Ndërtoi 9 pallate të paligjshëm, arrestohet biznesmeni i PS-së

Feb 7, 2016 | 21:49
SHPËRNDAJE

Me urdhër të Prokurorisë së Shkodrës është ndaluar mbrëmjen e të dielës ish-kandidati për deputeti në Shkodër, Sait Fishta. Ndaj tij rëndon akuza për “Ndërtim të paligjshëm në tokë publike”.

Sait Fishta
Sait Fishta

Më parë, gjykata kishte vendosur sekuestro preventive mbi 9 pallate në ndërtim në zonën bregdetare të Velipojës. Mësohet se këto pallate janë në pronësi të subjektit “Fishta” shpk, me administrator Sait Fishta, i cili dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Ndërtimit të paligjshëm”.

Biznesmeni i njohur i ndërtimit është ndaluar nga policia në Tiranë. Nga hetimet nga rezultuar se Fishta në vitin 2010 ka marrë 50 leje ndërtimi nga Komuna Velipojë. Sait Fishta, njihet në qytetin e Shkodrës si biznesmen ndërtimi.

Ai ka ndërtuar dhjetëra pallate në Shkodër dhe dhjetëra të tillë në zonën turistike të Velipojës dhe Shëngjinit.

941368_462634537146974_381214191_n
Paulin Sterkaj, Edi Rama, Tom Doshi dhe Sait Fishta në fushtën elektorale të vitit 2013

Fishta, i cili ka qenë sportist i njohur si mundës, për shumë vite është marrë vetëm me biznes, ndërkohë që kohët e fundit ai është aktivizuar në politikë.

Fillimisht ai ishte kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2009 me LSI-në dhe më pas në zgjedhjet elektorale të 2013 Sait Fishta, ka garuar për ngjyrat e PS, për t’u bërë deputet, por në të dy rastet nuk ka arritur të fitojë.

Sekuestro preventive 9 pallateve

Prokuroria e Shkodrës ka marrë lejen e gjykatës për të vendosur sekuestro preventive mbi 9 pallate në ndërtim në zonën bregdetare të Velipojës, në pronësi të subjektit ”Fishta” shpk, me administrator Sait Fishta, i cili dyshohet se ka konsumuar veprën penale të ”Ndërtimit të paligjshëm”.

Prokuroria e Shkodrës ka zhvilluar fillimisht hetime për ”shpërdorim detyre” ndaj anëtarëve të Këshillit të Rregullimit të Territorit (KRRT) të Komunës Velipojë, në bazë të të cilave u krijuan dyshime të arsyeshme se 9 zyrtarë, përfshirë edhe ish-kryetarin e komunës Velipojë, kishin dhënë në kundërshtim me ligjin disa leje ndërtimi në favor të ”Fishta” shpk.

Në bazë të atij hetimi, KRRT-ja e Komunës Velipojë i kishte dhënë ’Fishta” shpk., leje ndërtimi për ngritjen e disa godinave, pjesë e një kompleks turistik. Por, në bazë të veprimeve proceduriale, rezultoi se këto leje ndërtimi ishin dhënë në zonën bregdetare, të cilat duhet të miratohen nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit (KKRRT).

Për këto shkelje, të gjithë ish-anëtarët e KRRT-së së Komunës Velipojë tashmë janë në proces gjyqësor, në të cilin akuzohen nga Prokuroria e Shkodrës për veprën penale të ”Shpërdorimit të detyrës”. Gjatë veprimeve hetimore të zhvilluara ndaj ish-zyrtarëve të komunës, të cilët aktualisht janë të pandehur, Prokuroria e Shkodrës njoftoi zyrtarisht edhe administratorin e ”Fishta” shpk, shtetasin Sait Fishta, se leja që ai kishte marrë për ndërtimin e kompleksit turistik ishte e paligjshme dhe nuk mund të vijoheshin punimet e nisura për ngritjen e godinave.

Por, nga veprimet e kryera në terren, rezultoi se subjekti ”Fishta” shpk, pavarësisht se ishte në dijeni për parregullsitë në lejet e ndërtimit, ka vijuar punimet në këto godina.

Gjendur në këto kushte, si edhe për të ndërprerë vijimin e paligjshmërisë, Prokuroria e Shkodrës në kuadër të hetimeve që po zhvillon ndaj administratorit Sait Fishta për veprën penale të ”Ndërtimit të paligjshëm”, mori lejen nga gjykata për të vendosur sekuestron preventive për ndërtimet në zhvillim, si më poshtë:

  • Dy pallate 6 kate mbi tokë
  • Tre pallate në ndërtim, aktualisht në katin e katërt
  • Tre pallate në ndërtim, aktualisht në katin e tretë
  • Një pallat në ndërtim, aktualisht në katin e parë

Në bazë të lejeve të paligjshme të ndërtimit, godinat planifikoheshin që të ndërtoheshin deri në 6 kate.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura