Ndryshimet, drejtorët me urdhër të ministrit të Kulturës

Feb 7, 2018 | 14:48
SHPËRNDAJE

Kineastët shqiptarë dalin kundër projektligjit “Për artin dhe kulturën”, publikuar në faqen e Ministrisë së Kulturës. Në këtë projektligj parashikohen disa ndryshime në ligjin ekzistues, në lidhje me emërimet e drejtorëve të institucioneve, për ngritjet e bordeve, që tashmë kalojnë tërësisht në dorë të ministrit të Kulturës, duke minimizuar rolin e titullarëve.

qendra-e-filmit

Por, ajo çka i ka indinjuar më së shumti kineastët, është përfshirja si institucion në varësi i Ministrisë së Kulturës, i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Duke pretenduar se nuk janë konsultuar nga ana e Ministrisë së Kulturës, kineastët, të organizuar në disa shoqata, u mblodhën dje në një takim urgjent, në sallën Black Box, pranë Universitetit të Arteve.

Asnjëherë nuk ishin parë më shumë kineastë e njerëz të skenës së bashku. Pjesëmarrësit preferuan të zhvillojnë një takim me dyer të mbyllura për mediat, pasi dëshirojnë që së pari të binin në një mendim të përbashkët, për të dalë më vonë me një deklaratë për shtyp.

Mësohet se në këtë takim u vendos krijimi i një komisioni apo i një grupi pune, në përbërje të të cilit janë Sabina Kodra, Xhevdet Feri e Dritan Huqi, që do të ndjekë ecurinë e këtij projektligji, të mbajë komunikimin me ministrinë dhe me mediat. Po ashtu, mësohet se të gjithë të pranishmit nënshkruan një peticion kundër këtij projektligji.

DEKLARATA

Pas takimit të anëtarëve të 6 shoqatave kinematografike, për të diskutuar lidhur me projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10 352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, si dhe projektvendimin e Këshillit të Ministrave, “Për riorganizimin e shkollës së lartë jopublike ‘Marubi…’, u dol me një deklaratë të përbashkët për shtyp, ku dilet kundër ndryshimeve në aktet e mësipërme.

Projektligji parashikon përfshirjen nën varësi të MK të QKK-së, ndërsa projektvendimi parashikon që Akademia “Marubi” të financohet nga QKK. Në këtë deklaratë thuhet: “Ligji ‘Për kinematografinë’, i hartuar dhe miratuar, bazuar në eksperiencat më të mira europiane, në vitin 1996, ka krijuar skemën më demokratike dhe bashkëkohore të prodhimit të veprave kinematografike, ndaj vlerësohet e papranueshme që sot, në vitin 2018, të bëhen hapa mbrapa dhe të preket themeli i mekanizmit të funksionimit të kinematografisë shqiptare.

Kineastët shqiptarë kundërshtojnë në themel iniciativat e ndërmarra, pasi konstatojnë asgjësimin e parimeve bazë, mbi të cilat funksionon kinematografia shqiptare. Projektvendime të tilla minojnë skemën bazë, me të cilën funksionon konkurrimi i lirë dhe përzgjedhja e projekteve – format i miratuar gjerësisht nga kineastët, i cili gëzon mbështetjen e tyre më të gjerë. Komuniteti i kineastëve shqiptarë shpreh indinjatën legjitime për tentativat e vazhdueshme për të tjetërsuar formën juridike dhe buxhetin e QKK, në favor të interesave dhe të individëve caktuar.”

Në projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10 352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, publikuar në faqen e Ministrisë së Kulturës, parashikohet që:

-Galeria Kombëtare e Arteve të kthehet në Muzeun Kombëtar të Arteve të Bukura.

– Në institucionet publike qendrore të artit e të kulturës, subjekt i këtij ligji, përfshihen edhe:

f) Qendra Kombëtare e Kinematografisë; g) Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit; gj) Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit”; h) Biblioteka Kombëtare; i) Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale.

– Emërimi i titullarit të institucionit publik qendror nuk bëhet më me vendim të Këshillit të Ministrave, por me “Urdhër të Ministrit përgjegjës për artin dhe kulturën”

-Për bordet artistike të institucioneve, parashikon: “Bordi artistik përbëhet nga 7 anëtarë, nga të cilët një përfaqësues nga Ministria përgjegjëse për Financat, një përfaqë- sues nga Ministria përgjegjëse për Artin dhe Kulturën, ndërsa anëtarët e tjerë janë personalitete të shquara të fushës së artit, veprimtarive shoqërore ose përfaqësues nga fusha e biznesit. Anëtarët miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për artin dhe nuk mund të jenë të punësuar në institucionin, pranë të cilit funksionon ky bord.

Emërimi i tyre bëhet për një afat 4-vjeçar. Lirimi dhe shkarkimi, para përfundimit të këtij afati, bëhet nga ministri përgjegjës për artin dhe kulturën, për shkelje të ligjit ose për arsye të mosfunksionalitetit të tij.”

-Mënyra e funksionimit të Bordit përcaktohet në rregulloren e miratuar me Urdhër të ministrit përgjegjës për artin dhe kulturën.

-Miratimi i veprimtarive artistiko-kulturore në institucionet publike qendrore të artit dhe kulturës, njësitë e qeverisjes vendore dhe institucionet të tjera publike.

1. Miratimi i veprimtarive artistiko-kulturore në institucionet publike qendrore të artit dhe kulturës, njësitë e qeverisjes vendore dhe institucionet të tjera publike bëhet me Urdhër të titullarit pas propozimit nga kolegjiumi i institucionit përkatës.

2. Kolegjiumi ka në përbërje jo më pak se 3 nëpunës ose punonjës, të përcaktuar me urdhër të titullarit.

3. Mënyrat e funksionimit të kolegjiumit për institucionet qendrore të artit dhe kulturës propozohen nga institucioni dhe miratohen nga ministri përgjegjës për Artin dhe Kulturën.

4. Mënyra e funksionimit të kolegjiumit për njësitë e qeverisjes vendore dhe institucionet e tjera publike miratohen nga titullari i institucionit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura