Ndeshja me Skocinë/ Shqipëria “bunker”, zbardhen dilemat e formacionit

Sep 10, 2018 | 9:18
SHPËRNDAJE

Diçka do ndryshojmë…”, tha Panuçi dje në konferencë. Por në fakt, kishte ndërmend një ndryshim thelbësor: Pesë mbrojtës në fushë dhe Mavraj titullar. Po, sepse një nga skemat që ka provuar dje paradite ka qenë edhe ajo me pesë mbrojtës, me Veselin, Mavrajn dhe Gjimshitin në qendër, si dhe Hysaj me Binakun nga krahët.

panuci

Sakrifikohet një prej mesfushorëve me këtë skemë, por ndërkohë edhe Balaj mund t’i zërë vendin Gurit. Gjithçka me “mund”, sepse burime pranë kampit kuqezi bënë me dije se deri mbrëmë në mesnatë Panuçi ka qenë i pavendosur. Madje, ka edhe një balotazh të fortë mes Gavazajt dhe Lilajt. Mësohet se trajneri ka qenë mes dy dilemave: të luajë fiks me të njëjtin formacion që mundi Izraelin, apo të bëjë tri ndryshimet e sipërpërmendura.

hysajj

EVITOHET STËRVITJA Shqipëria nuk ka bërë stërvitjen “tradicionale” në stadiumin ku do të luhet ndeshja. Zgjedhje e çuditshme e Panuçit, që edhe kundër Izraelit preferoi të mos e kryenin seancën një ditë para në “Elbasan Arena”. Por, nëse Elbasani është shtëpia e kuqezinjve, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për stadiumin “Hampden Park”. Ndoshta do të ishte mirë që lojtarët të njiheshin me terrenin, cilësinë e fushës, të provonin takat dhe të testonin ndoshta edhe gjatësinë e barit. Po, janë detaje të vogla që kur mblidhen bashkë ndikojnë disi. Megjithatë, Panuçi ka qenë i vendosur.

dgkfsd

STËRVITJA PARADITE NË ELBASAN Përpara nisjes për në Skoci, Kombëtarja shqiptare e futbollit zhvilloi seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Elbasan Arena”, me surprizën e mesfushorit Ergys Kaçe në grumbullim. Fillimisht futbollistët qëndruan me njëri-tjetrin duke luajtur me topin dhe më pas u afruan në qendër të fushës, ku tekniku Panuçi pati një bashkëbisedim të shkurtër me ta. Më pas, lojtarët u afruan në njërin kënd të fushës dhe po bënin ushtrimet aerobike dhe çlodhëse. Futbollistët dukeshin paksa të lodhur, kjo edhe për shkak se nuk kanë pasur pushim dhe menjëherë pas sfidës me Izraelin do të luajnë në Skoci.

dyufds

HYSAJ – Elseid Hysaj ka qenë një nga futbollistët më të mërzitur pas ndeshjes me Izraelin, edhe pse kuqezinjtë ia dolën të marrin tri pikët ndaj tyre. Ai rast i humbur në pjesën e dytë, që mund të mbyllte edhe ndeshjen, duke sikur po rëndon ende mbi supet e mbrojtësit të Napolit. Kur po dilnin në stërvitje ditën e djeshme, Hysaj nuk e mbajti dot veten dhe lëshoi batutën që i doli vetvetiu: “Sa e urrej këtë fushë”, pëshpëriti mbrojtësi kuqezi, pa menduar se fraza e tij mund të dëgjohej, edhe pse ishte në formë batute. Sigurisht, një batutë që tregon se Hysaj po e vuan ende atë mundësi të shpërdoruar në këmbët e tij.

MASAT E RREPTA – Që në fillim tekniku i Kombëtares, Kristian Panuçi, është treguar i rreptë me rregullat, për më tepër kur bëhet fjalë për seancat stërvitore me dyer të mbyllura. Mediat u lejuan vetëm 15 minutat e para dhe stadiumi survejohej me stjuartë, për të mos lejuar askënd në stadium. Përgjatë këtyre dy seancave stërvitore që u zhvilluan në Elbasan, në stadium nuk u lejuan as punonjësit e impiantit dhe askush që nuk kishte lidhje me stërvitjen. Me sa duket, Panuçi kërkon të mos i shpëtojë asgjë dhe, për më tepër, asgjë të mos dalë jashtë rrethimit të stadiumit.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura