Ndryshim i ri, model i vjetër për Policinë e Shtetit

Jan 21, 2019 | 11:00
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO PËLLUMB NAKO

Ende pa përfunduar mirë diskutimin e futjes së oficerëve të Ushtrisë në radhët e Policisë, me një ngutje të pakuptueshme, ministri i Brendshëm kaloi në krahun tjetër të propozimit. Këtë radhë duke i hapur dyert e Policisë universitarëve. Shfaqja është realisht shumë joshëse. Duket qartë që ministri nuk është i kënaqur me nivelin që po konstaton në radhët e Policisë. Ndaj nxiton ta pasurojë me prurje të tjera, të reja. Asgjë e keqe. Por kjo duhet bërë vetëm në përputhje me standardet. Ndryshimi ligjor i miratuar nuk krijon standard. Madje po të kalojë edhe pak kohë e të njohë më mirë personelin, ministri do të njohë shumë kapacitete të afta që janë “bllokuar” prej shumë viteve në nivelet e mesme të hierarkisë policore. Ata nuk njihen si pasojë e shënimeve nëpër copëra letrsh të verdha të drejtuesve policorë të mbijetuar që nga koha e luftës së ftohtë për të lëvizur andej-këtej personelin me bazë klienteliste, pa asnjë kriter profesional. Mendimin racional të cilin ndoshta shefi po e has me vështirësi, nuk gjendet domosdoshmërisht në shtresat e larta të pompuara policore.

Ndërkohë, hartimi dhe shtimi i disa neneve të Ligjit “Për Policinë e Shtetit” pa respektuar doktrinat policore, tashmë të qëndrueshme edhe në policinë tonë, nuk e pasuron atë. Përkundrazi, krijon konfuzion dhe shkatërron gjithë arritjet e deritanishme. Sado të pakta dhe modeste qofshin ato. Ndoshta ndryshimet e reja të propozuara nga ministri japin një kontribut për të zbutur kontestimet e studentëve të ngritur masivisht kundër kalbësive që po gërryejnë jetën e tyre universitare. Shumë mirë, por siç u tha më lart, në përputhje me standardet e doktrinave policore.

Nëse në shumë aspekte të saj, shoqëria shqiptare shihet ende në tranzicion, institucioni i Policisë nuk mund të bëjë përjashtim. Por për Policinë nuk mungojnë edhe disa arritje, të cilat e kanë shkëputur atë nga tranzicioni. E kanë kthyer në një organizatë më të qëndrueshme, me themele të palëvizshme, pavarësisht buldozerëve të shumë ministrave për të prishur njëri pas tjetrit atë që gjejnë para dhe më pas të ndërtojnë veprën e tyre. Gjithmonë shpejt dhe me nxitim. Për t’u rrëzuar përsëri në vazhdim.

Dihet që Policia e Shtetit para viteve 2013 u përball me një sërë kërkesash për të adoptuar standardet e duhura në kuadrin e hyrjes së Shqipërisë në NATO dhe në procesin e liberalizimit të vizave. Standarde këto të certifikuara më pas pikërisht nga këto organizma. Të palëvizshme. Më konkretisht, ligji i Policisë i vitit 2007 konsolidoi si standard statusin civil të saj. Në organizimin policor u ndanë funksionet civile nga ato policore operacionale. U vendos edhe ecja në karrierë e bazuar në gradë. U parashikua krijimi i sindikatave. Po ashtu u sanksionua edhe themeli bazë i rekrutimit të punonjësve të Policisë nëpërmjet “hyrjes nga një portë e vetme” dhe ” pa prurje anësore”. Hyrja në karrierë do të bëhej për të gjithë, vetëm pas formimit fillestar në Akademi. Pra, të gjithë të barabartë.

Dy ministrat e mëparshëm të së majtës përmbysën gjithçka që ishte arritur nga qeveria e mëparshme. Rrokën kazma dhe lopata të tipit të dikurshëm xhenier dhe shkatërruan shumë standarde. Më pas, hartuan një ligj të ri për Policinë, duke e arnuar atë disa herë. Shanë e anatemuan para e mbrapa njëri-tjetrin, por standardet e mësipërme nuk i prekën. Standarde këto që tashmë kanë mbushur 11 vjet.

Ndërkohë, 11 vjet më pas, propozimet e bëra nga gjenerali dhe adoptimi i një pjesë prej tyre nga Parlamenti godasin pikërisht standardin e futjes në karrierën policore vetëm nga një portë hyrëse, pra, nga shkollimi bazë në Akademinë e Sigurisë. Ky standard garanton qëndrueshmëri të organizatës, rregull dhe njëkohësisht motivim. Aq i duhur për radhët e Policisë.

Kurse ndryshimet e fundit të miratuara para pak ditësh krijojnë mundësinë e futjes së personave, që kanë mbaruar studimet universitare specifike në radhët e punonjësve të Policisë si prurje anësore, pa kaluar nga Akademia. Ndryshimi nuk kujdeset për pasojat e mëpasme jo vetëm për organizatën, por edhe vetë personat. Krijohet një standard i dyfishtë. Sipas ndryshimeve ligjore në fjalë, këta universitarë do t’i nënshtrohen një kursi të përshpejtuar disamujor dhe do të emërohen me gradën nënkomisar për të kryer detyra specifike në Polici. Pra, tani do të kemi dy porta hyrëse, ose më saktë një portë dhe një dritare.

Por nuk është ky problemi më i madh. Megjithëse godet në themele ngrehinën e Policisë. Ndryshimi ligjor më pas krijon ngërç në menaxhimin e personelit. Në fund do të rezultojë të kemi dy lloj nënkomisarësh. Me dy lloj formimesh. Një grup i dalë nga formimi bazë dhe një grup i dalë nga formimi i shkurtuar disamujor. Pas disa viteve, nënkomisari i formuar në Akademi do të kalojë në gradën komisar dhe më pas kryekomisar e kështu në vazhdim. Pra, do të kthehet në menaxher dhe do të paguhet si i tillë. Po nënkomisarët e rekrutuar për detyra specifike do të ngelen gjithmonë me këtë gradë? Për të kryer detyra specifike? Formimi i tyre i lejon të mbeten vetëm në pozicion eksperti me gradën nënkomisar. Pra, jo funksione drejtuese. Ndërkohë, pagesa dihet që bëhet mbi bazë grade. Duke qenë se ata nuk rriten dot në karrierë, ata nuk do të kenë as mundësinë e rritjes në pagë. Gjithë jetën me një pagë do të qëndrojnë ata?

Ndryshimi i mësipërm ligjor nuk është ndonjë ide që po lë pa mend dynjanë. Sepse ai është diskutuar shumë herë, vite më parë, në grupin e politikave që ekzistonte dikur në Policinë e Shtetit. Dhe nuk u lejua pikërisht për amullitë që krijon.

Ndërkohë, ligji ka kaluar dhe duhet zbatuar. Do të ishte me shumë rëndësi që nga ana e grupeve menaxheriale të Policisë të shihet mundësia që ngërçi i mësipërm të zgjidhet nëpërmjet akteve nënligjore.

Sipas eksperiencave të policive europiane dhe amerikane njëkohësisht, zgjidhja do të ishte më e thjeshtë nëse dy statuseve që gëzon aktualisht Policia, ai i oficerit të Policisë dhe ai i punonjësit civil, secilit me tabelë pagash dhe karrierë të vetën, t’i shtohet edhe një status tjetër i tretë. Ai i ekspertëve teknikë të Policisë me një status, tabelë pagash dhe ecuri në karrierë të ndryshme nga ajo civile dhe nga ajo e punonjësve të karrierës operacionale. Ky dimension i tretë do të zgjidhte përfundimisht edhe përputhjen e plotë të ecurisë në karrierë me specializimin për sektorë si Policia tekniko-shkencore, pilotët, drejtuesit e mjeteve të lundrimit dhe shumë profesione të tjera specifike brenda radhëve të Policisë që nuk janë as operacionalë policor e as thjesht civil. Krijimi i një statusi të tretë nuk e godet standardin e rekrutimit nga një derë hyrëse dhe as krijon më pas ngërçe administrative.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura