Ndizen tensionet/ SHBA-ja akuza Rusisë për hakerim kompjuterësh

Oct 5, 2018 | 8:16
SHPËRNDAJE

Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi të enjten ngritjen e akuzave penale kundër shtatë zyrtarëve të zbulimit rus, në lidhje me përpjekjet për të futur në rrjetet kompjuterike të zyrtarëve ndërkombëtarë të anti-dopingut dhe organizatave që hetojnë përdorimin e armëve kimike nga Rusia.

Ndihmësi i Prokurorit të Përgjithshëm Xhon Demers, i cili njoftoi akuzat, tha se shtetasit rusë i përkisnin GRU-së, agjencisë ushtarake të zbulimit. Të shtatë agjentët u akuzuan nga një juri e madhe amerikane për hakerim kompjuterash, vjedhje identiteti me pasoja të rënda dhe pastrim parash.

32102DFD-1872-44DD-8188-E942220FA509_cx0_cy5_cw0_w1023_r1_s

Tre nga oficerët rusë të përfshirë në aktakuzën e fundit janë akuzuar edhe më parë nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller në muajin korrik në lidhje me hakerimin e kompjuterëve të Komitetit Kombëtar të Partisë Demokratike gjatë fushatës zgjedhore presidenciale të vitit 2016 në SHBA. Zoti Demers tha se aktakuza e fundit nuk u ngrit nga zyra e Prokurorit të Posaçëm.

“Pavarësisht kësaj këto dy aktakuza mbulojnë grupe të njëjta komplotuesve. Ato paraqesin disa metoda të njëjta të ndërhyrjes kompjuterike dhe të njëjtin qëllim strategjik të Rusisë, çuarjen përpara të interesave të saj, nëpërmjet ndikimit të paligjshëm dhe operacioneve për përhapje të informacioneve të rreme, që synojnë baltosjen ose ndryshimin e perceptimit ndaj së vërtetës”, tha ai.

Shtatë oficerët rusë akuzohen se kanë hakeruar sistemet kompjuterike të përdorura prej organizata ndërkombëtare siç është Agjencia Botërore e Anti-Doping-ut, Agjencia amerikane e Anti-Doping-ut, Qendra Kanadeze për Etikën në Sport si dhe Gjykata e Arbitrazhit për sportin. Viktimë e ketyre sulmeve kanë qenë edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar si dhe FIFA. Zyrtarët thanë se qëllimi i komplotit ishte delegjitimimi dhe hakmerrja kundër përpjekjeve të zyrtarëve e organizatave që kishin publikuar një program të sponsorizuar nga shteti rus për përdorim doping nga atletët.

SHBA-RUSI

“Veprimet e këtyre 7 hakerave, zyrtarë të qeverisë ruse, ishin kriminale, hakmarrëse dhe dëmtuese ndaj viktimave të pafajshëm dhe ekonomisë së Shteteve të Bashkuara si dhe organizatave botërore”, tha në një deklaratë Drejtori i FBI-së Christopher Wray.

Sipas aktakuzës hakerimi është zhvilluar kryesisht në distancë, por kur këto përpjekje kanë dështuar GRU-ja dërgoi fizikish në disa zona në mbarë botën, ekipet e agjentëve të “qasjes nga afër”, ku përfshiheshin dhe katër oficerë emrat e të cilëve përmenden në aktakuzë.

Në të paktën një rast, dy agjentë të GRU-së udhëtuan drejt Rio de Janeiro-s në Brazil për të sulmuar rrjetet kompiuterike që përdorin zyrtarët e anti-doping-ut. Në një rast tjetër, dy agjentë udhëtuan në Luzanë të Zvicrës, për të sulmuar rrjetin kompjuterik të një hoteli ku do të organizohej një konferencë kundër-doping-ut.

Sipas aktakuzës ai që njihet si “ekipi i qasjes nga afër” i transferoi të dhënat tek komplotistët në Rusi për shfrytëzim.

Hakerimi u shtri edhe në organizatat që po hetojnë përdorimin e armëve kimike nga Rusia. Në vitin 2018, katër agjentë rusë dyshohet se udhëtuan drejt Hagës për të sulmuar rrjetet kompjuterike të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW). Prokurorët thanë që katër agjentët kishin planifikuar të udhëtonin drejt Spiez-it të Zvicrës, ndërsa një laborator i OPCW-ut po analizonte substancën kimikë të përdorur në helmimin e një ish-agjenti të GRU-së në Britani. Shërbimet sekrete holandeze i kapën agjentët pranë zyrave të OPCW-ut dhe më pas i dëbuan ata. Rusia ka mohuar çdo lidhje me helmimin e Sergei Skripal-it. Zyrtarët holandezë thanë se nuk ishte e qartë nëse sulmi kibernetik ishte i lidhur me hetimin. Britania dhe Australia kanë akuzuar gjithashtu Rusinë për veprimtari keqdashëse kibernetike. Ministria e Jashtme e Rusisë i mohoi akuzat të enjten, duke i hedhur poshtë ato si “fantazi”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg paralajmëroi Rusinë të ndalë sjelljen e saj “moskokëçarëse” dhe tha se aleatët e NATO-s do të mbështesin qeverinë britanike dhe atë holandeze.

“Ky akt agresiv demonstroi mospërfillje të qëllimin solemn të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, e cila punon për të zhdukur armët në mbarë botën bazuar në një mandat të Kombeve të Bashkuara”, thuhej në një deklaratë të përbashkët të Presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, Presidentit të Këshillit të Evropës Donald Tusk dhe shefes së Politikës së Jashtme të BE-së Federica Mogherini.

Sekretari i Jashtëm britanik Jeremy Hunt tha se “qeveria ruse duhet të dijë se në qoftë se ata nuk e përfillimin ligjin ndërkombëtar, do të ketë pasoja dhe do të dalin zbuluar”.

Sekretari amerikan i mbrojtjes Jim Mattis u tha gazetarëve në Bruksel se Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për veprimet e saj. Zoti Mattis tha se mund të merren në konsideratë një numër veprimesh kundër Rusisë, përfshirë pajisjen e NATO-s me aftësi për luftë kibernetike./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura