Ndërtimi 500 banesave nga Turqia, ministri turk: Projekti të përfundojë brenda 6 muajve. Ahmetaj: Kjo na vendos nën presionin e …

Jan 10, 2020 | 12:12
SHPËRNDAJE

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj në një konferencë të përbashkët me ministrin e Mjedisit dhe Urbanizimit Turk, Murat Kurum tha se puna për rindërtimin ka filluar.

ahmetaj-kurum

Ahmetaj tha se ndërtimi i 500 shtëpive të premtuara nga presidenti turk Erdogan, do marrë formën e një poli të ri urbano-ekonomik.

Ai shtoi se rindërtimi i këtyre banesave pritet të përfundojë në muajin korrik ndërsa shtoi se kjo i vendos nën presion e qytetarëve për zbatimin me përpikëri të të gjitha afateve të vendosura me ministrin turk Kurum.

Arben Ahmetaj: “Falënderoj popullin e Turqisë dhe presidentin Erdogan për solidaritetin e menjëhershëm dhe solidaritetin që i dhanë Shqipërisë e popullit shqiptar në momentet e vështira pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar.

Përveç ndihmës së parë materiale që dhe sot kanë vazhduar të mbështesin qytetarët që kanë nevojë për një ndihmë emergjente, në disa territore të zonës së ndërtuar qeveria e Turqisë ka marrë angazhimin për ndërtimin e 500 shtëpive të reja në zonën Laçit siç jemi dakortësuar gjatë kësaj periudhe.

Sot patëm rastin të diskutojmë më në detaje mbi projektin e ndërtimit të shtëpive, i cili më duhet të theksoj se shkon përtej ndërtimit thjesht të banesave por merr formën e një poli të ri urbano ekonomik. Është një model i mirëfilltë zhvillimi në termat urbanistik si edhe në atë të zhvillimit ekonomik. Mund të kthehet në model edhe për projektet e reja. Projekti po vijon me hapa të shpejtë dhe mendohet se në baza të hapave që diskutuam me ministrin të përfundojë rreth muajit korrik. Kjo na vendos, neve, autoriteteve shqiptare nën presionin e domosdoshëm dhe legjitim të nevojës së qytetarëve për të ndjekur me përpikëri të gjitha ato hapa dhe afate që vendosëm së bashku me ministrin.”

Ndërsa ministri Kurum tha gjatë fjalës së tij se presidenti turk ka një respekt të veçantë për shqiptarët, duke theksuar se ndjen dhimbjen e shqiptarëve.

Kurum shtoi se nëse ndërtimi i banesave nis në fund të janarit atëherë projekti duhet të përfundojë brenda 6 muajve në mënyrë që shqiptarët të futen në banesa.

Murat Kurum: “Erdogan ka një respekt të veçantë. E ndjejmë këtë dhimbje që po kalon Shqipëria. Në udhëzim të presidentit Erdogan. Kemi dërguar 1500 çadra në shërbim të popullit shqiptar.

Këto 500 banesa nëse i fillojmë në fund të janarit do ndërtohet në përshtatje me kulturën tuaj të jetesës në komunitet. Dua të praktikojmë dhe zbatojmë një projekt shembull. Nëse fillojmë në fund të janarit duam ta përfundojmë brenda 6 muajve dhe t’ia dorëzojmë brenda një kohe të shkurtër për shërbim vëllezërve tanë shqiptarë të prekur.

Në kuadër të këtij projekti duam që banesat ti ndërtojmë sa më shpejt.”

ahmetaj-kurum2

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura