“Ndihem fajtor, kërkoj falje”/ Zbardhet dëshmia e Noizy-t në Gjykatë, 2 vjet pas përleshjes me armë

Sep 17, 2018 | 23:33
SHPËRNDAJE

Një konflikt disavjeçar mes dy grupeve të njohura të rep-it në shqiptar në Kosovë e Shqipëri, i cili kulmoi me një përleshje të armatosur dy vjet më parë në qendër të Prishtinës, duket se u mbyll sot në gjykatë kur përfaqësuesit e tyre pranuan barrën përkatëse të fajit dhe shpallën pajtimin.

Noizy-Alberti-e1537188138599

Katër ditë pasi janë mbushur dy vjet nga përleshja e armatosur në të cilën kishte mbetur i plagosur lideri i ‘label’-it OTR, Rigels rajku (Noizy), palët u përballen në gjykatë, raporton media e Kosovës “KALLXO.com“.

‘Noizy’ ishte i pari që u deklarua për këtë rast.

Në deklarimin e sotëm gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ‘Noizy’ tha se ndihet keq për konfiktin në të cilin ai kishte mbetur i plagosur.

“Akuzën e pranoj. E kuptoj shumë mirë. Unë ndihem me të vërtetë fajtor. Nuk e di a do të më pranohet kjo por kërkoj falje, kjo ka ndodhë, ne jemi të rinj dhe ne e kemi falë njëri- tjetrin. Kemi vendosë që të kaluarën ta lëmë prapa. Jemi takuar edhe me familjen e Albertit dhe me familjen time, kemi vendosur që këto t’i lëmë prapa”, tha Rigels Rajku-Noizy para gjykatës.

Pas tij, fajësinë e pranoi edhe pjesëtari tjetër i grupit rival ‘Babastars’, Albert Krasniqi.

“Po e pranoj fajësinë dhe ndjehem shumë keq për rastin që ka ndodhë. Ne jemi pajtu dhe tash jemi miq “, Albert Krasniqi.

Në gjykatë sot nuk është paraqitur i akuzuari tjetër, Elvis Hyseni, për të cilin avokati i tij tha se jeton në Londër dhe nuk ka pasur mundësi që të vijë.

“Prindi i Elvisit më ka njoftu se ai jeton në Londër dhe nuk ka mundur të gjejë biletë të vijë këtu”, tha mbrojtësi i të akuzuarit Elvis Hysenit, avokati Aziz Rexha.

Në mungesë të të akuzurit Hyseni, kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra mori aktvendim për ta veçuar procedurën ndaj këtij të akuzuari me qëllim të ekonomizimin të procedurës.

Beteja në mes dy ‘label’-ëve muzikorë OTR e Babastars e cila nisi më 13 shtator të vitit 2016 para hotelit “Sëiss Diamond”, është zhvendosur sot në Gjykatë.

Në lidhje me këtë përleshje në mes OTR e Babastars në Gjykatën Themelore në Prishtinë është duke u mbajtur seanca fillestare.

OTR është ‘label’ në të cilin bën pjesë ‘Noizy’, ndërsa ‘Babastars’ label-i tjetër ku bën pjesë ‘Cozman’.

Më 13 shtator të vitit 2016, rreth orës 17:15 në parkingun para hotelit “Sëiss Diamond”, kishte ndodhur një përleshje mes dy prej grupeve më të mëdha të reperëve, ata të OTR-së nga Shqipëria dhe BabaStars nga Kosova.

KALLXO.com ka arritur të sigurojë aktakuzën në të cilën prokuroria ka shpjeguar veprimet e të gjithë pjesëmarrësve në këtë përleshje.

Në këtë proces gjyqësor i akuzuar është Rigels Rajku (Noizy), derisa reperi tjetër, Ylber Abdullahu (Cozman), është palë e dëmtuar.

Si pasojë e kësaj përleshje mbetën të lënduar disa persona, përfshirë edhe Rigels Rajku, i njohur për publikun si “Noizy”, atij i është hequr një plumb gjatë një ndërhyrjeje kirurgjike.

Ndërsa Visar Shala, i njohur në tregun e muzikës me nofkën ‘Skivi’, është vetëm dëshmitar në këtë proces gjyqësor.

Sipas aktakuzës, ‘Noizy’, në ditën kritike i ishte vërsulur fizikisht Albert Krasniqit dhe Ylber Abdullahut, pasi që i akuzuari Krasniqi dhe tani i dëmtuari Abdullahu me automjet të të dëmtuarit kanë ardhur në parking.

Aktakuza thotë se ‘Noizy’ fillimisht i është vërsulur ‘Cozman’-it të cilit i është afruar derisa ishte duke ndenjur në automjetin e markës “Range Rover” dhe me grusht e ka goditur në pjesën e tëmthit dhe e ka shtyrë në automjet, me ç‘rast është shkaktuar rrahja e përgjithshme dhe i dëmtuari kishte pësuar edhe ca goditje.

/KALLXO.com/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura