Ndihmësi i De Biazit, te Shqipëria falë një ish-i të Juventusit

Mar 22, 2017 | 23:16
SHPËRNDAJE

Marko Veronese bëhet gati për debutimin e tij si asistent i Xhani De Biazit në pankinën e kombëtares shqiptare të futbollit pikërisht ndaj vendit të lindjes, Italisë. Për 40-vjeçarin, ky do të jetë një moment mjaft i veçantë dhe ai ka treguar emocionet e debutimit në një intervisë të dhënë për mediat italiane.

shqiperia stervitje ajeti veroneze de biazi

“Sigurisht që të debutosh me Italinë do të jetë një emocion i dyfishtë: janë përballë kombëtarja e vendit tim dhe ajo të cilën drejtoj. Por përkushtimi im është i përqendruar te skuadra shqiptaere, për t’iu bërë krah ndihme trajnerit De Biazi dhe për t’u integruar sa më shpejt të jetë e mundur me një grup i cili ka punuar shumë mirë në këto vite”, tha ai.

“Objektiva personalë? Unë i jetoj gjërat ditë pas dite dhe përkushtohem te ajo që di të bëj, ndaj objektivi im është Shqipëria dhe dëshiroj të vazhdoj të integrohem në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të vë në dispozicion të gjithë profesionalizmin tim”, deklaroi ish-sulmuesi.

De Biazi - Veroneze-Bulku

Ai ka konfirmuar se me De Biazin është takuar shumë shpesh gjatë kohëve të fundit për të kuptuar më mirë se çfarë kërkonte trajneri i kuqezinjve për krahun e tij të djathtë, ndërsa ka zbuluar një prapaskenë mjaft interesante. Veronese ka bërë të ditur se personi i cili i mbushi mendjen De Biazit për ta bërë pjesë të stafit të tij ishte ish-mbrojtësi i Juventusit, Nikola Legrotalje.

Duket se De Biazi është konsultuar me këtë të fundit për vendin e lënë bosh nga Paolo Tramexani. Por Legrotalje i ka këshilluar të merrte Veronesen, me të cilin ishin shokë skuadre në vitet e arta të Modenas, kur nën drejtimin e De Biazit kjo skuadër u ngjit nga C1 në Serinë A.

Nikola Legrotalje

“Kë dua të falënderoj? Do të dëshiroja të falënderoja Nikola Legrotaljen në mënyrë të veçantë, pasi është falë tij që trajneri vendosi për mua që ta shoqëroja në këtë rrugëtim të rëndësishëm. Gjithashtu edhe Paolo Tramexanin për kalimin e stafetës dhe për ndihmën në javët e para, si dhe padyshim trajnerin për mundësinë që më dha”, shpjegoi Veronese.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura