Ndryshimi i buxhetit/ Si do të ndahen 21 milionë USD brenda këtij viti për pensionistët dhe ish të përndjekurit

Nov 13, 2017 | 11:03
SHPËRNDAJE

Për shpërblimin e pensionistëve me rastin e festave të fundvitit dhe dëmshpërblimin e të dënuarve nga regjimi komunist, qeveria ka akorduar një fond të posaçëm, që kap vlerën e rreth 21 milionë dollarëve.

pensioniste

Nga këto, 18 milionë dollarë do të përdoren për të mbuluar faturën e shpërblimeve për pensionistët, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë për ish-të përndjekurit. Për të dytën herë radhazi, qeveria ka vënë dorë në buxhetin e këtij viti, duke bërë konkrete ndryshimet me anë të një akti normativ. Nga kjo rishpërndarje fondesh, është menduar edhe për detyrimet e prapambetura të krijuara nga mosdhënia në kohë e bonusit për bebet. “Rriten me 200 milionë lekë shpenzimet, dedikuar kompensimit të lindjes së fëmijëve, me qëllim likuidimin e detyrimeve të krijuara në këtë zë”, thuhet në relacionin që shoqëron buxhetin e ndryshuar

ISH-TË PËRNDJEKURIT

Ndërkohë, deri në fund të këtij viti, ish-të përndjekurit që jetojnë, do të kenë përfituar të plotë dëmshpërblimin. Për të përmbushur nevojën për më tepër fonde, Ministria e Financës ka shtuar në arkën e boshatisur rreth 3 milionë dollarë, të cilat do të përdoren për përmbylljen e këstit të tetë. Nga Ministria e Financës bëhet me dije se këto para do të ndahen brenda këtij viti kalendarik, çka do të thotë se deri në fund të muajit dhjetor, do të jetë likuiduar pagesa e tetë për kategorinë parësore. Një gjë e tillë është vënë në dukje edhe në relacion. “Rritet me 352 milionë lekë fondi për kompensimin e ish-të përndjekurve politikë, me qëllim akomodimin e shlyerjes 100% të këstit të tetë dhe të fundit të kategorisë parësore të përfituesve të gjallë, deri në fund të vitit 2017”. Mbyllja e këtij kësti shënon edhe përfundimin e procesit të dëmshpërblimit për një pjesë të ish-të përndjekurve që janë gjallë.

Nga të dhënat zyrtare, mësohet se janë më pak se 2100 të dënuar që bëjnë pjesë në kategorinë parësore. Deri më tani, më pak se 1 mijë prej tyre kanë pasur mundësi të marrin këstin e tetë, pjesa tjetër janë vënë në radhë pritjeje. Këta të fundit do të kenë mundësi që deri më 31 dhjetor, të marrin pjesën e mbetur të dëmshpërblimit duke i shkuar në këtë mënyrë në fund një kapitulli disavjeçar. Në projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, fondi për ish-të përndjekurit nuk ka ndryshuar. Kjo do të thotë se do të jenë sërish 2 miliardë lekë në arkë, që do të përdoren në funksion të skemës së dëmshpërblimit. Vetëm në momentin kur të gjithë ata që jetojnë të kenë përfituar të plotë pagesën e përcaktuar me vendim qeverie, i gjithë fondi vjetor do të shkojë për trashëgimtarët.

PENSIONISTËT

Ndryshe nga një vit më parë, fondi për shpërblimin e pensionistëve këtë vit është përgjysmuar. Qeveria ka akorduar vetëm 1.8 miliardë lekë apo thënë ndryshe 18 milionë dollarë për shpërblimet me rastin e festave të fundvitit. Duke marrë në konsideratë numrin e të moshuarve në pension, atëherë, mesatarisht i bie që secili prej tyre të përfitojë 2700 lekë të reja shpërblim.

Nga të dhënat, pritet që pensionistët të ndahen në dy kategori. Pensionistët kryefamiljarë që janë rreth 83 mijë, pritet të marrin një shpërblim prej 3 mijë lekësh për festa, ndërsa pensionistët e tjera, që janë rreth 570 mijë, pritet të marrin 2500 lekë shpërblim. Kjo, sipas të dhënave në buxhetin e shtetit, ku flitet për ndarjen e 1.8 miliardë lekëve ose rreth 18 milionë USD për 650 mijë pensionistë. Nga ana tjetër, mbetet në dorë të qeverisë rritja e mëtejshme e këtij fondi, për të shtuar kështu edhe masën e shpërblimit për festa./ADA HAZIZOLLI/PANORAMA/

kateg

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura