Ndryshimi i kufijve/ Haradinaj tregon ‘prapaskenat’, përmend Baton Haxhiun: Janë derdhur shumë para…

Oct 17, 2018 | 13:08
SHPËRNDAJE

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në debatin e Forumeve UET, nën moderimin e përgjegjëses së Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit, prof. asoc. dr. Belina Budini, bëri disa komente të forta në lidhje me çështje të aktualitetit politik në Kosovë.

Haradinaj dje ne forumin e UET, nen moderimin e përgjegjëses së Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit, prof. asoc. dr. Belina Budini
Haradinaj dje ne forumin e UET, nen moderimin e përgjegjëses së Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit, prof. asoc. dr. Belina Budini

Ai tregon “prapaskenat” e idesë së “ndryshimit të kufijve” dhe deklaron se janë hedhur shuma të mëdha për të elaburuar këtë ide.

Mes njerëzve të rëndësishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai është ndër më të prekurit, me dy vëllezëer të vrarë në luftë, burg në Gjykatën e Hagës, fitimtar me pafajësi, por edhe me shumë barrë të rëndë si kryeministër në një kohë që fatet e Kosovës janë ende në një rrugë të panjohur.

Për kryeministrin Ramush Haradinaj, lufta nuk është më për ekzistencë si popull, por për të bërë shtet e popullit ti ofrojë sigurinë, mirëqenien, integrimin në BE dhe mbi të gjitha sigurimin e integritetit territorial.

haradinaj

Gjithnjë përbën lajm theniet e tij, i mësuar jo me kamuflimin e “diplomacisë”, por një personazh dhe politikan i drejtëpërdrejtë. Kryeministri Haradinaj dhe presidenti Thaçi dikur ishin në një llogore, nën një uniforme dhe ideal, ndërsa sot këta dy njerëz të rëndësishëm të UÇK-së së dikurshme dhe të politikës së sotme janë krejtësisht të ndarë përsa i përket çështjes së korrigjimit të kufijve.

Në rastin korrigjim kufijsh u soll si pyetje qëndrimi i analistit Baton Haxhiu, që pak javë më parë në UET parashtroi tezën se përse duhej të arrihej një marrëveshje me Serbinë mbi termin “korrim kufijsh”.

Haradinaj, tha se kjo nuk eshte çështje ideje, por diçka shumë e madhe, që është “blerë me para”.

“Një shumë e caktuar e parave është derdhur nga dikush në një kohë të caktuar, për të krijuar një opinion publik si në Kosovë si Shqipëri për këtë. Batonit edhe mund t’i pëlqejë ideja, mund edhe ta besojë, por unë e di që është derdhur një shumë e caktuar parash për të bindur një pjesë tonën, që po e dhamë ne Leshakun dhe nuk është Gazivoda, nuk është as Trepça ku është një rrafshnaltë në të cilin ka edhe paisje të emetimit të frekuencave civile ushtarake”-tha Haradinaj, teksa shton se “edhe Batonin dhe Batonat e tjerë, me gjithë respektin që kam për ta i siguroj që dhe ne i marrim vesh këto axhendat, ku fillojnë, nga vazhdojnë, ku nisin, kush i sponsorizon”.

Për mosndryshimin e kufijve Haradinaj ishte i prerë teksa artikuloi: “Jam një prej të gjallëve të atyre që vdiqën për Kosovën”…

Dy lidera, dy qëndrime

Padyshim janë personazhet që dominuan politikën Kosovare në 20 vitet e fundit, por pas “ndarjeve” partiake, mes Thaçit dhe Haradinajt qëndrojnë ide të ndryshme në lidhje me thelbin e problemit. Thaçi vijon të mbajë qëndrim të përhershëm se “korrigjimi i kufijve” mes Serbisë dhe Kosovës do të bënte që pala serbe të njihte shtetin e Kosovës dhe më pas vendi do integrohej në strukturat europiane.

Me termin “korrigjim” është nënkuptuar se Serbia të marrë Veriun e Mitrovicës, ndërsa Kosova të fusë në hartën e saj Luginën e Preshevës. Haradinaj është më se i prerë në këtë pikë, duke përmendur disa herë shprehjen “Pse duhet të kënaqim dhunuesin? Ata duhet të gjejnë zgjidhje, jo ne. Ata duan të pastrojnë imazhin e tyre”. Sa për ndryshimin e kufijve kryeministri është kthyer në retrospektivë, kohë kur mbante ende në duar armët për çlirimin e Kosovës.

“U krijua një zonë tampon prej 25 kilometrash mes Kosovës dhe Serbisë, që nënkuptonte se territori nuk do të prekej”, -tha Haradinaj, por sipas tij sot pas afër 20 vitesh për qëllime të caktuara po hidhet ideja e korrigjimit të kufijve. “Janë vendosur themelet e asaj lufte në 25 kilometra të kufirit. Ka një vijë ndarëse mes palëve, njëri nga elementet kyçe është kufiri administrativ Kosovë-Serbi”, deklaroi Haradinaj.

Në Kosovë dhe jo vetëm, kjo çështje nuk është debat mes analistësh me “pikëpamje të ndryshme”, por qëndrime të kundërta mes kryeministrit dhe presidentit. “Unë kam një dialog të gjatë me Serbinë që prej disa viteve, të cilin unë e përkrah. Mendoj se dialogu është një instrument, që të ndihmon të arrish në formulën e pajtimit mes popujve. Kushdo president i zgjedhur i ka disa korniza të së drejtës që ia ka caktuar Kushtetuta në këtë rast Parlamenti. Presidenti është president, e gëzon të drejtën për të prezantuar vendin, por jo të flasë për territor dhe kufij. Ka të vërteta, Kosova nuk ndryshon”, -tha prerë Haradinaj, ndërsa dukshëm nënvizon vijën e trashë ndarëse me Thaçin në këtë drejtim, për më shumë që sipas tij ky debat bëhet kur po përgatitet krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, tashmë në Kushtetutë.

“Pse duhet ne të na imponohet një debat i tillë, pasi prej 20 viteve Serbia investon, ka hedhur para, ka bërë miq, kanë lobuar që debati të përhapet edhe brenda nesh. Pse duhet të përballemi me teorinë e ndarjes. Kjo është mungesa e pjesës sime në momentin që përfaqësoj tani Kosovën që nuk kam bërë mjaftueshëm diskutime te populli im për t’i treguar se ku qëndron e vërteta”, shtoi kryeministri Haradinaj.

Forcat e “errëta”, edhe në turizëm…

Jo pa qëllim kryeministri Haradinaj është ndalur në një fakt të rëndë që i ka bërë përshtypje. Në Kosovë, në prag të nisjes së sezonit turistik botoheshin shkrime të dyshimta që thoshin se shqiptarët i keqtrajtojnë turistët kosovarë, madje arrijnë deri aty sa të thonë “mirë ua ka bërë serbi”.

Kryeministri ka një përgjigje për këtë, e madje është i bindur se agjencitë e shërbimit inteligjent në Shqipëri dhe Kosovë duhet të investigojnë.

“Disa qarqe të Kosovës dhe Shqipërisë duhet të kenë një organizim më të madh. Nuk duhet që vetëm të shpifin ndaj rivalëve politikë por do ishte më mirë të merreshin se çfarë është një fushatë, që bëhet kundër ardhjes së kosovarëve në Shqipëri për turizëm. Kush e sinkronizon, kush e financon, kush e bën? Kam lexuar dhjetëra artikuj në Kosovë që shqiptarët në Durrës i thonë që mirë ju a ka bërë serbi. Ka dhjetëra artikuj në zyrën time që mund t’i bëni një evidencë. Këto artikuj janë të habitshëm, kundër ardhjes së kosovarëve në Shqipëri”, -tha Haradinaj. Duke u ndalur në politikën ndërkombëtare, kryeministri i Kosovës veçoi marrëdhëniet me SHBA-në.

“Nëse flasim si komb shqiptar jemi më pro amerikanët. Ata e dinë se Kosova është popull pro amerikan, njerëzit e Kosovës, kombi ynë. Është marrëdhënia që krijohet dhe si krijohet marrëdhënia mes nesh. Ka patur tronditje marrëdhënia, por mund të them se si kam kontribuar unë për këto marrëdhënie. Kemi patur pajtime dhe mospajtime, edhe kur s’jemi pajtuar ata e kanë çmuar. Nëse kemi ndonjë dhimbje nuk është turp t’ia themi që këtu më dhemb. Nuk mendoj se jemi keq si Kosovë. Personalisht kam një komunikim serioz, por kam arritur të kem biseda me një nivel të caktuar me Amerikën”, -tha kryeministri Haradinaj.

Në aktualitetit politik në Shqipëri është “çështje dite” problemi i ekstradimit të Albert Veliut. “Nuk e kam ndjekur shumë temën në fjalë. Ne bëjmë kujdes kur bie fjala te ndarja e pushteteve. Pushtetet tona janë bukur të ndara”, -tha Haradinaj, ndërsa shton se deri atëherë mund të jetë rast ligjor dhe nuk ndërhyn ekzekutivi, ndryshe do ishte shkelje mes pushteteve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura