“Ndizet” Maqedonia/ Konservatorët duan zgjedhje, jo ligj gjuhësh: Shqiptarët s’kanë nevojë për…

Jun 4, 2018 | 8:59
SHPËRNDAJE

Edhe pse shqiptarët përbëjnë më shumë se 25 për qind të popullsisë së Maqedonisë, kreu i partisë opozitare VMRO-DPMNE thotë se “Maqedonia u takon maqedonasve. Mes kundërshtimeve të politikave të qeverisë së Kryeministrit Zoran Zaev, kreu i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se “qytetarët shqiptarë nuk kanë nevojë për ligj antikushtetues për gjuhët, por vendit dhe qytetarëve të tjerë u duhet zhvillim ekonomik”.

protesta

Ligji i gjuhëve, i cili fuqizon përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni (gjuhës së një etnie që përbën më shumë se 20 për qind të popullsisë), kusht i kërkuar që në vitin 2001 në Marrëveshjen e Ohrit që i dha fund luftës civile, quhet ende antikushtetues nga konservatorët maqedonas.

Zhurma që po bëjnë ata në këtë periudhë, përkon me dënimin nga gjykata të ishliderit të tyre dhe ish-Kryeministrit, Nikola Gruesvski, një figurë drejtuese për konservatorët. Gruesvski u dënua më parë nga një gjykatë në Shkup me 2 vite heqje lirie për rastin “Tanku”, një rast korrupsioni që ka bërë bujë në vend, por që ai e quajti një vendim politik. Ndërkohë është në pritje të katër gjykimeve të tjera.

Gruevski nuk është arrestuar pasi e mbron imuniteti prej deputeti. Por mund të vijë një moment që gjykata do të kërkojë nga Parlamenti heqjen e imunitetit për të. Për t’i shpëtuar arrestimit të Gruevskit, konservatorët maqedonas po lëvizin të gjithë “gurët”. Tashmë, ata po kërkojnë zgjedhje të reja, pasi politikat e socialdemokratit Zaev, sipas tyre, janë antikushtetuese, madje, negociatat me Greqinë për emrin kanë shkelur interesat kombëtare.

“Nuk pranojmë të ndryshojmë Kushtetutën. Ne nuk frikësohemi nga tradhtarët. Nuk pranojmë të luhet me dinjitetin tonë. Ne si VMRO do të mbrojmë atdheun. Maqedonia ka nevojë për politikanë të rinj, me vizion dhe qëllim ku duan të arrijnë. Kjo Qeveri duhet të bjerë. Duhet të mbisundojnë principet, vlerat dhe punët e mbara”, ka deklaruar me patos Mickoski. Sipas tij, Zaev i ka mashtruar qytetarët pasi “premtuan rritje për 10 për qind, por nuk e rritën as 1 për qind. Nuk ka asnjë investim të ri. NATO dhe BE janë premtime që i përmend pa pushim… Po na kërcënojnë dhe na përndjekin të gjithëve”, ka deklaruar Mickoski.

Ai kërkoi rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhje të reja. “Le t’i ndalojmë deri sa të mos jetë tepër vonë. Duhet të ketë zgjedhje. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare së bashku me zgjedhjet presidenciale. Le të formojmë një qeveri teknike 100 ditë përpara zgjedhjeve dhe të shohim nëse njerëzit pajtohen me atë që bëjnë Zoran Zaev dhe LSDM”, tha ai. Edhe pse Mickoski është lider i konservatorëve, figura kryesore e tyre mbetet Gruevski.

Ai sigurisht i ka mbështetur protestat në fundjavë të organizuara nga partia e tij. “Ka kaluar një vit, rrallë mund të gjendet dikush që nuk e di gënjeshtrën e madhe të LSDM-së. Koha është që t’i dërgojmë mesazh të qartë. Se dimë dhe shohim çfarë po ndodh. Se nuk pajtohemi. Dhe se duam ndryshime. Sot është mundësia, mbështetje për protestat. Maqedonia do të fitojë”, ka shkruar Gruevski. Në protestë kanë marrë pjesë disa mijëra opozitarë, duke qëndruar para ndërtesës së qeverisë në Shkup me kërkesën për zgjedhje të reja.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura