Ndërtimi i parkut Fotovoltaik të Karavastasë, ministrja Balluku tregon kompaninë fituese dhe sa është afati për zhvillimin e projektit

May 27, 2020 | 18:36
SHPËRNDAJE

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku  ka përmbyllur sot ankandin ndërkombëtar për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë, i cili do të jetë parku energjetik më i madh me energji solare në Ballkan.

balluku

Në mbyllje të fazës finale të ankandit ndërkombëtar, fituese është shpallur kompania franceze Voltalia, e cila kishte bërë edhe ofertën financiare prej 24.89 euro, për MËh, çmim të cilin ministrja Belinda Balluku e ka kosnideruar rekord për parqet energjetike.

Ky është një çmim rekord, për të gjitha parqet energjetike. Ne shpesh i jemi referuar parqeve të ndërtuara në Jordani, apo në zona ku piku i diellit është shumë më i lartë, pra dhe prodhimi është më i lartë, me çmime 26 euro. Ndërkohë ne kemi ardhur sot në këtë ditë, që të kemi një park energjetik me 24.89 euro nga kompania Volttalia, që është një nga kompanitë më të mëdha europiane me kapital 100% francez”, është shprehur ministrja Balluku.

Sipas ministres Balluku kompanitë që morën pjesë në këtë ankand ishin të njohura në Europë, por edhe në kontinente të tjera.

“Kjo është një garë e suksesshme, pasi ka pasur konkurrencë dhe ajo që është më e rëndësishmja, diçka të cilën mund ta faktojnë edhe konsulentët e BERZH, të cilët kanë qenë pjesë e pandarë e të gjithë këtij procesi dhe e grupit të punës, ka qenë një proces transparent nga fillimi deri në fund. Një proces i bazuar mbi garën dhe sigurisht të pesta kompanitë kanë pasur mundësi që të vlerësohen nga grupi ynë i ekspertëve dhe nga grupi i BERZH për të kaluar fazën e pare”, ka theksuar ministrja Balluku.

Ndërtimi i Parkut Fotovoltaik të Karavastasë sipas ministres Balluku është një hap shumë i rëndësishëm, në drejtim të diversifikimit të burimeve të energjisë, përmes krijimit të burimeve alternative të prodhimit të energjisë, që në këtë rast është energjia solare.

Investimi për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik të Karavastasë në zonën e Divjakës dhe të Fierit do të kapë shifrën e mbi 100 milionë eurove. Parku fotovoltaik do të ketë një kapacitet të instaluar prej 140 megavat energji, të ndara sipas një skeme ku 70 megavat do të jenë me çmim të parashikuar dhe 70 megavat do të tregtohen në tregun e lirë. Afati i projektit është 30-vjeçar dhe për kapacitetin 70 megavat me çmim të parashikuar, kemi një kontratë shitblerje energjie për një afat 15-vjeçar.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura