Ndryshimet kushtetuese për mandatin e Gjykatës Speciale, kryeparlamentarja Osmani letër Presidentes së kësaj gjykate

Sep 18, 2020 | 17:09
SHPËRNDAJE

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë thënë për REL se presidentja e këtij institucioni, Ekaterina Trendafilova, do t’ua dorëzojë gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara të Gjykatës Kushtetuese, kërkesën e nisur nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani rreth ndryshimeve kushtetuese që lidhen me mandatin e kësaj Gjykate.

GettyImages-1227111991-780x439

Osmani i ka nisur të premten letër Trendafilovas, rreth kërkesës së bërë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për bërjen e ndryshimeve kushtetuese lidhur me mandatin e këtyre Dhomave që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në letrën që ka siguruar Telegrafi ka kërkuar nga Trendafilovas që amendamenti i propozuar t’i përcillet për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese pranë Dhomave të Specializuara.

Sipas nenit 144 të Kushtetutës, ndryshimet kushtetuese miratohen me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Votimi bëhet pasi që kryetarja e Kuvendit t’i adresohet Kushtetueses për të vlerësuar paraprakisht ndryshimet e propozuara.

Ambasadorët e vendeve të Kuintit u kanë bërë thirrje të premten, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, që të kundërshtojnë çdo përpjekje për të prishur ose zhvlerësuar misionin e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, si dhe të sigurojnë që këta trupa të kryejnë detyrën e tyre në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Vendet e Kuintit janë: Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

Përmes një komunikate për media, vendet e Kuintit kanë përgëzuar edhe vendimin e kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, për të kërkuar nga Gjykata Speciale që të shqyrtojë kërkesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për bërjen e ndryshimeve kushtetuese, që lidhen me mandatin e kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura