Ndryshimet në Kod, Ivi Kaso: PS po shkel marrëveshjen. Imuniteti i gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor ka kaluar testin e ‘VENECIAS’

Sep 26, 2020 | 20:12
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Sekretari për çështjet zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, akuzon maxhorancën se shkel marrëveshjen e 14 janarit që sanksiononte rregullat për funksionimin e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore dhe vendos opozitën përpara logjikes së faktit të kryer.

IVI-KASO-TRYEZE-1-1140x600

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Kaso shprehet se futja në rend të ditës për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor më 1 tetor pa dakordësinë e opozitës së bashkuar dhe refuzimi i PS-së për të marrë opinionin e ODIHR-it, shkel për të disatën herë marrëveshjen e 5 qershorit dhe atë të 14 janarit.

“Për sa më përket mua, në cilësinë time si ekspert zgjedhor, shpreh keqardhjen që maxhoranca vijon me logjikën e vënies së opozitës përpara faktit të kryer, duke shkelur nga një anë angazhimin që ka marrë më 14 janar të këtij viti dhe nga ana tjetër, duke refuzuar opinionin e OSBE/ ODIHR. Kujtojmë që kështu ka qenë edhe marrëveshja paraprake, që në rastet kur palët nuk kanë dakordësi, atëherë u drejtohen palëve ndërkombëtare, në këtë rast ODIHR-it. Ndërkohë, edhe vet ODIHR ka shprehur gatishmërinë për ta dhënë sa më shpejt të jetë e mundur. Opinioni i ODIHR-it do të bënte që, edhe pse ndryshimet kushtetuese u miratuan në mënyrë të njëanshme, zgjidhja të ishte sa më shumë e drejtë dhe e pranueshme”, u shpreh Kaso.

KOLEGJI ZGJEDHOR

Teksa e gjithë vëmendja është te mosdakordësia mes palëve për çështjen e koalicioneve dhe listat, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, kërkoi pak ditë më parë që të ndryshohet një tjetër dispozitë, e cila prek marrëveshjen e 5 qershorit në prani të ndërkombëtarëve. Dispozita në fjalë lidhet me imunitetin që u sigurohet gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor. Por për sekretarin e PD-së, kërkesa e saj është politike pasi në të vërtetë, dispozita nuk e shkel Kushtetutën dhe ka kaluar testet tek ODIHR dhe Venecia.

“Imuniteti që u sigurohet gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor në atë dispozitë, iu mundëson atyre mbrojtje që të mos trysnohen gjatë ushtrimit të detyrës shumë të rëndësishme për certifikimin e zgjedhjeve. Po ashtu, e njëjta dispozitë i bën imunë gjyqtarët edhe nga joshja, duke u dhënë favore. Për shembull, transferimet në vende më të favorshme. Theksoj se dispozita që ministrja e Drejtësisë kërkon që të ndryshojë ka kaluar testet e OSBE/ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias”, tha Kaso.

Ndërkohë, ai e bëri të qartë se Këshilli Politik nuk do pranojë ta bëjë pjesë të punës propozimin e ministres.

“Nuk mundet që objekt diskutimi në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore të bëhet çfarëdolloj fantazie e ministres së Drejtësisë, e cila, duke lënë mënjanë problemet e drejtësisë dhe në vend që të bëjë funksionale drejtësinë e këtij vendi, merret me trakte partiake dhe me atentate e thika pas shpine të Reformës Zgjedhore. Nuk mund të bëhet objekt pune një amendament, i cili, jo më larg se dy muaj, u miratua me konsensus”, vijoi Kaso në intervistën për gazetën “Panorama”.

***

Kuvendi nis diskutimin e ligjeve që luftojnë korrupsionin zgjedhor

Puna për të implementuar ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut në Kodin Zgjedhor është duke shkuar drejt fundit.

Dy muaj nga miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, Kuvendi ka futur në listën e projektligjeve për t’u diskutuar 5 nisma, të cilat vijnë në mbështetje të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor sipas marrëveshjes së 5 qershorit. Më 22 shtator, në faqen zyrtare të Kuvendit është publikuar projektligji për mbrojtjen e sinjalizuesve në zgjedhje, projektligji për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit dhe tri ligje të tjera. Të 5-ta draftet vijnë si nevojë e ndryshimeve të bëra në Kodin Zgjedhor më 23 korrik dhe që kryesisht luftojnë korrupsionin zgjedhor.

REAGIMI

Përmes një reagimi në “Facebook”, anëtari i Partisë Demokratike në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi, akuzoi maxhorancën se vonoi procedurën për diskutimin dhe miratimin e projektligjeve që vijnë në mbështetje të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Sipas Bylykbashit, hapi i hedhur nga maxhoranca erdhi pas presionit që opozita e bashkuar i bëri asaj në mbledhjen e 22 shtatorit dhe pas presionit të ndërkombëtarëve.

Më në fund, paketa e dytë e amendamenteve pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, me 7 ligjet që u miratuan nga Këshilli Politik me konsensus në korrik, gjeti dritën e diellit në Kuvend, edhe pse përfaqësuesi socialist në Këshillin Politik kishte deklaruar që më 27 korrik se ato ishin depozituar në Kuvend në përputhje me marrëveshjen e 5 qershorit. Përgjatë dy muajve, asnjë prej këtyre ligjeve nuk u përfshi në programin e punës së Kuvendit, duke shkelur marrëveshjen e 14 janarit dhe atë të 5 qershorit. Ligjet u miratuan në korrik në Këshillin Politik si pjesë e marrëveshjes së 5 qershorit, por për dy muaj u mbajtën të fshehura në sirtarët e Kuvendit. U desh presioni i opozitës në Këshillin Politik ditën e martë, 22 shtator, dhe presioni ndërkombëtar që përfaqësuesit e PS-së t’i nxirrnin nga sirtari pas dy muajsh fshehjeje dhe t’i regjistronin sot në Kuvend”, shkroi Bylykbashi.

EFEKTI

Në vijim të statusit të tij, Bylykbashi tregon se cili do të jetë efekti i projektligjeve që kërkon të miratohen sa më shpejt. Ndërkohë, ai akuzon edhe maxhorancën se kërkon të marrë atributet e projektligjeve.

Sipas demokratit, të 5- ta draftet janë propozuar nga opozita e bashkuar në Këshillin Politik, në mënyrë që të godasë korrupsionin zgjedhor.

“Njëri ligj i kalon SPAKut kompetencën për të hetuar shitblerjen e votës. Një ligj i shtrëngon rripat Prokurorisë së zakonshme për të goditur krimet e tjera zgjedhore dhe jo t’i tolerojë ato siç ka bërë deri më sot. Një ligj qartëson rolin e Policisë në zgjedhje, që Kryeministri të mos u japë më urdhër policëve që të bëjnë fushatë për PS. Ligjet e tjera godasin fenomene të tjera që cenojnë zgjedhjet. Të gjitha të miratuara mbi bazën e propozimeve të opozitës së bashkuar në Këshillin Politik. Por sot, sharlatanët e maxhorancës na i paraqitën sikur janë iniciativat e tyre. Ata kanë vetëm një detyrë tani mbi bazën e marrëveshjes së 14 janarit: t’i miratojnë këto ligje pa asnjë ndryshim, siç janë miratuar nga Këshilli. Ato ligje sot duhej të ishin miratuar e të ishin në fuqi, por Edi Ramës nuk i intereson goditja e krimit zgjedhor. Atij i intereson të ndryshojë rregullat konsensuale të lojës, jo të miratojë rregulla që i lidhin duart më 25 prill 2021 atij dhe kriminelëve që ka pas”, vijon Bylykbashi në statusin e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura