Ndreca: Kule e UT pjesë e procesit, konfirmuan se projektligji i arsimit të lartë është i mirë

Apr 13, 2015 | 13:20
SHPËRNDAJE

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Plarent Ndreca, shprehet se projektligji i ri i arsimit të lartë është hartuar edhe me kontributin e Universitetit të Tiranës. Ndreca ka shpjeguar risitë e këtij projektligji dhe u jep përgjigje vërejtjeve të kritikëve.

Plarent Ndreca

Z.Ndreca, si sekretar i Përgjithshëm i MAS dhe në profesion jurist, po ashtu pjesë e grupit të punës, cilat janë risitë që sjell projektligji për arsimin e lartë?
Që në krye të herës, unë do doja ta ndaja vlerësimin tim mbi projektligjin në tri pikëvështrime, atë procedural, formal dhe material. Nga pikëpamja procedurale apo, ndryshe nga pikëpamja e procesit që është ndërtuar për të mbërritur në këtë korpus normash, në gjykimin tim është ndër proceset më model që ka ndjekur ndonjëherë ekzekutivi shqiptar për realizimin jo thjesht dhe vetëm të një projektligji, por të një reforme. Komisioni i ndërtuar me anëtarë të nderuar e të mirënjohur te trupës akademike të institucioneve të arsimit të lartë publik e privat, përfshirë edhe profesorë të së Drejtës, kanë ndërtuar një proces me faza dhe hapa të kujdesshëm, duke mos lënë pa përfshirë në procesin e konsultimit asnjë zë, asnjë faktor, asnjë aktor dhe asnjë grup interesi, me qëllim final hartimin e një ligji cilësor, si një instrument reformimi të sistemit të lartë arsimor në Republikën e Shqipërisë. Ka mbi një vit që me një kujdes jo të zakonshëm janë marrë në shqyrtim, biseduar e debatuar opinionet e ardhura nga të gjitha kahet akademike ose jo. Është shkuar në institucionet e arsimit të lartë e debatuar aty, janë bërë publike të gjitha dokumentet e prodhuara nga komisioni, janë ftuar në dëgjesa publike dhe institucionale të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të arsimit të lartë dhe është reflektuar çdo mendim e sugjerim i tyre, që ka shkuar në drejtim të reformimit të arsimit të lartë në Shqipëri. Nga pikëpamja materiale, ligji sjell risi domethënëse në drejtim të financimit të arsimit të lartë, rritjes së autonomisë institucionale, rimodelimit të të gjitha strukturave qeverisëse të IAL-eve, kërkimit shkencor, rolit të shtetit në arsimin e lartë dhe krijimit të një alternative të re institucionale, siç është Institucioni i Arsimit të Lartë të Pavarur Publik.

Universiteti i Tiranës dhe rektori Dhori Kule janë kundër kësaj reforme, duke pretenduar se IALP është antikushtetues. Si do t’i përgjigjeshit?
Nuk jam në dijeni të një qëndrimi të tillë të Universitetit të Tiranës. Përkundrazi, në qëndrimet institucionale të këtij Universiteti, është theksuar në mënyrë të përsëritur fakti që ata janë pro reformës së ndërmarrë nga qeveria shqiptare. Madje, më shumë se një herë nga kreu i këtij institucioni na është konfirmuar fakti që projektligji është shumë i mirë. Universiteti i Tiranës ka qenë pjesë e gjithë këtij procesi nëpërmjet përfaqësuesve të tij, madje një zë i fortë profesional dhe kompetent në këtë proces, duke injektuar kontribute të rëndësishme në projektligj. Një rol posaçërisht të rëndësishëm me mendimet, por edhe me kundërshtimet e tij, ka pasur edhe kreu i këtij institucioni, profesor Kule. Në mirëkuptim të plotë të qëndrimeve të këtij institucioni dhe kreut të tij, nga 24 vërejtjet e fundit të dërguara zyrtarisht në Ministrinë e Arsimit nga UT, 19 prej tyre janë marrë në konsideratë nga komisioni dhe janë reflektuar në projektligj. Është e vërtetë që një ndër vërejtjet e artikuluara nga profesor Kule ka qenë edhe krijimi nëpërmjet këtij projektligji i Institucionit te Arsimit të Lartë të Pavarur Publik. Por, për të qenë korrekt, në asnjë prej qëndrimeve institucionale apo joinstitucionale nuk është formuluar nga profesori që IALPP është antikushtetues. Ky është një qëndrim i ri, i shprehur në një moment kur projektligji miratohet në qeveri, por që nuk është artikuluar në asnjë prej ballafaqimeve të bëra me profesorin drejtues të institucionit. E megjithatë, qëndrimi i ri i profesor Kules, sipas të cilit IALPP është antikushtetues, është krejtësisht i pabazuar. Asnjë dispozitë që rregullon IALPP në këtë projektligj, nuk bie në kundërshtim me asnjë dispozitë të vetme të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. I gjithë projektligji, por posaçërisht kreu i projektligjit që rregullon IALPP, është ndërtuar duke u nisur ne mënyrë të padiskutueshme mbi premisa kushtetuese. E jo vetëm kaq, por është në harmoni të plote me gjithë korpusin ligjor ne fuqi, përfshirë këtu Kodin Civil dhe ligjin për organizatat jofitimprurëse.

Universitetet e pavarura publike, që thuhet se do të jenë universiteti i të nesërmes, do të shndërrohen me detyrim në universitete publike apo me dëshirë?
Siç e përmenda me lart, parashikimi i IALPP në projektligjin e ri është një alternativë e re, një mundësi e re, për të gjithë IAL-et ekzistuese, për të përfituar nga avantazhet që paraqet ky institucion, si për sa i përket pavarësisë së tij në organizim dhe vendimmarrje, ashtu dhe fleksibilitetit të lartë në përdorimin e aseteve në administrim dhe të mirave të tjera monetare apo materiale që ka apo krijon ky institucion. Gjithashtu ky institucion krijon kompeticion të ri në mes universiteteve, me një qëllim të vetëm – rritjen e cilësisë akademike dhe çuarjen në një nivel europian të dijeve për studentët shqiptarë. Në këtë kuptim, nuk është dhe nuk ka si të jetë obligim ligjor për IAL-et ekzistuese shndërrimi në IALPP. Neni 116, pika 3 dhe 4 e projektligjit, parashikon në mënyrë shumë të qartë se IAL-et ekzistuese shndërrohen në IALPP me kërkesë të vetë IAL-eve, pas vendimmarrjeve të organeve të tij. Konkretisht, është bordi i IAL, që merr vendim për shndërrimin në IALPP, pas mendimit të marrë nga Senati Akademik i IAL.

Po universitetet private do të transferohen me detyrim në institucione apo sipas dëshirës? Absolutisht jo. I njëjti parashikim që unë trajtova me lart, vlen edhe për IAL-et private. Janë vetë IAL-et që, nëpërmjet organeve të tyre, marrin vendimin përkatës dhe i kërkojnë Këshillit të Ministrave transformimin e tyre nga IAL në IALPP.

Ka një keqkuptim midis nocionit të pronësisë së institucioneve të pavarura publike, kush është “pronari” i tyre?
Në dispozita të ndryshme të projektligjit përcaktohet në mënyrë të padyshimtë që, në rastin e IAL-eve publike që transformohen, pronat do jenë në pronësi të fondacionit krijues të IALPP. IALPP-ja do ketë të drejta të plota dhe të pakufizuara në administrimin e pronave në shërbim të veprimtarisë së tij. Në rastet kur pronat kalojnë te fondacioni krijues i IALPP nga shteti, ky i fundit e humb të drejtën për të rimarrë mbrapsht pronat apo fondet e vendosura në dispozicion te IALPP. Ato kalojnë në mënyrë të pakthyeshme në administrim të IALPP dhe në përmbushje të qëllimit për të cilin është krijuar. E njëjta gjë ndodh edhe në rastin e një shndërrimi të një IAL privat në IALPP. Themeluesi i fondacionit krijues të IALPP-së, në momentin që vendos të kalojë pronat e tij në dispozicion të IALPP, ato mbeten të pakthyeshme tek ish-pronari i tyre, por në shërbim të realizimit të qëllimit për të cilin është krijuar IALPP. Këtyre institucioneve nuk u lejohet të realizojnë fitime që mund të shpërndahen në formën e dividendëve, por të realizojnë të ardhura nga burime të ndryshme të ligjshme, të cilat shkojnë në mënyrë të detyrueshme vetëm në favor të veprimtarisë së IALPP.

Institucionet e pavarura publike që transferohen nga institucionet jopublike, cili është roli që i njihet themeluesit, atij që themelon ose pronarit të mëparshëm?
Zgjedhja e fondacionit si formë e organizimit të personit të ri juridik, IALPP, nuk ka qenë e paqëllimtë dhe është një praktikë tashmë e konsoliduar ne vendet më të përparuara europiane në ndërtimin e sistemeve arsimore të larta. Kjo formë organizimi krijon mundësinë e shkëputjes në mënyrë të plotë të strukturave qeverisëse të organizatës nga themeluesi i tyre. Themeluesi i një fondacioni apo, siç e quani ju, ish-pronari, në momentin që krijon nëpërmjet regjistrimit në Gjykatë personin e ri juridik fondacion, humbet të drejtat e tij për të ndërhyrë në organizimin dhe funksionimin e organizatës së themeluar prej tij. Gjithashtu humbet të gjitha të drejtat e tij pasurore mbi pasuritë apo të mira të tjera materiale ose jo, të vena në dispozicion te fondacionit. Me krijimin e fondacionit e, më tej akoma, të Institucionit te Arsimit të Lartë të Pavarur Publik, qeverisja bëhet në mënyrë krejtësisht indipendente nga organet e parashikuara në projektligjin në fjalë. Kjo organizatë vetëqeveriset nga organet e saj dhe ka për mision të vetëm realizimin e një shërbimi arsimor të lartë.

Cilat janë kushtet që një universitet privat ose jopublik të kthehet në institucion të pavarur publik?
Kushti i parë dhe më i rëndësishëm që një institucion i arsimit të lartë jopublik të mund të transformohet në IALPP, është që ky institucion duhet të jetë pjesë e një fondacioni që është krijuar për këtë qëllim. Me fjalë më të thjeshta, një IAL jopublik që sot mund të jetë pjesë e një shoqërie tregtare apo është themeluar nga një shoqëri tregtare, që të ketë mundësinë për t’u transformuar në IALPP, duhet të jetë pjesë e një fondacioni (i cili është krijuar vetëm me qëllim ofrimin e shërbimit arsimor të lartë) të themeluar paraprakisht, pasi vetëm ky i fundit legjitimohet të aplikojë në Këshillin e Ministrave për krijimin e IALPP. Përveç sa më sipër, në nenin 117 të projektligjit parashikohen në mënyrë të detajuar se cilat janë kriteret shtesë që një institucion ekzistues i arsimit të lartë duhet të përmbushë përpara se të transformohet në IALPP. IAL duhet të ketë të gjitha programet e akredituara dhe të jetë akredituar institucionalisht. Duhet të ofrojë garancitë e duhura financiare për funksionimin e IALPP për të paktën tri vitet e para. Duhet që IALPP të ketë të drejtën e përdorimit dhe administrimit të pasurive në mënyrë të parevokueshme në funksion të qëllimit për të cilin është krijuar. Themeluesi (fondacioni) nuk duhet të jetë i dënuar me vendim të formës së prerë. E të tjera kritere që përcaktohen hollësisht në nenin që sipërcitova.

 BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura