Blushi ndryshon ton për Ahmetajn: Më energjik. Shpresoj ta ndalë Ramën

Feb 16, 2016 | 17:50
SHPËRNDAJE

Deputeti kontrovers i PS-së, Ben Blushi i ka dalë në krah Arben Ahmetajt, ministrit të ri të Financave, në një intervistë për “ABC News”.


Blushi: Ahmetaj me energjik se Cani… by gazeta-panorama

Duke folur për ndryshimet në qeveri, Blushi tha se Ahmetaj është një ministër më energjik se Shkëlqim Cani dhe po ashtu më i majtë në ideologji.

“Ahmetaj është më energjik se Cani dhe shpresoj që në këtë drejtim të ndalë Ramën dhe të adresojë çështjet e majta, për të cilat kemi bërë fushatë”, tha Blushi.

I pyetur nga gazetari nëse e mbronte Ahmetajn, Blushi tha se nuk e mbron, por nuk ka as të drejtë ta paragjykojë.

Ai tha se me Ahmetajn ka punuar ngushtë dhe se ka qenë ndër zërat pro për ndryshimin e kufirit të borxhit publik në 60 % në Kushtetutë.

Ndryshimet në Qeveri, Blushi: Rama ndërroi një qen me lesh me një ketër

Një ditë pasi Kryeministri Rama e përcaktoi ambicien e Ben Blushit për kreun e PS si një lodër, deputeti i kujton atij se mbetet një njeri që e ka mendjen te lodrat, dhe si të tillë konsideron partinë, politikat qeverisëse, madje edhe ministrat.

Rama-vs-Blushi

“Nuk dua të komentoj një njeri që e ka mendjen te lodrat, ata që duan të luajnë dhe e shohin partinë si lodër, po flas për njerëz serioz, vendi ka njerëz më të pjekur që mund ta drejtojnë dhe ajo ata e kanë mendjen të shkojnë në shtëpi e të luajnë”- tha Blushi.

Pyetur për ndryshimet e fundit në qeveri, Blushi i ka quajtur ato të vonuara, por pa dashur të komentojë emra, ka theksuar se e rëndësishme aktualisht është të ndryshojë metoda e qeverisjes dhe politikëbërjes, e cila sipas tij nuk është në drejtimin e duhur.

“Nëse ai i konsideron ministrat dhe politikat si lodra, ndërron një elefant me një qenush, apo ndërron një qen me lesh me një ketër, unë nuk di, unë jam serioz e flas për politika”- tha ai.

Intervista e plote e Blushit 

Nuk dua të komentoj për emrat. Problemi nuk janë emrat, është mënyra se si po qeveriset. Në qoftë se ka një arsye për të parë këtë qeveri, është metoda e qeverisjes, më shumë se emrat.

Është përgjegjësia e kryeministrit?

Mënyra se si po qeveriset nuk është në drejtimin e duhur, do thosha. Se kjo shprehje është bërë si modë. Po flas për mënyrën e qeverisjes. Besoj se ka arsye të ndërmerren politika më të arsyeshme, për të mbështetur të varfrit, për të mbështetur interesin publik, për të mos deleguar të gjitha shërbimet publike te privati, siç po ndodh, për të frenuar koncesionet, për të forcuar interesin publik se nuk po kuptohet ku fillon dhe ku mbaron interesi publik dhe ku fillon e ku mbaron interesi privat, për të bërë politika pak më të arsyeshme dhe dashamirëse për të varfrit. E dini ju se në Shqipëri sot janë 31% që jetojnë me më pak se 5 mijë lekë në ditë? Nuk besoj se ka vend në Evropë që i trajton më keq të varfrit e vet. Nëse qeveria ka një qasje tjetër ndaj varfërisë, ndaj analfabetizmit, ndaj injorancës, ndaj mënyrës se si i kurojmë të varfrit, të dobëtit…është shkurtuar asistenca ekonomike. Ka më pak njerëz sot që asistohen nga shteti. E dini se në Shqipëri ka sot 400 mijë njerëz që jetojnë me 400 lekë të vjetra në ditë. Më gjeni një vend tjetër në Evropë ku dikush jeton me më pak se gjysmë dollari në ditë. Kjo është e pamundur. Nesër këta njerëz, nëse nuk ushqehen, nuk arsimohen siç duhet, nuk u jepet mundësi punësimi, kosto për shoqërinë është më e lartë. Këto janë politika strategjike që bën Qeveria. Duhet të nxisë eksportet. Në katër vitet e fundit importet janë ulur, eksportet janë ulur. Çfarë prodhojmë ne? Edhe ato të mira materiale që na ka dhënë Zoti dhe Natyra, naftë, krom, minerale, ujë, erë, det, diell, këto janë pasuritë tona, nuk po i shfrytëzojmë siç duhet. Në përgjithësi qeveria dhe metoda qeverisëse ka arsye të ndryshojë më shumë se njerëzit.

Ndërkohë Rama i quan lodra këto që thoni ju?

Unë nuk dua të komentoj një njeri që e ka mendjen te lodrat. Ata që duan të luajnë dhe e shohin qeverinë dhe partinë si një lodër, nuk kam arsye të komentoj. Po flas për njerëz seriozë. Shqipëria ka akoma njerëz seriozë, në moshë të pjekur që kanë mundësi të qeverisin dhe nuk e kanë mendjen se si të shkojnë në shtëpi dhe të luajnë.

Po për ndryshimet në Qeveri?

Unë i kam kolegë shumicën e tyre dhe njerëz që kanë bërë fushata. Nuk kam arsye të komentoj cilësinë e tyre. Por besoj se ndryshimi i sotëm ishte i vonuar, për çka duhet të ndodhë. Ka nevojë për një mënyrë qeverisje tjetër, e  cila në radhë të parë është aleate me të varfrit, është aleate me shtresën e mesme dhe është aleate me interesin publik. Të tria këto cilësi kjo qeveri i ka humbur me kalimin e kohës dhe nuk është kjo arsyeja për të cilën u votua në 2013. Kur më thonë përse flas, flas për të mbrojtur parimet për të cilat erdhëm në pushtet, për parimet për të cilat mendoj se jam i majtë.

A u ndryshua Cani me Ahmetajn për shkak të asaj që ju thoni ‘rekorde jo të mira në ekonomi’?

Nuk e di këtë. Duhet të pyesni njeriun që e konsideron qeverinë dhe partinë si një lodër. Në qoftë se i konsideron ministrat e vet si lodër, pra që ndërrohen, pra e ndërron një elefant me një qenush, apo e ndërron një qen me lesh me një ketër? Nuk e di. Unë jam njeri serioz dhe flas për politika. Thelbi sot ky është të flasim për politika që ndryshojnë jetën e njerëzve nga ky depresion i madh shoqëror, i cili po prodhon papunësi, analfabetizëm, polarizim social dhe zbrazje demografike.

Duhet të ketë ndryshime të tjera në Qeveri?

E thashë, duhet të ketë ndryshim të metodës së qeverisjes. Nuk është çështja te njerëzit, por te metodat. Ka shumë njerëz brenda PS-së që nëse orientohen siç duhet, edhe këta ministra që janë, nëse i hipën në një makinë tjetër ecin pak më shpejtë. Por kjo makinë qeverisëse është shumë e ngathët për fat të keq.

A duhet të kishin kaluar vendimi për ndryshimet në qeveri nga Grupi?

Nuk është e thënë. Partia ka arsye të njihet kur ka ndryshime ministrash.

Ju jeni njohur nga mediat?

Po nga mediat. Dje kishte mbledhje grupi dhe kjo nuk u tha. U fol për lodra apo jo?


Lodrat e Zahos, ja pergjgjja e Blushit per Ramen by gazeta-panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura