Ndizet sfida Skënderbeu-Dinamo, Rexhepi sfidon Ibraimin: Nuk më shënon dot!

Oct 22, 2021 | 14:42
SHPËRNDAJE

Skënderbeu kërkon reagimin e menjëhershëm në ndeshjen e radhës kundër Dinamos. Për portierin Bekim Rexhepi, një nga më të mirët në humbjen me Kastriotin, ky takim është lënë pas krahëve tashmë, pasi ekipi ka analizuar me kujdes atë që ndodhi.

bekim rexhepi

“Humbje të tilla gjithmonë djegin dhe ne jemi ndjerë keq pas asaj disfate. Me të vërtetë kemi qenë mjaft të mërzitur, por tani është koha ta harrojmë dhe të mos mendojmë më për atë takim. Kemi zhvilluar një lojë të dobët, pasi ndeshjen e kishim përgatitur të ishte krejt ndryshe. Sigurisht, në atë rezultat ndikoi edhe fusha. Terreni ishte mjaft i vështirë dhe nuk na favorizonte aspak për të bërë më të mirën tonë”, ka thënë fillimisht portieri i Skënderbeut në një bisedë për “Panorama Sport”.

DINAMO – Rivali i radhës për Skënderbeun është Dinamo dhe për Rexhepin bëhet fjalë për një tjetër ndeshje delikate që kërkon përqendrim maksimal. Informacionet për kundërshtarin janë të shumta, pasi janë përballur edhe më herët, ndaj edhe për këtë portieri e quan si mundësinë më të mirë për të marrë një fitore.

“Dihet që ndeshjet në këtë sezon janë të vështira dhe të gjitha duan impenjim maksimal. E tillë është edhe ndeshja me Dinamon. Ne kemi një informacion më shumë për këtë kundërshtar, pasi jemi përballur me ta edhe në ndeshjet e zhvilluara gjatë fazës përgatitore. Është një ekip i ri me elementë të mirë në përbërje. Por, besoj se kjo do të jetë ndeshja e kthesës për ne. Jemi të bindur dhe të vendosur që të marrim fitoren e parë sezonale, ndaj edhe do të japim maksimumin në këtë takim.

Një fitore na ngjit në renditje, pasi diferencat nuk janë të mëdha. Për këtë unë mendoj se do t’ia dalim”, vijoi shkupjani. Ndërkohë, nuk mund të mungonin batutat dhe ngacmimet për kapitenin e bluve, Agim Ibraimi. Rexhepi ka qenë me fantazistin te Shkëndija e Tetovës dhe i pyetur për të, ka konsideratën maksimale si lojtar, ndërsa nga ana tjetër e ka paralajmëruar. “Ibraimi është një nga lojtarët më cilësorë që janë në Shqipëri për rolin e vet. Është i paparashikueshëm dhe mund të zgjidhë i vetëm një ndeshje. Por këtë herë duhet të marrë masat mirë, pasi nuk do të më shënojë dot. Ky është edhe basti im me të”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën titullari i portës korçare.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura