresat e ndryshme të popullsisë.

Në Hungari liberalizimi i çmimeve fillimisht është bërë duke caktuar tri lloje çmimesh:

a) çmime të centralizuara që caktohen nga shteti, që synonin mënjanimin gradual të subvencioneve shtetërore;

b) çmime maksimum (limit), por pa detyrim për zbatim nga ndërmarrjet. Këto, kur kërkonin të zbatonin çmime më të larta, kërkonin miratim ose pëlqimin nga organet shtetërore dhe këto nuk përgjigjeshin në kohën e caktuar me ligj, vepronin vetë;

c) çmime të lira, por me numër të kufizuar si emërtesë. Ky sistem çmimesh është liberalizuar gradualisht nëpërmjet shtimit të numrit të çmimeve të lira dhe pakësimit të çmimeve që caktoheshin nga shteti.

Koncepti bazë: sa më pak ndërhyrje nga shteti në punën e ndërmarrjeve për çmimet. Çmimet të caktohen sipas parimit të kërkesës dhe ofertës dhe rregullimi i tyre të mos jetë detyrim i shtetit. Kur çmimet caktohen nga shteti, sipas konceptit të ri, deformohet vlera e vërtetë e tyre. Sot në Hungari çmimet janë të liberalizuara në masën 90% dhe në Poloni 80% (në Hungari shteti cakton çmimet me pakicë për 1 lloj buke, për 1 lloj qumështi, të energjisë elektrike dhe të lëndëve djegëse për ngrohje, tarifat e transportit urban të diferencuara sipas një politike sociale që u përgjigjet kushteve të tyre, p. sh., 450 forinta për punonjësit dhe 180 forinta për pensionistët e studentët etj.). Në Poloni, gjithashtu janë të liberalizuara shumica e çmimeve dhe vetëm një gamë e kufizuar është ende e centralizuar (afërsisht si ajo e Hungarisë). Në Bullgari mbahen të centralizuara 14 mallra e grup mallrash, që përcaktojnë sipas tyre nivelin e jetesës së shtresave të gjera të punonjësve me paga të ulëta, të cilat u nënshtrohen edhe kompensimeve, në përmasa të reduktuara.

Për kushtet tona nuk mund të rekomandohet as praktika e sotme hungareze dhe as ajo polake, sepse liberalizimi i thellë, i menjëhershëm, do të sillte tronditje të mëdha sociale, janë të vështira për të llogaritur efektet ekonomike dhe indekset e çmimeve, ku ne sot për sot jemi të papërgatitur si në qendër, ashtu dhe në bazë. Deri më sot ne kemi ruajtur në tërësi konceptin e çmimeve të qëndrueshme. Për të llogaritur indeksin e çmimeve duhet më parë të krijohen këto kushte:

a) hartimi dhe miratimi i “shportës së çmimeve të mallrave dhe shërbimeve”;

b) struktura organizative shtetërore në qendër (në Drejtorinë e Statistikës dhe në rrethe);

c) ekzistenca e ligjit dhe dokumentacionit të nevojshëm me të cilin ndërmarrjet do të njoftojnë rrethet dhe qendrën për çmimet e zbatuara prej tyre në një periudhë të caktuar.

Për këtë problem të mprehtë politik e social edhe specialistët hungarezë dhe anëtarët e Parlamentit Hungarez, me të cilët patëm takime konsultimi, rekomanduan prudencë e kujdes të madh për pasojat që sjell. Ata nuk rekomanduan “terapinë shok”, d.m.th. kapërcime të menjëhershme, por graduale, duke na theksuar në mënyrë të veçantë që niveli i tanishëm në Hungari është arritur gjatë një periudhe 20-vjeçare, duke filluar nga viti 1968. Ndërkohë, në Bullgari nuk gjetëm ndonjë platformë të plotë të kritereve, të kompetencave dhe të legjislacionit në fushën e çmimeve, sepse ata vetë ishin në fazën e përpunimit të tyre dhe të ristrukturimit të organizmave të caktimit dhe të kontrollit të çmimeve.

Për kushtet tona do të ishte më i përshtatshëm përpunimi i platformës dhe i legjislacionit të çmimeve të Rumanisë, me të cilin jemi njohur qysh në muajin dhjetor.

Duke përgjithësuar përvojat e këtyre vendeve, në fushën e çmimeve propozohet:

1. Të fillohet nga puna për hartimin e vendimit të ri të Këshillit të Ministrave për kriteret dhe kompetencat e organeve shtetërore dhe të ekonomisë në fushën e çmimeve, duke pasur si bazë parimore këto koncepte:

a) Përcaktimin e emërtesës së çmimeve të shitjes me pakicë dhe të tarifave të shërbimeve, të cilat caktohen në mënyrë të përqendruar nga Këshilli i Ministrave.

b) Çmimet e tjera të shitjes me pakicë dhe të shërbimeve caktohen në bazë të ofertës e të kërkesës dhe në të gjitha rastet e tjera që nuk caktohen shprehimisht në ligj, ku në treg (të një qyteti ose të vendit, kjo mund të jetë e ndryshme për sektorin e tregtisë, të shërbimeve nga ajo e produkteve industrial) të jenë të pranishëm jo më pak se tri subjekte ekonomike (ndërmarrje shtetërore etj.). Kjo masë bëhet e nevojshme për të mënjanuar faktorin monopol që kanë disa ndërmarrje që realizojnë produkte të caktuara. Ndërkohë shteti duhet të punojë për të përcaktuar masat demonopolizuese, që kanë të bëjë me zvogëlimin e madhësisë së ndërmarrjeve që prodhojnë mallra konsumi apo që kryejnë shërbime të ndryshme jetësore.

Shënim: Kur për mallra e shërbime të caktuara nuk ekzistojnë kushtet për një konkurrencë të lirë dhe reale (që mund të sigurohet nga jo më pak se tri subjekte ekonomike), çmimet për shërbimet dhe mallrat dhe të atyre që sot subvencionohen nga shteti (që janë edhe të ulëta e nën vlerë) do të vazhdojnë të caktohen nga shteti, sipas emërtesës që do të miratohen me vendimin e ri (nga qeveria ose nga Ministria e Financave), në marrëveshje me subjektet kryesore ekonomike ministritë, ndërmarrjet, duke iu dhënë atyre dhe subvencionet përkatëse, d.m.th. kuotën e dotacionit dhe normën e fitimit.

c) Nga Këshilli i Ministrave ose Ministria e Financave mendohet të vazhdojë caktimi i çmimeve edhe për mallrat kryesorë dhe lëndëve të para minerare-energjetike etj., që ka ekonomia (resurse kryesore) për të cilat ndiqet një politikë mbrojtëse dhe shfrytëzimi racional nga të gjithë përdoruesit, si dhe për disa produkte e shërbime të një rëndësie strategjike për ekonominë kombëtare (p.sh., lënda e drurit, karburantet etj.) dhe për nivelin e jetesës së popullit.

d) Gjithë çmimet e tjera të mallrave dhe të shërbimeve, që nuk përcaktohen më sipër, të caktohen në mënyrë të lirë sipas ofertës dhe kërkesës, në marrëveshje midis palëve, në bazë të konkurrencës së lirë dhe ndalimit të çmimeve spekuluese dhe monopol.

2. Në fushën e çmimeve me shumicë, të mbahen parasysh këto kritere:

Çmimet me shumicë të lëndëve të para kryesore të vendit dhe të lëndëve energjetike, pavarësisht nga format e pronësisë dhe kur kanë karakter prodhimi (që shkojnë për prodhim, mekanizim etj.), të jenë me çmime të njëllojta. Në këtë grup mund të përfshihen produkte që edhe sot në ekonominë tonë kanë kaluar me çmime me shumicë pa të ardhur neto të centralizuar e një pjesë e tyre edhe nën vlerë. Ndërkohë, çmimet e reja do të jenë më të larta nga ato të zbatuara deri më sot, duke kompensuar një pjesë të humbjeve ose të subvencioneve të sotme shtetërore, por që nuk do të caktohen ende sipas vlerës, ofertës dhe kërkesës për to dhe do të vazhdojnë të rregullohen me plan, për shkak të ndikimeve të mëdha që sjellin në nivelin e përgjithshëm të çmimeve me shumicë dhe të çmimeve me pakicë.

Kështu, p.sh. ndërtimi i çmimeve të qymyrgurit me një normë fitimi që të sigurojë riprodhimin e zgjeruar të degës, dhe mbi këtë bazë, caktimi i çmimeve të lëndëve djegëse sipas vlerës do të sillte përmbysje e pështjellime të mëdha në tërë ekonominë. Është e këshillueshme që këto çmime të afrohen drejt vlerës më gradualisht. Këtë prej kohësh na e ka diktuar përvoja jonë dhe rishikimi i çmimeve për pesëvjeçarin e 9-të, ku u bë e mundur të arrihen vetëm disa rregullime të pjesshme. Lista e këtyre çmimeve, si deri më sot, të hartohet nga Ministria e Financave në bashkëpunim me Komisionin e Planit të Shtetit dhe me ministritë e interesuara. Ajo mund të përfshijë një gamë më të kufizuar nga sot që do të përcaktohet nga grupi i studimit i ngritur për këtë qëllim.

LEXO EDHE : “Miqësia dhe përplasjet me Fatos Nanon”, rrëfimi i Anastas Angjelit: Porosia që na dha Ramiz Alia në ‘90! Si reagova kur pashë kanoçen e Coca-Colas për herë të parë

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura