Ndryshimet kushtetuese/ Kuvendi çon në seancë nismën e PS për mandatin e organeve të vetingut. Ja qëndrimet e PD dhe LSI

Jan 22, 2022 | 8:45
SHPËRNDAJE

KELMENT BAÇI/ Këshilli i Legjislacionit miratoi nismën e Partisë Socialiste për ndryshimet kushtetuese për zgjatjet e mandatit të organeve të vetingut.

legjislacioni

Vetëm me votat e saj, pasi përfaqësuesja e LSI-së Erisa Xhixho votoi kundër, maxhoranca votoi pro shtyrjes me 2 vite e gjysmë të mandatit të organeve të vetingut, me qëllim përfundimin e procesit për vlerësimit të pjesës së mbetur të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Konkretisht, u votua për ndryshimin e projektligjit, i cili parashikon që: “Neni 179/B Pika 8, fjalia e parë ku togfjalëshi është 5 vjet nga data e fillimit të funksionimit të tyre” zëvendësohet me togfjalëshin “përfundon në datën 31.12.2024”, ndërsa ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Gjatë diskutimeve në mbledhjen e djeshme, relatorja Klotilda Bushka ka sjellë argumentet e saj pro zgjatjes së mandatit, kurse opozita e ka kundërshtuar një gjë të tillë.

Sipas Bushkës, janë bërë konsultimet me grupet e interesit, duke kërkuar nga deputetët që kjo nismë të miratohet, pasi është në të mirë të Reformës në Drejtësi.

Nga ana tjetër, deputetja e LSI-së Erisa Xhixho tha se nuk janë kundër zgjatjes së afateve për institucionin, por nuk mund të flitet për individë, vendimet e të cilëve janë apeluar në KPA.

Për Damian Gjiknurin, procesi i vetingut është një proces që s’duhet lënë në mes dhe duhet të depolitizohet. Për miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend duhen 93 vota, të cilat maxhoranca nuk i ka.

PJESË NGA DISKUTIMET

Klotilda Bushka: Në cilësinë e relatores, në përfundim të kësaj procedure parlamentare nisur në bazë të një kërkese të 39 kolegëve deputetë të maxhorancës për ndryshime kushtetuese për zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut, pasi kemi studiuar të gjitha materialet dhe kemi bërë një vlerësim të çështjeve, vlerësojmë se nisma është në përputhje me Kushtetutën, ka një interes legjitim në të mirë të Reformës në Drejtësi dhe arrijmë në përfundimin se kjo nismë të miratohet. Në vijim të paraqitjes së kërkesës, Kuvendi në përputhje me Kushtetutën ka ndjekur procedurat ligjore sa i takon rishikimit të Kushtetutës. Nisma është futur në konsultim publik me aktorë të shoqërisë dhe institucionet përgjegjëse që preken nga ky vendim, konkretisht organet e vetingut dhe SPAK. Konsultime janë bërë me botën akademike.

Kemi marrë edhe opinionin e tre ekspertëve: Aurela Anastasi, Erind Mërkuri dhe Silva Caka kanë paraqitur me shkrim opinionet e tyre në lidhje me nismën. Ne sugjerojmë miratimin e nismës.

Erisa Xhixho: Mua më duket një luftë për të ndryshuar sa më shpejt Kushtetutën. Doja të sillja në vëmendje që në propozimin që kjo maxhorancë i ka bërë kësaj iniciative, ka konflikt interesi. Hajde bëjmë diskutim profesional për zgjatjen e këtij procesi. Debati bëhet, ky institucion përfaqësohet nga njerëz, nga individë që në shumë raste janë anatemuar për veprime të dyshimta me 2 standarde. Ne e mbështesim zgjatjen e mandatit për institucionin, por nuk mund të flasim për zgjatje afati të personave që janë anatemuar në dhënin e drejtësisë, qoftë të dy standardeve. Vendimet e tyre janë apeluar në KPA. Nëse ne mbështesin institucionet e reja të drejtësisë, duhet të marrim përgjegjësinë edhe për individët që ushtrojnë këtë detyrë.

Damian Gjiknuri: Sot jeni në fazën e përmbylljes së një procesi që mori kohë. Përtej retorikës politike për të kapur veshët e militantëve politikë duhet t’i sqarojmë publikut indiciet e iniciativës. Kemi qenë dakord për një marrëveshje, kemi ngritur institucione, mund të kishin ecur më shpejt, më ngadalë, kjo është pjesë e rezultatit të punës. Procesi s’duhet lënë në mes, duhej të depolitizohej. Nuk është thjesht marrëveshje politike, por është Kushtetuta e Shqipërisë. Është iniciativë që lindi për shkak të një nevojë dhe motivi.

Pse braktisi PD zgjatjen e vetingut

Partia Demokratike mori pjesë vetëm në mbledhjen e parë të Këshillit të Legjislacionit ku u diskutua për ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut. Nga ajo ditë, PD ka refuzuar t’u bashkohet diskutimeve për nismën e PS-së.

Arsyeja që PD e braktisi këtë nismë lidhet me propozimin e saj të bërë në mbledhjen e parë, ku ajo kërkoi që bashkë me ndryshimet kushtetuese për organet e vetingut, të diskutoheshin edhe ndryshimet kushtetuese për vetingun në politikë.

Ky propozim u kundërshtua nga socialistët, duke bërë që demokratët të braktisnin propozimin e tyre. P

D ende nuk ka shprehur një qëndrim zyrtar për këtë çështje, por problemet e brendshme dhe konflikti me maxhorancës për komisionet hetimore dhe reformën territoriale i ka tërhequr ata nga një bashkëpunim i mundshëm, ku të dyja palët do të “merrnin atë që donin”.

Megjithatë, pritet të shihet se si do të votojnë demokratët në Kuvend dhe presioni që mund të ushtrojë SHBA, BE dhe OSBE, të cilat e mbështesin nismën e PS-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura