Ndrenika e Rondo kthehen në skenë pas problemeve me shëndetin

Jul 15, 2016 | 20:00
SHPËRNDAJE

Teatri i Metropolit duket se do të tërheqë jo pak vëmendjen e publikut gjatë sezonit të ri artistik. Ndërsa pritet që të shpallet kalendari përfundimtar, institucioni grish herë pas here publikun me informacione të reja mbi atë çka pritet të ndodhë gjatë muajve në vijim në skenën teatrore të kryeqytetit.

Hajrie Rondo në komedinë "Seks vetëm për festa"
Hajrie Rondo në komedinë “Seks vetëm për festa”

Pas zbulimit të emrit të Ema Ndojës, si një prej protagonisteve të veprës “Net Arabe” që do të ngjisë në skenë regjisori Stefan Çapaliku, një tjetër lajm na gëzon.

Bëhet fjalë për kthimin në skenë të dy emrave të shquar të teatrit dhe ekranit shqiptar, për aktorin e madh Robert Ndrenika dhe aktoren Hajrie Rondo, të cilët do të jenë pjesë e dy veprave të përfshira në kalendarin e Qendrës Kulturore Tirana. Një pjesë shqiptare dhe një e huaj. Rikthimi i tyre na gëzon për faktin se të dy aktorët i janë larguar për pak skenës, për shkak të problemeve shëndetësore.

Aktori Robert Ndrenika
Aktori Robert Ndrenika

Aktorit Robert Ndrenika iu desh të linte në mes projektin e komedisë “Tartufi”, ku ai luante një nga rolet kryesore, atë të Orgonit. Shtrimi në spitale, më pas këmbëngulja e mjekëve, e mbajtën atë larg skenës, çka e detyroi regjisorin Erion Kame ta zëvendësonte atë me aktorin korçar, Ligoraq Riza.

Ndërsa aktores Hajrie Rondo iu desh të luftojë me një sëmundje të rëndë që i rrezikoi seriozisht jetën.

Aktorja Hajrie Rondo
Aktorja Hajrie Rondo

Dy vjet më parë u zhvillua edhe një fushatë sensibilizimi për të ndihmuar aktoren në shërimin e saj. Aktrimi me sa duket ka shërbyer si terapi, pasi një vit më parë ajo ka interpretuar në komedinë “Seks vetëm për festa” nën regjinë e Leka Bungos, në skenën e teatrit “Bylis” në Fier. Me sa duket, si Ndrenika, ashtu edhe Rondo, e kanë tejkaluar këtë moment të vështirë të jetës së tyre për t’iu rikthyer aktivitetit të tyre të mëparshëm, që njëkohësisht është edhe jeta e tyre, aktrimi.

“TRE DHËNDURËT”

Vepra që do të rikthejë Hajrie Rondon sërish para spektatorit, është komedia shqipe “Tre dhëndurët”. Një vepër që vjen edhe si një homazh kushtuar autorit të veprës, dramaturgut, përkthyesit dhe publicistit, Dionis Bubani, i cili këtë 18 shtator do të mbushte ditëlindjen e tij të 90-të. Kjo vepër do të ngjitet në skenën e Teatrit të Metropolit nga regjisorja Sonila Kapidani.

Ashtu siç është kthyer në metodë pune tashmë në këtë institucion, edhe këtë herë u zhvilluan audicione për personazhet e veprës. Kapedani ka përzgjedhur një kast aktorësh me përvojë, por edhe shumë të rinj. Kështu, “Tre dhëndurët” do të interpretohet nga aktorët Gëzim Rudi, Pjerin Vlashi, Aleksandër Kondi, Lindar Kraja etj. Hajrie Rondo do të interpretojë në rolin e Sanijes, që do të ketë për dublonte aktoren Elona Hyseni.

“MENDOHU, XHAKOMINO”

“Mendohu, Xhakomino” është një tjetër vepër, pjesë e kalendarit të ri të Qendrës Kulturore Tirana. Një komedi nga Luigi Pirandello, e shkruar në vitin 1917, mbi një novelë mbi të njëjtin titull, botuar në vitin 1910 në faqet e “Corriere della Sera”. Edhe kjo komedi vijon në të njëjtën frymë me të tjera vepra të Pirandello-s, që sillen rreth problemeve të individit, paradokseve të tij ekzistenciale, paaftësisë së shtetit etj.

Kjo vepër vjen nën regjinë e Milto Kutalit, i cili rikthen në skenë aktorin Robert Ndrenika, në rolin kryesor, atë të profesor Totit, i cili në moshë të shtyrë e fut veten në ca andralla që bien ndesh me “moralin” e shoqërisë. Krahas Ndrenikës, do të interpretojnë edhe aktorë si Arben Derhemi, Mariana Kondi, Alert Çeloaliaj, Klodiana Keco etj.

VEPRAT

“TRE DHËNDURËT”
Autor: Dionis Bubani
Regjia: Sonila Kapidani
Interpretojnë:
MENTARI – Gëzim Rudi
DUDUMI – Pjerin Vlashi
XHEVAHIRI – Aleksandër Kondi
BENIAMINI – Lindar Kraja
ZENUNI – Roerd Toçe
EDUARDI – Margent Caushi
FLUTURA – Linda Jarani
Me pjesëmarrjen e veçantë të Hajrie Rondos në rolin e SANIJES
SANIJA II – Elona Hyseni
“MENDOHU. XHIAKOMINO”
Autor: Luigi Pirandello
Regjia: Milto Kutali
Interpretojnë:
XHAKOMINO –
Amri Hasanlliu
LILJANA- Paola Kodra
CINKUEMANI- Arben Derhemi
MARJANA- Marjana Kondi
ROZARIA- Klodjana Keco
AT LANDOLINO Redjan Mulla
KAVALIER DIANA Alert Celoaliaj
FILOMENA Merita Dabulla
NINI- Ezra Vogli
Me pjesëmarrjen e veçantë të Robert Ndrenikës në rolin e TOTIT

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura