Ndihmat për Shqipërinë dhe slogani i mbështetjes në forcat e veta

Jun 30, 2022 | 8:00
SHPËRNDAJE

DASHNOR DERVISHI

dervishi-dervishi770x433

500 vjet nën Perandorinë Osmane, në periferi të saj. Periferitë mbahen me ndihma, privilegje e ofiqe. Osmanët nuk i detyronin vendet e kombet që kishin nën sundim të ndërronin besimin fetar, as gjuhën e tyre. Ne ndryshuam fenë kundrejt privilegjeve, por jo gjuhën. Kjo bëri që ne të mbijetojmë.

Pas kalvareve përgjatë Luftës së Parë dhe asaj të Dytë Botërore, kaluam nën ombrellën e perandorisë së Lindjes, asaj rusosovjetike. Brezi ynë e mban mend deklaratën joshëse të Hrushovit nga kodrat e Karaburunit se populli shqiptar nuk ka më nevojë të punojë, përveç kultivimit të portokalleve e limonëve, për sa kohë që Traktati i Varshavës kontrollon Mesdheun nëpërmjet bregdetit shqiptar; deri sa ndodhi prishja e madhe kur Enver Hoxha mbajti fjalimin e famshëm në Bukuresht kundër Traktatit të Varshavës. Kinezët që zunë vendin e tyre u treguan edhe më bujarë me ndihmat e tyre, sa që u pranua çdo gjë që na u kërkua, duke u kthyer në një fanar ndriçues në Europë, vetëm që regjimi të mos ndryshonte. Më vonë përqafuam parullën e mbështetjes në forcat e veta, fama e së cilës arriti deri në Meksiko, me çmimin e sigurimit të bukës në vend.

Në punën me Amerikën Latine, ndjekja nga afër e lëvizjeve të majta të kohës, që për arsye objektive në atë kohë ishin të ndjeshme dhe roli i vendit tonë nëpërmjet marrëdhënieve që partia shtet kishte vendosur me to, më krijuan ndjesinë se sa më i vogël dhe i varfër të jetë një vend, aq më shumë pushtetarët e tij krijojnë raporte të deformuara me të huajt dhe popullin e tyre, duke u kthyer në paranojakë me të parët dhe në arrogantë me të dytët. Duke qenë një vend i vogël, Shqipëria asnjëherë nuk ka arritur të luajë ndonjë rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Udhëheqja e vendit është vënë në shërbim të asaj fuqie të madhe që mbronte më mirë interesat e saj, sipas koniunkturave të kohës.

Capture

Kështu ndodhi gjatë ndikimit jugosllav, po ashtu gjatë marrëdhënieve me kampin sovjetik, gjë që vazhdoi me lidhjet dhe praninë e ndikimeve kineze. E ndërgjegjshme për veprimet e saja, udhëheqja politike shfrytëzonte koniunkturat për ruajtjen e pushtetit, me propagandën brenda vendit se kishte mbështetje ndërkombëtare, duke siguruar kështu ndihma jetike për financat dhe ekonominë e vendit, si dhe mbështetje ndërkombëtare nga aleancat koninukturale të kohës. Përgjatë viteve 1990-1992, Italia mori përsipër të luante një rol mbikëqyrës ndaj zhvillimeve në Shqipëri dhe Kosovë, si një element i rëndësishëm i faktorit shqiptar në rajon, në kuadër të proceseve shpërbërëse në Jugosllavi.

Në Itali vura re se çfarë pozicioni zë vendi ynë në arenën e politikës së jashtme në hapësirat gjeostrategjike të Evropës dhe të rajonit tonë nga këndvështrimi i Perëndimit si dhe rolin tonë në këto hapësira; rol ky që shpesh nuk përputhet me idetë dhe qëndrimet e establishmentit shqiptar, që ushqejnë në opinionin e vendit një filozofi dhe mentalitet krejt të kundërt faktorizimi dhe protagonizmi fals, për ta shfrytëzuar këtë gjë thjesht për mbajtjen e pushtetit brenda vendit.

Me sloganin “Ne qeverisim dhe bota na ndihmon”, është ushqyer ndër vite mendësia e gabuar se Perëndimi dhe Amerika kanë nevojë për ne, prandaj e kanë për detyrë të na ndihmojnë, se ne kemi në dorë stabilitetin e rajonit e të tjera si këto. Por më e keqja është se kjo gjë ka kultivuar në popull njëfarë dembelizmi dhe pritshmërie për çdo gjë nga jashtë, duke fetishizuar ndihmat e huaja në nivel institucional, në të njëjtin nivel me atë që ne vetë duhet të bëjmë në fushën e ekonomisë apo të reformave sociale e politike brenda vendit. Në dekada, kjo ka sjellë deformimin në opinionin e vendit për mënyrën e vlerësimit të aftësive apo meritave për qeveritë e radhës, duke krijuar përshtypjen e gabuar për t’i matur punën jo nga reformat apo investimet serioze që realizon, por nga aftësia për të mbledhur e siguruar ndihma nga jashtë.

NDIHMAT ITALIANE PËR SHQIPËRINË

Gjatë vitit 1991 vazhdoi zgjerimi dhe intensifikimi i gjithanshëm i bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Italisë, duke përfshirë edhe bashkëpunimin midis rajoneve dhe qyteteve.

Delegacionet e shumta që vinin në Itali nga Shqipëria apo anasjelltas, përcillnin projekte nga më interesantet. Dukej sikur Shqipëria kishte hyrë nën patronazhin e Italisë, në pritje të një Plani Marshall. Nga ana tjetër, ishte hera e parë që Shqipëria shkelte Kushtetutën e vendit, e cila ndalonte marrjen e ndihmave dhe kredive nga një “vend kapitalist”. Ishte hera e parë që Italia, një vend perëndimor, do të dërgonte ndihma për vendin tonë, të cilat dilnin nga korniza klasike e shkëmbimeve, me të cilat ishte mësuar vendi ynë. Ndihmat e premtuara mbi bazën e shifrave monetare nuk jepeshin në Kesh apo në formë kredie. Shumat monetare konvertoheshin në mallra ushqimore, sipas nevojës dhe mundësive.

Kërkesat e vendit në nevojë jo gjithmonë përputheshin me listën e mallrave që dërguesi kishte stok. Zakonisht, në këto stoqe përfshiheshin mallra e prodhime me tepricë të industrisë e bujqësisë së vendit dhurues. Në këtë mënyrë, qeveria italiane ndihmonte prodhuesit vendas duke u tërhequr prodhimet e tyre, të cilat i dërgonte më pas në vende të tjera në formë ndihmash. Por procedurat burokratike për dhënien e ndihmave ishin të ndërlikuara dhe zgjasnin në kohë. Për përshpejtimin e tyre duhej një mekanizëm artificial, për të kapërcyer vonesat. Ndihmat mund të jepeshin pa kaluar nëpër barrierat burokratike, vetëm në rast të krizave apo fatkeqësive, që kalonte një vend në situatë emergjente.

Në atë kohë, në zonat e Shqipërisë së Mesme kishin rënë shumë shira, që kishin shkaktuar përmbytje dhe dëme të tjera. Ishte pikërisht ky rast që u shfrytëzua nga ana jonë. Nëpërmjet një note të ambasadës, parashtruam gjendjen e krijuar dhe në emër të qeverisë shqiptare kërkonim ndihmën dhe mbështetjen e qeverisë italiane për ta kapërcyer atë. Më 12 shtator 1991, një delegacion i zgjeruar i përbërë nga gjysma e kabinetit qeveritar të vendit tonë, me në krye kryeministrin Ylli Bufi, me një program të ngjeshur me takime, vizita, marrëveshje dhe projekte për të ardhmen, filloi bisedimet e nivelit të lartë në Pallatin Chigi, ku në anën tjetër të tryezës u rreshtuan homologët reciprokë, me në krye Kryeministrin Giulio Andreotti.

Gjatë takimit u paraqitën projekte të fushave të ndryshme për t’u realizuar në vendin tonë, të cilat, sipas një plani afatshkurtër dhe afatmesëm, përfshinin një shifër prej 700-800 milionë USD. Sipas këtyre projekteve, fushat parësore ishin ato të energjetikës, naftës, ndërtimit të rrugëve dhe industrisë ushqimore. U nënshkruan disa marrëveshje, që parashikonin ndihma të jashtëzakonshme brenda një periudhe të shkurtër.

Ato përfshinin ndihma ushqimore të nevojës së parë, ndihma të jashtëzakonshme në fushën e arsimit dhe të pajisjeve shkollore, ndihma për të mbështetur bilancin shqiptar të pagesave etj. Më 4 prill 1992, pas 6 muajsh nga marrëveshjet premtuese, dhashë një intervistë në gazetën e përjavshme “Corriere Europeo”, ku ndër të tjera theksoja: “Për Shqipërinë duhet një Plan Marshall.

Zhvillimi i Shqipërisë do të përbënte një kontribut të rëndësishëm për stabilizimin e zonës së Adriatikut, madje edhe në Mesdhe… Nuk mund të mohojmë ndihmën bujare të Italisë, që na u gjend pranë vitet e fundit, për të kapërcyer problemet e rënda që kemi kaluar, si në aspektin shoqërorpolitik, ashtu edhe në atë ekonomik. Është e pamohueshme që ndihmat italiane ishin të domosdoshme. Por e kam thënë disa herë që këto ndihma ishin si aspirina që ndihmon në uljen e temperaturës. Një ndërhyrje vendimtare, rrënjësore, ende nuk është ndërmarrë.

Ndoshta kjo do të kishte ndihmuar më mirë, si për zhvillimin ekonomik, ashtu edhe për proceset demokratike në Shqipëri. Një qëndrim më i qartë dhe më i vendosur nga ana e qeverisë italiane do të kishte dhënë efekte më të mira. Në qoftë se gjysma e shumës që u shpenzua për furnizimin me prodhime ushqimore, do të vinte në formën e kredive financiare, gjendja do të ishte më e mirë, si për ekonominë shqiptare, ashtu edhe për të zhvilluar raportet dypalëshe më të forta me Italinë”. “Në Tiranë nuk duan të dëgjojnë më fjalën ‘ndihmë’, por duan që ta zëvendësojnë atë me fjalën ‘bashkëpunim’. Janë realizuar takime të shumta, mbledhje të përbashkëta midis dy qeverive, takime me kompani të mëdha italiane, ku është folur për projekte dhe shifra marramendëse.

U nënshkruan një sërë kontratash e marrëveshjesh bashkëpunimi për tetë projekte parësore, që duhej të kishin filluar deri në fund të vitit 1992: zgjerimi i portit të Durrësit; dy autostrada, veri-jug dhe lindjeperëndim; elektrifikimi i hekurudhave; zgjerimi dhe modernizimi i fabrikës së kromit; fabrikë tekstilesh etj. U firmosën kontratat për të gjitha këto projekte, por nuk u hodh asnjë hap konkret për realizimin e tyre, pasi mungoi financimi i nevojshëm… Nga ana tjetër, edhe projektet me financim privat, sidomos në fushat e turizmit dhe të industrisë së lehtë e ushqimore, nuk arritën të bëhen realitet pasi SACE, me gjithë porositë dhe mesazhet pozitive të politikës italiane, nuk bëri mbulimin për sigurinë e investimeve, duke e futur Shqipërinë ndër vendet me rrezik të lartë”.

“Me të madhe u shpallën 20 projekte me shoqëri të përbashkëta italo-shqiptare ose siç quhen ‘joint venture’, por të gjitha mbetën në letër. Konceptimi i ndërmarrjeve me rrezik të përbashkët ishte më realist për kohën, sepse ato nuk ishin as ndihma direkte, por as investim me pronësi italiane; ato ndërmerrnin investimin, fitimin apo humbjen në mënyrë të barabartë. Por edhe këto nisma nuk patën rezultat”. Të vetmet “investime” italiane që lulëzuan në Shqipëri u realizuan nga disa të ashtuquajtur biznesmenë, që vinin me projekte, hapnin ndonjë zyrë në Tiranë, harxhonin pak para, duke bërë premtime e mashtrime, nga më të rëndomtat për kohën.

Në të gjithë këtë “aferë alla shqiptare”, shpeshherë përfshiheshin edhe shumë zyrtarë të lartë apo të afërm të tyre, që me etje të madhe vraponin për pasurim të shpejtë. Qëlloi që të ushtroja detyrën e ambasadorit në katër nga vendet që përfaqësojnë katër kulturat më të rëndësishme të besimit fetar që kanë ndikuar në botë me filozofinë e tyre ndër shekuj; po ashtu edhe në vendin tonë, përveç sinagogave të judaizmit hebre, ato simbolizohen në qendër të kryeqytetit me tri institucionet e kultit mysliman, ortodoks dhe katolik, ku besimtarët e secilës fe ushtrojnë ritet fetare në ato godina pa dhënë më të voglin kontribut për ngritjen e tyre.

Kam krijuar bindjen se besimi në vetvete për të bërë diçka për vete dhe për Shqipërinë, fillon në praktikimin e riteve fetare në institucionet e kultit, të ndërtuara me kontribut të brendshëm nga komunitetet lokale të çdo feje dhe jo duke u falur në kishat e xhamitë e ngritura nga të tjerë në formë ndihme. Në këtë mënyrë, ne nuk do të mbetemi më në anë të rrugës, në pritje të Godosë, duke ëndërruar realizimin e premtimeve si dikur: për të ngrënë me lugë floriri, më vonë financime me çek të bardhë e më tej investime me Planin Marshall e të tjera si këto. Përndryshe, kam frikë se do të kalojmë përsëri në parullën e “mbështetjes në forcat tona”, pasojat e së cilës tashmë i kemi provuar disa herë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura