Ndihmoi në dëbimin e 6 turqve nga Kosova pa vendim gjykate, ish-kreu i AKI-së pritet të emërohet ambasador në Ankara

Nov 6, 2019 | 18:46
SHPËRNDAJE

 

Lojaliteti ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, pas shtatë vitesh udhëheqje me Policinë e Kosovës, iu shpërblye Shpend Maxhunit duke u emëruar shef në AKI.

75580439_2439254962991492_5087547207750516736_n-600x360

Emërimi i Maxhunit si kryespiun në institucionin më të lartë të sigurisë në vend, erdhi pas skandalit me deportimin e gylenistëve, operacion ky i udhëhequr e mbikëqyrur nga vetë Maxhuni e një mik tjetër i mirë i Thaçit, atëherë shefi i AKI-së, Driton Gashi.

As Maxhuni, e as Gashi nuk u ndëshkuan për atë se çka ndodhi ditën e 29 marsit të vitit 2018-të. Gashi u shkarkua nga pozita e shefit të Agjencisë të Inteligjencës, për tu rehatuar me punë në zyrën e presidenti Thaçi, derisa, si meritë për punën e mirë me dëbimin e dhunshëm, Maxhuni që nga prilli i vitit të kaluar ka udhëhequr AKI-në.

Për më shumë se një vit sa Shpend Maxhuni udhëhoqi me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë ky institucion i sigurisë e pati lavdinë e skandaleve.

Kur Prokuroria Speciale filloi hetimet për rastin e gylenistëve, si për çudi, Maxhuni si ish kryepolic i shpëtoi çfarëdo hetimi të mundshëm, derisa Express kishte raportuar se ai nuk kishte qenë as në pistën e hetimeve. Përderisa Maxhuni mbeti pa ferrë në këmbë, vartësve të tij në polici, iu janë ngritur 22 kallëzime penale në muajin gusht.

Mirëpo, ajo se çka ndodhi ditën e 29 marsit në Kosovë nuk i dha fund edhe të bëmave në Agjencinë e Inteligjencës.

Vetëm pak muaj më vonë, institucioni më i lartë i sigurisë në vend u trondit kur brenda bufesë së AKI-së ndodhi një vrasje me armë zjarri. Nuk qenë të paktët ata që për këtë temë i kërkuan të njëjtit që ta lirojë detyrën. Rasti ndërkaq është në procedurë gjyqësore.

Vështirë për të kontrolluar situatën Maxhunit i doli edhe brenda shtëpisë së tij. Pak muaj pas rastit të njohur si gylenistët e asaj të vrasjes brenda institucionit, djali i Shefit të AKI-së, u kap me armë e drogë në veturë.

Nga policia e Kosovës kishin deklaruar se në një pjesë të veturës është gjetur një thikë, një cigare e mbështjellë që dyshohej të jetë substancë narkotike. Derisa nga organet e rendit lëshonin komunikata ku thuhej se droga e arma nuk ishin të djalit të Maxhunit. Madje, me 27 nëntor të vitit të kaluar, IPK kishte kërkuar që zyrtari policor që e lajmëroi rastin e djalit të Maxhunit të suspendohet nën dyshimin për rrjedhje informacioni konfidencial, gjegjësisht për njoftimin e mediave se djali i shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Shpend Maxhunit është përfshirë në një rast penal. Ky zyrtar policor u kthye në punë pesë muaj më vonë.

 Këtë vit ndërkaq për të njëjtin u kërkua llogari kur Gazeta Express raportoi ekskluzivisht se në zyrën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit ishte emëruar këshilltar Branislav Nikoliq, që dikur kishte punuar si agjent i shërbimit sekret serb. Nikoliq pas këtyre raportimeve do të shkarkohej nga kjo pozitë, derisa, Maxhuni kishte deklaruar në komision para deputetëve se sa i përket Nikoliq dihej vetëm për postet publike që i kishte mbajtur ai për vite me radhë.

Maxhuni si shef i policisë kishte qenë edhe kur në qendrën e paraburgimit në Prizren kishte ndërruar jetë tre vite më parë në rrethana të dyshimta Astrit Dehari, aktivisti i Vetëvendosjes.

Rehatia që pati në zyrën e shefit të AKI-së e në polici,  Shpend Maxhunit i mori fund tash kur në Kosovë sipas të gjitha gjasave s’do të jenë në pushtet ata që ia falnin gabimet.

Drejtori shumëvjeçar i Policisë së Kosovës e tash së fundmi edhe i Agjencisë së Inteligjencës, Shpend Maxhuni, ka vendosur që të mos e presë në zyrën e tij zgjedhjen e Albin Kurtit në postin e kryeministrit.  Ai sot ka dhënë dorëheqje të befasishme nga pozita që mbante. E pikërisht në ditën kur u largua nga AKI, u përmend edhe mundësia që ai të dërgohet ambasador në Turqinë e Erdoganit, të cilës si kryepolic ia ka bërë një favor duke lejuar deportimin e shtetasve turq. Por, një gjë e tillë vështirë të ndodhë pasi atje ka nisur punën njëri nga diplomatët më të mirë që ka Kosova, diplomati i karrierës Ilir Dugolli.

Kush është Shpend Maxhuni dhe cila është rruga e tij drejt AKI-së?

Në pjesën e parë të vitit 2010, në fund të muajit mars, ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi kishte marrë vendim për ta shkarkuar Sheremet Ahmetin nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Ushtrues detyre në krye të policisë ishte emëruar Behar Selimi. Pas shpalljes së konkursit për zgjedhjen e Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Selimi kishte aplikuar për këtë pozicion ndërsa asnjëri nga ndihmësit e tij nuk ishte futur në garë.

Por, shumë shpejt kryeministri Thaçi ishte detyruar ta shkarkojë ushtruesin e detyrës Behar Selimin për shkak se ai kishte vendosur të angazhohej politikisht në Partinë Demokratike të Kosovës. Në fund të muajit tetor të vitit 2010, ish kryeministri Thaçi me rekomandim të ministrit të atëhershëm Bajram Rexhepi pati emëruar Reshat Maliqin drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës për një periudhë tre vjeçare.

Por, Maliqi këtë post do ta mbante vetëm për më pak se nëntë muaj, deri në muajin korrik të vitit 2011. Ai ishte shkarkuar nga ish kryeministri Thaçi pa ndonjë arsyetim, gjë që e kishte detyruar të deponojë edhe padi në gjykatë, njërën kundër Hashim Thaçit ndërsa tjetrën ndaj Qeverisë së Kosovës për ndërprerje të Marrëdhënies së Punës.

Pas shkarkimit të Maliqit në skenë doli zëvendësdrejtori i atëhershëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni i cili ishte emëruar nga ish ministri Bajram Rexhepi. Maxhuni deri në emërimin në këtë pozitë ishte zëvendës i zëvendësdrejtorit për operativë në Policinë e Kosovës.

Synim i Maxhunit megjithatë ishte pozita e të parit në polici, post në të cilin u emërua vetëm pak muaj më vonë. Me vendim të ish kryeministrit Hashim Thaçi, Shpend Maxhuni u emërua Drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës në tetor të vitit 2011 për një periudhë 3 vjeçare. Këtë pozitë e mbajti deri vitin e kaluar, kur u vu në krye të AKI-së. Të njohura mirë janë edhe skandalet që Maxhuni kishte pasur edhe sa kishte qenë drejtor i Policisë së Kosovës, përfshirë vjedhjen e famshme në dhomën e  dëshmive. /GazetaExpress/

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura