Ndërtimet pa leje, Çako paralajmëron policët: Do ketë ndjekje penale

Aug 23, 2017 | 11:46
SHPËRNDAJE

Një ditë pas pezullimit të shefit të Komisariatit nr.1 të Tiranës e disa oficerëve të tjerë të këtij rajoni, pasi neglizhuan një ndërtim pa leje, drejtori i Përgjithshëm i Policisë paralajmëroi se masa të tilla do të ketë për çdo neglizhencë në detyrë.

Në një takim me të gjithë drejtuesit dhe shefat e Policisë, Haki Çako ka paralajmëruar masa të ashpra, jo vetëm disiplinore, por deri në ndjekje penale, në rast se konstatohet neglizhencë apo mosveprim për ndërtimet pa leje. Ai ka kërkuar të njëjtin angazhim për paligjshmërinë në territor, si në planin kombëtar për luftën antikanabis.

haki cako

Drejtori Çako theksoi se, krahas punës së bërë për goditjen e paligjshmërisë në të gjithë territorin e vendit, ende ka disa mangësi, shqetësime nëpërmjet përcjelljes së mesazheve dhe ankesave të qytetarëve në të gjithë vendin. Shqetësime dhe porosi, të cilat vijnë direkt nga Kryeministri nëpërmjet përcjelljes së mesazheve dhe ankesave të qytetarëve në të gjithë vendin.

“Krahas punës së mirë që është bërë, përsëri vihet re se në drejtim të goditjes së fenomeneve të paligjshmërisë në të gjithë territorin e vendit ka mangësi dhe për këtë qëllim jemi mbledhur sot për të përcjellë disa mesazhe, porosi dhe shqetësime, të cilat kanë të bëjnë me këtë fenomen.

Vihet re një neglizhencë në evidentimin, hetimin dhe goditjen e fenomenit të veprave penale që cenojnë regjimin juridik të tokës, të tilla si ndërtimet e paligjshme, pushtimet e tokës, pronës, si publike dhe private, ambienteve publike etj. Rasti i fundit i ditës së hënë në Tirane te Parku i Liqenit”, u shpreh Çako.

TAKIMI

Drejtori i Përgjithësim i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ka zhvilluar dje një takim me drejtorët vendorë të Policisë, shefat e Komisariateve dhe të stacioneve policore, si dhe me drejtorët rajonalë të kufirit dhe migracionit.

Çako ka shprehur vlerësim për të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit për realizimin e detyrave të planit në kuadër të ruajtjes së rendit dhe qetësisë gjatë sezonit turistik dhe rezultateve të arritura në drejtim të parandalimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike dhe trafikimit të saj.

Ai shtoi se për disa vepra penale kundër mjedisit, si prerja e paligjshme e pyjeve, drurëve frutore, peshkimi i ndaluar, shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe mjedisit, ndotja e ujërave etj., apo vjedhja e energjisë elektrike, ka një neglizhencë në evidentimin, hetimin dhe goditjen e tyre.

“Duke filluar që sot, për të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit lufta kundër paligjshmërisë në territor, për veprat penale të mësipërme, do trajtohet nga Policia e Shtetit njësoj siç po parandalohet dhe goditet fenomeni i kultivimit të lëndëve narkotike”.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura