Meta jep argumentet ligjore: Pse Kuvendi aktual është ilegjitim për të kryer amendamentet Kushtetuese

Jul 16, 2020 | 14:45
SHPËRNDAJE

Presidenti Ilir Meta ka deklaruar sot se ndryshimet kushtetuese të propozuara nga deputetet e pakicës dhe të aprovuara nga maxhoranca qeverisëse janë në kundërshtim me parimet e Komisionit të Venecias.

Për Kreun e Shtetit ndryshimet Kushtetuese duhet të ndërmerren një vit para zgjedhjeve.

Meta ka deklaruar sot se marrëveshja e arritur me 5 qershor, i hap rrugën vendit për nisjen e bisedimeve me BE.

Ai deklaroi sot se Kuvendi aktual nuk e ka legjitimitetin për të ndryshuar Kushtetutën e vendit, pasi sipas tij në këtë Parlament janë vetëm 82 deputetet me mandat legjitim, ndërkohë që ndryshimet Kushtetuese kërkojnë mbi 84 vota.

“Kjo marrëveshje i hap rrugën përmbushjes së të parit prej 15 kushteve për nisjen e bisedimeve në BE.

Ndryshimet kushtuese janë në kundërshtim me parimet e vendosura në Venecia, ndryshime thelbësore të sistemit zgjedhor duhet të nisin 1 vit para zgjedhjeve. 

Pse Kuvendi aktual nuk ka legjitimitetin për këto ndryshime, sepse ai siç e kam theksuar në deklaratën para një viti, ka vetëm 82 deputete legjitimë që kanë fituar mandatin nga zgjedhjet, përfshirë 3 deputetët e opozitës.

Pas dorëheqjes së 58 deputeteve dhe 124 kandidatëve pasues, mund të themi se 182 deputetë dhe kandidatë nuk pranuan të ishin pjesë e Kuvendit, edhe pse shteruan listat prej 18 muajsh edhe sot siç e dini Kuvendi ka formalisht 122 nga 140 që eshët detyrim i përcaktuar në kushtetutë.

Asnjë deputet i dorëhequr nuk u thirr para ndonjë Komisioni, apo Këshilli për Rregulloren, për të deklaruar publikisht heqjen dorë nga mandati. Kuvendi kishte 30 ditë kohë për secilin deputet por nuk e respektoi kërkesën e Kodin Zgjedhor duke nxitur të zëvendësonte mandatet”, tha Meta.

ARGUMENTAT E PLOTA

 E thekoj, në mënyrë të përsëritur prej gati 1 viti, që Kuvendi i Shqipërisë nuk e ka legjitimitetin kushtetues dhe politik për të realizuar ndryshimet kushtetuese.

  • Kuvendi aktual ka vetëm 82 deputetë legjitimë që kanë fituar mandatin nga procesi zgjedhor, dhe ku përfshihen edhe tre deputetët e opozitës të cilët nuk pranuan me të drejtë të dorëhiqeshin pas vendimit të Opozitës së Bashkuar.
  • Pas dorëheqjes në bllok të 58 deputetëve të opozitës dhe 124 kandidatëve pasues për deputetë të të gjitha partive opozitare refuzuan të ishin pjesë e Kuvendit, mund të themi se 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të opozitës nuk pranuan të ishin pjesë e Kuvendit të Shqipërisë.
  • Edhe pse shteruan të gjitha listat e partive opozitare prej 18 muajsh, edhe sot siç e dini Kuvendi ka vetëm formalisht 122 deputetë nga 140 deputetë që është detyrim i përcaktuar në nenin 64 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë.
  • Të gjitha procedurat e parashikuara nga Kushtetuta, Kodi Zgjedhor dhe Rregullorja e Kuvendit nuk janë respektuar në zëvendësimin e mandateve.
  • Kodi Zgjedhor në nenin 164 parashikon se:

Mandati i deputetit, i fituar sipas neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi, ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës.

Nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati. Në rastin e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës.”

  • Pra Kodi Zgjedhor e ndalon dorëheqjen në bllok nga mandatet.

 Ndërkohë që, asnjë deputet i dorëhequr nuk u thirr përpara ndonjë Komisioni apo nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për t`u dëgjuar mbi arsyet e dorëheqjes dhe për të deklaruar publikisht heqjen dorë nga mandati, sipas kërkesave të nenit 164, pika 1 e Kodit Zgjedhor.

 Kuvendi kishte 30 ditë kohë për secilin deputet për të realizuar këto procedura, por nuk e respektoi këtë kërkesë të Kodit Zgjedhor, duke nxituar për t`i zëvendësuar mandatet vetëm përmes njoftimeve administrative të Sekretarit të Përgjithshëm.

  • Në zbatim të nenit 71/2 “b” dhe 75/2 të Kushtetutës, nenit 164/1 të Kodit Zgjedhor, si dhe nenit 13 e në vijim të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, të gjitha veprimet proceduriale, të vlerësimit dhe vendimarrjes mbi konstatimin e vakancave në Kuvendin e Shqipërisë dhe vërtetimit të kushteve të mbarimit të mandatit për çdo deputet të dorëhequr duhet të ishin kryer fillimisht nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dhe më pas nga vetë Kuvendi i Shqipërisë me vendim në seancë plenare.
  • Ndërkohë në kundërshtim me kërkesat e Kodit Zgjedhor dhe Rregullores së Kuvendit, të gjitha veprimet, vlerësimet dhe njoftimet për secilën nga vakancat e shfaqura në Kuvendin e Shqipërisë, të lindura për shkak të dorëheqjes nga mandati i deputetit rezulton të jenë kryer vetëm nga Sekretari i Përgjithshëm me shkresa të thjeshta administrative.
  • Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, jashtë kompetencave të tij dhe në kundërshtim me procedurën e kërkuar për çdo dorëheqje të dorëzuar, menjëherë (brenda një periudhe nga 1 deri nga 4 ditë nga dorëzimi i dorëheqjes) ka kryer veprimin e konstatimit të vakancës dhe njoftimin e saj në KQZ.
  • E gjithë veprimtaria dhe praktika administrative e ndjekur në këtë drejtim është në kundërshtim me kërkesat e ligjit dhe paraqet tërësisht elementë të pavlefshmërisë absolute.
  • Nën këtë regjim dhe praktikë totalisht antikushtetuese dhe antiligjore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas njoftimit të krijimit të vakancës prej Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, edhe pse është njohur me faktin se praktika shkresore nuk përmbante asnjë vendim të Kuvendit të Shqipërisë sipas ligjit, sërish ka vijuar me ndjekjen e procedurave për plotësimin e menjëhershëm të vakancave, sipas rendit zbritës në listat shumëemërore, duke u bërë kështu pjesë e këtij procesi tërësisht të paligjshëm.

Këto janë disa nga arsyet kryesore dhe thelbësore që i bëjnë ato mandate opozitare të zëvendësuara jo legjitime dhe për të cilat shpesh herë më keni dëgjuar si President i Republikës, ta përmend si fakt që Kuvendi nuk ka legjitimim për të realizuar reforma kushtetuese.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura